Denaj zejtarëve: Aplikoni dhe përfitoni nga programet e nxitjes së punësimit

Denaj zejtarëve: Aplikoni dhe përfitoni nga programet e nxitjes së punësimit

350
0

Nisma “Gjej një mjeshtër”, AKPA nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën  Kombëtare të Zejtarisë

 

Bashkëpunimi më biznesin sidomos nëpërmjet programeve të punësimit është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare, për të rritur numrin e të punësuarve, si dhe për të plotësuar nevojat e tregut. Kjo edhe si një nismë për zbutjen e efekteve negative të pandemisë në sektorin e punësimit duke mundësuar rikthimin e atyre që humbën vendet e punës.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) tashmë i ka orientuar programet e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional drejt kërkesave të sipërmarrjes.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Zhvillimi i tregut të punës dhe përshtatja e kurseve të formimit profesional me kërkesat e tregut të punës, sipas standardeve të BE, mbetet në fokus të punës së përditshme të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, tha Denaj, duke shtuar, se rritja e investimeve në shkollat dhe kurset profesionale do të bëjë të mundur modernizimin dhe promovimin e mëtejshëm i zejtarisë në të gjitha zonat e Shqipërisë, ato urbane dhe ato rurale , për t’i dhënë një hov të ri këtij sektori.

Prej muajit Shtator 2020, Qeveria Shqiptare po zbaton programet e reja të punësimit, përmes të cilave kemi synuar jo vetëm rikthimin në punë të personave të larguar gjatë pandemisë, por mbi të gjitha punësimit e të rinjve, shtresave në nevojë dhe aftësimin përmes punës, tha Denaj, duke i paraqitur si një mundësi të mirë, për çdo zejtar në vend, i cili është në kërkim të ndihmësve në zanatin e tyre. Kjo është një mundësi për të shpërndarë dijet dhe për të kaluar një zanat në brezat e rinj.

Ministrja i njohu sipërmarrësit, përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Zejeve, se buxheti i planifikuar për Programin e Arsimit të Mesëm Profesional, për vitin 2021, është 3.3 miliardë lekë, ose 9.5% më shumë se ky vit, çka tregon rëndësinë që po i jepet këtij sektori.

Sipas Ministres Denaj, këto fonde do të bëjnë të mundur rekrutimin dhe trajnimin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, që ndjekin shkollat e mesme profesionale, si dhe hartimin e standardeve të profesioneve dhe kualifikimeve, krijimin e kurrikulave për të përmirësuar cilësinë e tyre dhe gjetjen e atyre cilësive profesionale që i vlejnë tregut të punës, zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë.

Aktualisht Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Dhoma Kombëtare e Zejeve kanë nisur bashkëpunimin më pasurimin e listës së profesioneve zejtare në të gjithë vendin.

Faleminderit!