Aktualitet

Deklaroi se u kërcënua në zyrën e saj në Kryesinë e Kuvendit, merret në mbrojtje Rudina Hajdari

By vizional

October 31, 2019

Tre ditë pasi deklaroi se ishte kërcënuar, deputetja Rudina Hajdari merret në mbrojtje.  Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se deputetes Rudina Hajdari i është vendosur një truprojë nga Garda e Republikës.

 

Në Kryesinë e Kuvendit deputetja Hajdari lëviz e shoqëruar nga truproja. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi se ajo është parë sot në Kuvend e shoqëruar ngado nga një truprojë. Hajdari deklaroi në seancën e së hënës se është kërcënuar në zyrën e saj në kryesinë e Kuvendit. Hajdari kërkoi nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së saj për të marr masa sa i takon sigurisë së ambjenteve si në Kuvend ashtu edhe në kryesi.

 

“Para pak ditësh ju kam dërguar një shkresë në lidhje me një kërkesë që ju kërkon të siguroni ambjentet e Kuvendit dhe të Kryesisë së Kuvendit. Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet. Më kanë ardhur në zyrë e më kanë kërcënuar. Nuk mundet të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Merrni masa para se të kemi ndonjë viktimë në parlament. Asnjë deputet mos të hyjë pa u kontrolluar, asnjë deputet të mos përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë”, deklaroi Hajdari.

 

Në të njëjtën seancë, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se e ka marrë shkresën e Hajdarit dhe i ka kërkuar punonjësve të shërbimit të bëjnë detyrën sipas ligjeve. Nga ana tjetër ai deklaroi se i ka përcjellë çështjen edhe Ministrisë së Brendshme.