Aktualitet

Ditar udhëtimi. Ku do të shkosh për pushime?Nga Anila Kadija

By vizional

August 01, 2019

Ditar udhëtimi .Ku do të shkosh për pushime? Pyetje klasike që të bëhet qysh në fillimet e stinës së verës. Bota është e madhe dhe këtu citoj një titull libri, të autores Susana Tamaro, shumë të preferuar për mua : “Va dove ti porta il cuore” ( Shko atje ku të dërgon zemra). Pra ajo më dërgoi në Shqipëri. Si një zog shtegëtar, me folenë ende të paprishur në cepin e tavanit të shkallës së pallatit të vjetër, ku u linda dhe u rrita, pallat i cili ekziston edhe tani pamvarēsisht që nuk banoj më aty prej 28 vjetësh, unë rikthehem gjithmonë në vendlindjen time. Por, që të mos zgjatem në sentimentalizëm diaspore dhe paçka që nuk na beson më njeri, këtë verë jugun e Shqipërisë e kam dëshiruar shumë. Ndaj kështu i përgjigjesha asaj pyetjeje: ” Do të shkoj në Jug”. Asnjëherë nuk kisha ardhur dhe me ndihmën e shoqes së fëmijërisë Entela Nikollori Jorgji , shoqe e asaj çerdhes me të cilën unë nisa ditarin tim, vendosa për në Himarë. Në fakt, ky vend i mungonte kujtimeve të mija personale turistike shqiptare dhe mezi prisnja ta vizitoja edhe se dilema Shekspiriane “Të jem apo të mos jem ” na ndjek neve njerëzve që vijmë nga larg gjithmonë ! Kjo jo për fajin tonë..

 

Qershori protestues sikur na alarmoi pak , do të na prishet rehati menduam, çdo gjë mund të presësh nga pastabiliteti i një vendi. Por ky alarmizmi,i cili ne shqiptarët nuk na ndikon shumë pasi u mësuam, të huajin e çorjentoi . Dhe kjo në Himarë ndihet shumë këtë vit na thanë sapo arritëm atje! Gazetat në ditët e para të Korrikut dhe në vazhdim flasin për çmime stratosferike. Kudo që shkon janë çmimet ti mund të zgjedhësh, pra alarmizëm i kot edhe ky. Kujdes,duke i thënë njeri- tjetrit me tim shoq, mos të bëjē vaki të themi që jetojmë në Londër se na rropën! Po ashtu kujdes portofolin apo ku ta di unë . Në rrugën e Llogarasë do hash dynjanë më përshpëriti një zë tjetër. Epo qameti u bëftë! Kemi shkuar në fund të botës dhe nuk ndodhi gjë po trëmbemi atje ku flitet shqip mendova unë po në shqip. Kështu edhe se ka plot autobusa që e bëjnë rrugën e detit , kështu quhet ky intenerar turistik , ne preferuam një taksi më shumë për tu përkujdesur për nënën time në moshë të thyer.

Kjo është edhe mënyra më e mirë që të mos e lëmë pleqërinë në shtëpi por të gëzojë me ne duke i krijuar kushtet. Unë gjithmonë kur mendoj një shpenzim e justifikoj me atë që e kemi mësuar edhe në shkollë dikur dhe e quanim ekonomi shtëpiake sot bota e quan reciklim apo cikël i mbyllur ekonomik. Pra paraja e qarkulluar brënda përbrënda . Këtë ne të emigracionit e kemi bërë prej 29 vjetësh. Të gjithë e kemi sjellur paranë në Shqipëri, për ndihmesë ekonomike familjeve , në ndërtim apo turizëm. Askush nuk duhet të guxojë të mendojë dhe jo më të pohojë të kundërtën! Vendosëm , me një pagesë prej 13000 lekë të reja, udhëtimin tonë nga Tirana në Himarë që në 3 të mëngjesit. Ajër i freskët dhe pa trafik dy komponentë kryesorë të një udhëtimi të sigurtë dhe pa stres trafiku. Shoferi, një njeri tepër serioz dhe i mirë, na bëri edhe ciceronin rrugës. Në zonën e Patosit ndjeva një erë të fortë nafte dhe mendimi i parë, që më erdhi, ishte për ndonjë rrjedhie karburanti nga makina! Sa gabohesha, pasuria nëntokësore po ” protestonte” prej një jetë në atë zonë ndaj dhe ndihej edhe era e saj. Pasuri pa fund kjo toka jone mendova por makina nuk më priti të arsyetoja më gjatë ajo ecte duke lënë pas Patosin dhe duke ju afruar zonës më në jug drejt Vlorës së bukur. Qytet me shëtitoren e re të palmave , pa njerëz që në orë 5 të mëngjesit , i ngjasonte një zonjë shtëpie të bukur e cila zgjohet e freskët për të pritur e përcjellur mysafirët e saj. Kohë pa kaluar në atë qytet i cili ishte bërë vërtetë shumë i bukur. Pamjet malore, pasi kaluam Orikumin , me madhështinë e Karaburunit mbi blunë e pikturuar të detit Jon, të lënë pa frymē ! Ndërkohë, që më kot u mundova ti fiksoja në foto pasi vetëm drita e diellit ua nxjerr në pah vlerën panoramike.

Ndaj, rrallë më ndodh, e braktisa fotografimin dhe fiksova çdo kontur imazhi me sy dhe jo me aparat. Fshati Dukat me karakteristikën e një qosheje enigmatike ishte aty i heshtur duke pritur të zgjohej . Rruga e Llogarasë e shtruar mirë edhe se në çdo kthesë unë mbërrtheja cepin e fustanit tim instiktivisht nga një valë stepje dhe frike të përzier në sentiment surprize. Ndaluam të pinim kafenë e mëngjesit i cili tashme kishte lindur mbi kornizën që na rrethonte. Po të jeni në ato anë ajo panoramë nga ku deti, kodra, rruga që gjarpëron duke krijuar spirale përreth maleve, ajri i pastër i pishave dhe ambjenti i lokalit të fton mirëseardhjen drejt Himarës.

Kam dëgjuar shumë mbi këtë provincë bregdetare, të jem e sinqertë mendoja se do të ishte një vënd i izoluar dhe i qetë, njerëz punëtorë himariotët. E shikon që në mëngjes ditën e bukur thot një fjalë e urtë dhe ne në mëngjes ishim aty me ta. Rruga kryesore edhe se e trafikuar shumë në çdo orë të ditës është e pastër. Njerēzit këtu kanë ngadalsinë e paqes që karakterizon temperamentin e tyre, të buzëqeshin, janë të gatshëm të të krijojnë rehatin e pushimit. Nuk pashë dhe nuk gjeta kamarierë ” të stresuar ” ashtu sikurse asnjë dyshim mos sigurie nuk më shoqëroi. Ne u akomoduam në një hotel familjar me një çmim shumë të arsyeshëm prej 50 euro dhoma treshe. Në qëndër të Himarës 5 min nga deti. Kjo pikë strategjike, pastërtia dhe kushtet e hotelit, po të kishte qënë diku tjetër nëpër botë, do tē kishte patur një çmim edhe më të lartë pasi e justifikon standarti që ka ai. Hotel Vironas, një vënd shumë i mirë per tu marre në konsideratë nëse jeni për pushime këndej.

Pa diskutuar ushqimin e gatuar aty, cilësi, freski, çmim, ekuilibër perfekt e shijeve tona tradicionale . Kudo që shkon buzë bregdetit të qëndrës së Himarës gjen shërbim fantastik dhe kjo është pak të thuash. Ke nga më të ndryshmet specialitete, që të shërbehen nga kamarierë të edukuar dhe buzëgaz, me profesionalitet guzhinjerësh kopetent për punën e tyre në guzhinë. Të duket, darkave sikur je në një vënd turistik me pesë yje edhe se agjencitë shqiptare janë më të interesuara të promovojnë pesë yjet e Turqisë apo Greqinë ,pa ju hequr asgje këtyre të fundit, unë promovoj Himarën! Vendi i mëngjesit me det smerald dhe i mbrëmjeve me perëndim të kuq. Vendasit nuk para i shikon shumë pasi ata punojnë të promovojnë me punën e tyre bukuritë dhe rehatin që ofron vendi i tyre pa humbur kohë.

Përreth nesh dëgjuam shumë gjuhë, të rinjë kurjozë apo familjarë, në plazhin publik i cili nuk ofronte shezllone ngjitur si në rradha vajguri por vënd të lirë për të gjithë. Kalaja e Ali Pashë Tepelenës magjepsi çdo turist që e vizitoi por edhe aty shteti pak kishte bërë. Roja,i cili ishte edhe ciceron, përkujdesej si ta kishte shtëpinë e tij për një KALA e cila duhej të ishte së pari shtëpia e shtetit. Më kishte marrë malli të shijoja kështu në vendin tim i cili paçka ” protestave ” që prishin turizmin dhe nuk ndreqin dilemat tona mundohet të bëjë diçka për të mbijetuar. Pas verës këtu vjen dimri. Sot kërkohet turizëm , promovim teritori dhe jo pallavra.

Me dashuri nga Himara.