Kronike

DETAJE/ U ekzekutua me breshëri kallashnikovi, kush është viktima, si i ka shpëtuar një tjetër atentati

By vizionc

October 01, 2019

 

Besmir Hida, 35 vjeç u qëllua për vdekje me breshëri kallashnikovi nga një person i maskuar teksa ishte duke pirë kafe në katin e dytë të një lokali në lagjen “Skënder Libohova”.

Hida ishte pronar i një pike grumbullimi mjetesh të përdorura në Lushnje.

Mirëpo, emri i tij nuk është i panjohur për policinë. Më herët ai i ka shpëtuar një tjetër atentati me eksploziv.

Besmir Hida e kishte parkuar automjetin e tij përballë banesës, ndërkohë që shpërthimi i fuqishëm kishte ndodhur kur pjesëtarët e familjes së tij kanë qenë në gjumë.Në atë kohë ai deklaroi në polici se nuk kishte probleme me asnjë.

Ndërkohë, Hida njihet po ashtu si daja i Zamir Latifit, i cili u ekzekutua rreth dy vite më parë në qendër të Lushnjes.

Zamit Latifi dhe Jurgen Hoxha u ekzekutuan në qendër të Lushnjes në 11 tetor të vitit të vitit 2017, ndërsa autorët ishin Laert Haxhia dhe Orges Bilbili.

Objektiv i këtij atentati ishte Xhulio Shkurti, që në atë moment nuk ndodhej në vendin e ngjarjes, i njohur ndryshe dhe si nipi i Aldo Bares

DETAJE NGA POLICIA

Sot rreth orës 08:15, në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit B.H, 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje-dalje të qytetit , në aksin rrugor Lushnjë Tiranë, Lushnjë Fier dhe Lushnjë Berat.

Për zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë.

Një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur për t’i ardhur në ndihmë grupit hetimor me qëllim zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes.