Del në veting gjyqtari i karrierës, Admir Thanza, ja pasuria e tij

Del në veting gjyqtari i karrierës, Admir Thanza, ja pasuria e tij

435
0

Ka nisur rreth orës 09:30 seanca dëgjimore në KPK për anëtarin e Gjykatës së Lartë, gjyqtarin Admir Thanza. Trupa gjykuese përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici. Vetë Thanza është i pranishem ne seance bashke me avokatin Theodhori Sollaku.

 

Karriera

 

Thanza mori këtë detyrë pas përfundimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, në prill të vitit 2013. Ai është lindur në Shkodër dhe është diplomuar në vitin 1992 me titullin Jurist, pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë.  Me një përvojë të gjatë si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, prej vitit 1992 – 2006, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës 2006-2009 dhe Gjykatës Kushtetuese 2009-2013, Thanza ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë prej vitit 2004 deri në vitin 2009, vit në të cilin u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

 

Krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, ai ka qenë pedagog i jashtëm pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, dega drejtësi, në Shkodër dhe në Universitetin jopublik Europian të Tiranës, në të Drejtën Civile, por dhe në Universitetin “Justiniani I”, në të Drejtën Kushtetuese.

 

Pasuria

 

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Admir Thanza zotëronte një pasuri familjare me vlerë rreth 13.4 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë pasurinë.

 

Në fund të vitit 2017, vlera e pasurisë së deklaruar nga Thanza është rritur me tre herë, duke kapur vlerën e 50.5 milionë lekëve.

 

Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore me një vlerë të llogaritur në 27.5 milionë lekë, ndërkohë që llogaritë bankare të familjes Thanza kapin vlerën e 14.8 milionë lekëve.

 

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zotëron gjithashtu 3.9 milionë lekë kursime në cash dhe automjete në vlerën e 2.3 milionë lekëve.

 

Të ardhurat familjare të gjyqtarit Thanza kapin vlerën e 81.3 milionë lekëve për periudhën deklaruese, ku pjesën kryesore të tyre e zënë fitimet si notere të bashkëshortes së tij.

 

Paga dhe shpërblimet nga funksioni të zotit Thanza zënë 28.5 për qind të të ardhurave totale të familjes, ndërkohë që 12 për qind e tyre ka si burim shitjen e pasurive të paluajtshme.

 

 

 

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit.

 

BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit të Z.Thanza, të cilat rezultojnë pa probleme sa i përket raportit mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

 

Analiza ka identifikuar megjithatë disa “flamuj të kuq” në deklarimet periodike të gjyqtarit Thanza, njëra prej të cilave lidhet me detyrimet që ai u ka shoqërive të ndërtimit.

 

Këto detyrime kapin vlerën e 2.6 milionë lekëve, ndërkohë që familja e gjyqtarit rezulton se ka akumuluar kursime në cash në vlerën e 3.9 milionë lekëve deri në fund të vitit 2017.

 

Gjithashtu, në deklaratën e vitit 2008 gjyqtari Thanza deklaron një pagesë shtesë ndaj një shoqërie ndërtuese për një apartament me sipërfaqe 69.9 m2, ndonëse apartamenti në fjalë nuk rezulton i deklaruar në vitet e mëparshme.

 

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar nga BIRN lidhet me deklarimin e të ardhurave nga aktiviteti i bashkëshortes si notere.

 

Në vitet 2008-2013, gjyqtari Thanza ka deklaruar xhiron vjetore dhe disa shpenzime të pjesshme nga ky aktivitet, ndërkohë që duhej deklaruar fitimi neto.