Djali i Sokol Olldashit: Në gjurmët e babait, së shpejti në politikë

Djali i Sokol Olldashit: Në gjurmët e babait, së shpejti në politikë

424
0

Djali 19-vjeçar i Sokol Olldashit, Glauku, ka paralajmëruar hyrjen në politikë, në gjurmët e të atit. Ai aktualisht banon në Angli, ku studion Ekonomi Politike. Glauk Olldashi ka thënë në një intervistë për Shqiptarja.com se gjithmonë e ka pasur pasion politikën.

“Arsyeja pse kam vendosur të angazhohem politikisht është për shkak të situatës delikate në të cilën ndodhet Shqipëria sot”, është shprehur ai.

Glauk Olldashi thotë e ka pasur gjithmonë në plan të rikthehet në Shqipëri pas studimeve. “Kam pasur gjithmonë në plan që të kthehem në Shqipëri pas studimeve. Situata e tanishme politike në vend padyshim më ka shtyrë edhe më shumë që ta konkretizoj këtë vendim”, ka thënë për Shqiptarja.com.

Ai flet me një gjuhë diplomatike për Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, duke i vlerësuar për rolin e tyre në politikën shqiptare. “Ndonëse nuk e njoh personalisht Lulzim Bashën, e vlerësoj për punën që ka bërë si kryetar i frontit opozitar në vend. Zotin Berisha kam pasur kënaqësinë ta takoj në një moshë fare të vogël, por nuk mund të them që kam njohje personale. Respektoj kontributin e tij si themelues dhe lider historik të Partisë Demokratike, dhe ndikimin e tij në progresin e shtetit Shqiptar. Me familjen Meta kam njohje personale të hershme kryesisht prej miqësisë që kam me djalin e tyre. Respektoj zotin Meta dhe zonjën Kryemadhi për përvojën e tyre politike”, ka thënë Glauk Olldashi.

Nga ana tjetër, për gabimet e qeverisë Rama, thotë se nuk do të mjaftonin faqet e gazetës për t’i renditur. Ai shprehet gjithashtu i zhgënjyer nga Rudina Hajdari në thyerjen e unanimitetit të vendimit të Partisë Demokratike për djegien e mandateve. “Nuk kam kontakt me Rudina Hajdarin megjithatë kam qenë i zhgënjyer nga thyerja e unanimitetit nga disa figura në PD perfshire znj. Hajdari, në lidhje me aktin e djegies së mandatateve”, është shprehur djali i ish-deputetit demokrat.