Lajme

Dje ikën nga kjo botë dy gjashtëdhjetë vjeçarë… Sa padrejtësisht i trajton jeta publike ata…Nga Nga Artur Nura

By vizional

January 18, 2020

Dje u përcollën për në banesën e fundit dy persona pak a shumë me të njëjtën moshë gjashtëdhjetëvjeçare! Për të parin folën të gjithë se ai kishte imazh publik, ndërsa për të dytin askush nuk mendoi Apo tha një fjalë!

 

I pari la një vajzë dhe bashkëshorten po me imazh publik, ndërsa i dyti bashkëshorten dhe përveç një vajze me probleme shëndetësore edhe një djalë që është pa letra në Angli dhe sapo ka filluar punë pas shpenzimesh dhe borxhesh të “investuara” për të qënë në vendin që të ofron gjithçka që të mungon në shtëpi dhe Atdhe!

 

Fatkeqi që ishte person publik kish mbuluar pozicione kyçe shtetërore në institucionet kinematografike dhe kultorore të artit e sigurisht i mirëpaguar nga taksat e të gjithëve dhe, padyshim edhe të fatkeqit që kish mbijetuar si i vetë punësuar dhe “mbytur“ në kredi të cilat nuk të falin edhe kur vdes!

 

Për të parin, shteti i të gjithëve do mendojë si të mbështesë familjen e personit publik që të gjithë e njohin dhe si ai janë vetëm pak dhe kanë shumë influencë në opinion! Ndërsa, për të dytin do të mendojë banka si ti shlyejë familja kreditë, ndoshta duke i marrë shtëpinë dhe, si ky janë shumica absolute e shoqërise që përveç kësaj situate, këts e adhuronin të parin se tek imazhi i tij kishin gjetur edhe pak nga vetja kur ai kishte interpretuar role të ndryshme!

 

Por, Me sa duket i pari vetë e kish kuptuar këtë hipokrizi vdekatarësh dhe, kish lënë Amanet që të mos i bëhen homazhe zyrtare në të cilat politikanë e drejtues institucionesh shtetërore luajnë të keqardhurin dhe premtojnë gjëra që kurrë nuk i mbajnë, por ama në memorien kolektive mbeten dhe konvertohen edhe në vota!

 

Sigurisht një mjeshtër i aktrimit profesional ja njeh hiletë aktrimit politik e hipokrit dhe, nuk mund të pranonte veten pas vdekjes si personazh të skenarëve të tillë ordiner që më parë me siguri do i ketë përjetuar si spektator dhe do i jenë dhimshur ish kolegë të keqpërdorur për imazh politik dhe elektoral!

 

Këta dy fatkeqë në fakt, duket se funeralin këtë radhë, për shkak të amanetit të të parit, e patën të ngjashëm, me shumë njerëz dhe pa politikanë, por diferenca e padrejtë do vazhdojë paskëtaj…

 

“Aktorët” e teatrit politik nuk ta falin eleminimin e një shfaqje publike ku ata luajnë rolin e humanistit dhe do duan të marrin “hak” duke organizuar takime në nder të fatkeqit, person publik, ku do të ftojnë edhe familjarët e tij si figurantë, për të komunikuar kështu me mijëra të ngjashmit e fatkeqit, person jo publik, të cilët si taksa pagues të rregullt janë sponsorizuesit e vërtetë financiarë të këtyre shfaqjeve publike bajate e të dhimbshme!

 

Nëse familjarët e fatkeqit publik do pranojnë ose jo të jenë pjesë e këtyre shfaqjeve duke patur edhe ndonjë përfitim të caktuar, kjo gjë nuk dihet dhe i përket vetën atyre! Por, ajo që dihet është se familja e fatkeqit jo publik e që përfaqëson shumicën tonë, do përballet ashpër me jetën dramatike e askush nuk do flasë apo kujtohet për ta në jetën publike skenaristë të së cilës janë politikanët apo “spin doctors” e mirë paguar të tyre…

 

Shënim: Ky shkrim është një opinion Subjektiv dhe çdo ngjashmëri me persona reale është thjesht rastësore dhe do të pasohet me të tjerë shkrime të ngjashme!