Diskutim për përballjen me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin

Diskutim për përballjen me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin

291
0

“Si të përballemi me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin në media dhe platformat online? Kjo ishte tema e diskutimit të sotëm mes një grupi përfaqësuesish të mediave, akademikësh, dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias në kuadrin e një projekti rajonal të mbështetur nga Bashkimi Europian. Diskutimi u përqendrua te fenomeni i gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit online, roli i medias, legjislacionit, vetë-rregullimit, si dhe standardeve dhe praktikave ndërkombëtare në këtë fushë.

Pas një paraqitjeje të shkurtër të problematikave në lidhje me urrejtjen dhe dezinformimin online, folësi kryesor ishte Toby Mendel, ekspert i legjislacionit për median dhe drejtor i Qendrës për Ligj dhe Demokraci në Toronto, Kanada. Ai foli konkretisht për mënyrat se si gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi rregullohen online dhe për nismat e ndërmarra nga kompanitë e mëdha teknologjike si Google apo Facebook në këtë drejtim, sidomos për të shmangur dezinformimin gjatë pandemisë. Natyra eksperimentale e rregullimit, si dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike, e kanë bërë rregullimin ligjor më të nevojshëm, por edhe më të vështirë, duke pasur parasysh kujdesin që duhet treguar kur miratohen ligje që mund të ndikojnë në lirinë e shprehjes.

Gjatë takimit  u diskutua dhe roli që mund të kenë vetë mediat apo platformat si vetë-rregulluese të përmbajtjes, apo duke kombinuar legjislacionin me nisma të caktuara etike dhe profesionale. Duke pasur parasysh shpejtësinë e përhapjes së informacionit online si dhe volumin e madh, u sugjerua që mënyra më e mirë do të ishte një kombinim i masave ligjore me vetë-rregullimin e mediave apo platformave. Pjesëmarrësit u njohën dhe me praktikat më të mira që platforma apo kompani të ndryshme kanë ndërmarrë në këtë drejtim. Po kështu, u diskutua roli i edukimit të publikut për të njohur dezinformimin, problemi i anonimitetit online, shmangia e shkeljeve etike në media, apo dhe filtrimi i gjuhës së urrejtjes nga politika në media.