Dinamika e vrasjes në Laprakë: Sherri nisi në lokal për vajzat, autorët...

Dinamika e vrasjes në Laprakë: Sherri nisi në lokal për vajzat, autorët i ndoqën te makina

405
0

Vrasja në Laprakë dyshohet të ketë patur si shkak konfliktin për ngacmimin e vajzave që ndodheshin në tavolinë me 23-vjeçarin e plagosur Erjon Benga. Mësohet se Benga ka qenë në lokal me të dashurën e tij prej 10 ditësh, 17-vjeçaren Griselda Gjinkola e cila mbeti e vrarë nga të shtënat me armë. Me 23-vjeçarin ishin edhe dy persona të tjerë, ndërsa autorët, njëri prej të cilëve është identifikuar si një i ri me origjinë nga Puka, ndodheshin në një tjetër tavolinë të lokalit te kompleksi Gintash. Pas ngacmimeve ndaj vajzave, Benga është çuar dhe ka shoqëruar në makinën e tij Griseldën dhe dy personat e tjerë. Por në këtë moment janë çuar edhe autorët, të cilët me pistoleta i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë qëlluar në momentin që do të futeshin në makinë. 17-vjeçaren e ka zënë një plumb në kokë ndërsa Benga u plagos me dy plumba, në shpatull dhe qafë. Dyshohet se gjithsej janë qëlluar katër plumba. Pavarësisht plagëve, 23-vjeçari Benga e ka marrë 17-vjeçaren dhe e ka çuar në spitalin e Traumës, që ndodhet pak kilometra larg vendit të ngjarjes. Me të mbërritur në spital ajo ka ndërruar jetë. Sakaq, policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe është vënë në ndjekje të tij.