Lajme

Deputeti Fate Velaj dëgjesë publike në Kaninë

By vizional

July 10, 2017

Në kuadër të turit të falenderimit dhe dëgjesave publike me qytetarët, deputeti Fate Velaj zhvilloi një takim publik në Kaninë të Komunës Qendër. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Velaj tha se turi synon të provojë pikërisht faktin se ato çka janë thënë gjatë fushatës vlejnë edhe më pas.  “Pra, ato shqetësimet që ju nxorët e që ne i mbajtëm shënim do të përgatiten në një broshurë të madhe dhe do ti dorëzohen Edi Ramës. Në programin qeverisës 2017-2021, të jenë të përgatitura nga grupe pune. Kanina do të ketë një rrugë vërtet panoramike siç mund të jetë në Itali apo Austri. Në Shtator do të fillojë dhe projekti për ujin. Ministria e Kulturës do të fillojë me planin e sheshit të fshatit”, u shpreh Velaj.  Kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës Anduel Tahiraj kërkoi angazhimin dhe bashkëpunimin maksimal për përmbushjen e premtimeve.  “Sot jemi në kuadër të dëgjesave publike dhe falenderimit që deputeti bën për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe votuar. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë, të bëjmë të gjitha ato që kemi patur premtime për problemet që ka Kanina e Komuna Qendër. Të mirëorganizuar dhe sëbashku duhet tu japim zgjidhje atyre”, theksoi Tahiraj.  Gjatë fjalës së tyre, qytetarët ngritën shqetësimin dhe kërkuan që të ndërhyhet sa më shpejt në rrugën e fshatit, ujin e pijshëm dhe qendrën e Kaninës. Një tjetër problem për të cilin u kërkua ndërhyrje e shpejtë është çështja e çertifikatave të pronësisë.