Denaj: Mbi 14 mijë familje të prekura nga tërmeti morën bonus qiraje

Denaj: Mbi 14 mijë familje të prekura nga tërmeti morën bonus qiraje

384
0

Qeveria shqiptare iu është gjendur në mënyrë të menjëhershme të gjitha familjeve të cilat u prekën nga dëmtimet e tërmetit të 26 Nëntorit të 2019.

Krahas akomodimit të menjëhershëm në strukturat hoteliere, qeveria akordoi  bonus qiraje për mbi 14 mijë familje dhe mbi 50 mijë persona.

 

Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  prezantoi  Aktin Normativ nr 37, datë 24.12.2020 “Për një ndryshim  në aktin normative nr 8, datë 7.12.2019 të Këshillit të Ministrave “ Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës  për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”.

 

Sipas ministres, familjet e mbështetura janë  32% në qytetin e Durrësit, 20% në Tiranë, 15% në Krujë dhe të tjerat në 8 bashki të qarqeve të ndodhura në zonën ku goditja e tërmetit ishte më e fort.

 

“Në këtë akt normativ, ne proceduralisht kërkojmë që lehtësinë që bëmë vitin e kaluar në momentin që bonusi i qirave iu akordua të gjitha familjeve të ndiqte dhe një lehtësi proceduriale në administrimin e dokumentacionit”, tha Denaj.

 

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  në Kuvend

 

Akt Normativ që kemi përpara për diskutim prek 14 mijë familje dhe mbi 50 mijë persona, të cilët natën e vështirë të  26 Nëntorit të vitit 2019 përjetuan jo vetëm një dhimbje por edhe njëkohësisht edhe një situatë të paprecedentë duke mbetur të pastrehë si rezultat i kësaj fatkeqësie natyrore.

 

Ky nuk është një Akt i veçantë apo një procedure administrative, por është pjesë e Strategjisë së Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Rama, e cila që në momentin e parë reagoi në mënyrë të menjëhershme duke siguruar të gjitha aktet juridike të nevojshme dhe mundësitë e financimit për të ardhur në ndihmë.

 

Së pari, duke siguruar sistemimin e përkohshëm të familjeve në strukturat hoteliere dhe së dyti akordimin e bonusit të qirasë për vitin 2020 në një shumë totale prej gati 3 miliardë lekë.

 

Një fond i cili sigurisht në vitin 2021 parashikohet më i reduktuar pasi shumë nga punimet e nisura në kantieret e ndërtimit si funksion i procesit të rindërtimit do të akomodojë një pjesë të këtyre kërkesave dhe fondi për vitin 2021 parashikohet në vlerë më të ulet me gati 1.5 miliardë lekë.

 

Janë mbështetur rreth 14 mijë familje nga të cilat, 32% në qytetin e Durrësit, 20% në Tiranë, 15% në Krujë dhe të tjerat në 8 bashki të qarqeve të ndodhura në zonën ku goditja e tërmetit ishte më e fort.

 

Në këtë akt normativ, Ne proceduralisht kërkojmë që lehtësinë që bëmë vitin e kaluar në momentin që bonusi i qirave iu akordua të gjitha familjeve të ndiqte dhe një lehtësi proceduriale në administrimin e dokumentacionit.

 

Sigurisht kjo situatë nuk mund të vijojë të mos jetë e pa mbështetur edhe këtë vit me të njëjtën lehtësi proceduriale përtej fondeve dhe ky akt normativ  nënkupton që edhe për vitin 2021 të bëhet një shtyrje e të gjithë lehtësive proceduriale për lidhjen e fondit të qirasë individuale të secilës banesë, për çdo individ që është duke u akomoduar në këtë format.

 

Në këtë mënyrë ne nuk kërkojmë dokumentacion shtesë, nuk kërkojmë dokumente për t’u depozituar në administratat publike. E bëjmë më të thjeshtë jetën për qytetarët, të cilët kanë goditjen emocionale dhe situatën e vështirë që po kalojnë.

 

Është një shprehje e solidaritetit për të gjithë ata që në këtë moment shpresojnë të jenë duke projektuar kthimin në banesat e tyre, kthimin në jetën normale.

 

Kështu besoj se bashkojmë të gjitha pjesëzat si në vizion, strategji, rindërtim, por edhe procedura.

 

Faleminderit