‘Do të kemi një verë të qetë’, Mezini optimist për situatën në...

‘Do të kemi një verë të qetë’, Mezini optimist për situatën në Shqipëri: Pse në gjysmën e dytë të Janarit pritet një rritje shifrash

317
0

Mjeku i Sanatoriumit Arian Mezini thotë se situata në spitale e krijuar nga pandemia është më e lehtësuar. Sipas mjekut në gjysmën e dytë të këtij muaji do të kemi një rritje të rasteve, për shkak të shkeljes së rregullave gjatë ditëve të festave, por do të jenë më të ulëta se ato që janë raportuar në muajt Nëntor dhe Dhjetor.

 

“Do të ketë një shtim të rasteve por jo në ato shifra që pamë në Nëntor apo fillim Dhjetori. Vërejmë dhe nëpër spitale shtrimet janë ulur ndjeshëm. Rastet që shtrohen nuk i kalojmë 5-7 maksimumi në një ditë të caktuar deri në 10. Kurse para një muaji shkonte deri në 40. Kjo më bën të mendoj se dy javëshi i fundit i Janarit do të shënojë një rritje por jo në ato shifra siç ishin në Nëntor”, u shpreh Mezini i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”

 

Duke iu referuar studimit të akademikut Genc Sulçebe dhe profesor Alban Ylli, ku thuhej se rreth 50 përqind e popullsisë në Tiranë e kanë kaluar koronavirusin, mjeku u shpreh optimist se dhe me nisjen e vaksinimit vera e ardhshme do të jetë më e qetë.

 

“I besoj studimit të profesor Genc Sulçebe dhe Alban Yllit sesa i saktë është, por shifrat aty sorollaten tek 40-50 përqind. Gjysma e njerëzve e kanë kaluar Covidin dhe ne kemi krijuar një përqindje të asaj që quhet imuniteti kolektiv. Nëse do të kemi dhe vaksinën besoj na duhen dhe 2 milionë doza të tjera, kam përshtypjen se do të kemi një verë shumë më të qetë”, theksoi ai.