DOSSIER

“Dëgjova për të për herë të parë në burg” Visar Zhiti kujton Nënë Terezën: Një pasdite në Spaç . . .

By vizional

September 05, 2019

Në 5 shtator Nënë Tereza u shpall e shenjtë 3 vjet më parë. Dhe është 30-vjetori i ardhjes së parë të Saj në Shqipëri dhe 40-vjetori i marrjes së çmimit Nobel për Paqen i Saj.

Të kujtosh Shenjten Nënë Tereza i ngjan një misioni. Kujtimi më e mirë për atë, është të vepruarit sipas porosive të saj. Nënë Tereza thoshte se ajo që bëjmë ne, është një pikë uji në oqean, por oqeani prej pikash të tilla bëhet. Rëndësi ka – thoshte ajo – që edhe gjërat e vogla t’i bësh me dashuri të madhe. Madje dhe “të duash me dashuri”, porosiste mrekullisht.

 

 

 

Dhe të flasësh për atë mbimadhësi oqeanike të shpirtit të saj dhe të bëmave të saj, e di që është vetëm një pikë uji. Papa Françesku ngulmon që të mos përqendrohet puna dhe përkushtimi vetëm te metropolet, por te rrethinat së pari, te jeta në rrethinë, te kisha në rrethinë, te njeriu në rrethinë. Tashmë është dhe metropoli hyjnor me emrin “Nënë Tereza”, por dhe ajo e nisi nga rrethina dhe shkoi më larg dhe më përtej, te mjerimi. Dhe pastaj nga plagët te yjet. Prandaj mund të flasësh dhe nga rrethina… teksa kupton nga kumtet e saj që se sa më shumë liri të fitosh, aq më shumë duhet të mbushesh me “Nënë Terezë”, sa më i fortë të bëhesh, aq më shumë të mbushesh me dobësinë e Saj, – forca ime është dobësia ime, – thoshte Ajo, dhe kur dobësohesh, te ajo të gjesh forcë, sa më shumë të të pengojnë e nëpërkëmbnin, gjë që sot është kthyer në përditshmëri, aq më shumë të përftosh mëshirë “Nënë Tereze”, faljen e Saj.

 

NGA BURGU…

Unë jam një nga ata që e dëgjova për herë të parë emrin e saj në burg.

Kujtoj një pasdite në Spaç, ishim kthyer nga puna prej skllavi në minierë, mes nesh kishte riardhur një i burgosur tjetër, ishte ridënuar, Gjonzeneli nga Vlora.

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë? – e pyetën nja dy të burgosur të vjetër, që e njihnin që më parë dhe kishin besim.

Dëgjova para se të më arrestonin në televizorin Italian fshehurazi se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare.

-Vërtet?

Po, e dëgjova vetë. – dhe na i thoshte dhe italisht lajmin.

Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim. Si ka mundësi? Mos duan të sfidojnë regjimin kështu me trillet qiellore të të burgosurve?

Jashtë telave me gjemba ishte viti 1980, brenda telave me gjemba dukej sikur nuk hynte koha, por antikoha e ngrirë.

Po në burg kishte dhe priftërinj si të zbritur nga Golgota. Ja, miku im Zef Simoni atje tej. Ta pyesim:

A është e vërtetë Nënë Tereza?

 

Ç’pyetje drithëruese, o Zot!

 

NË KOSOVË…

Ndërsa në Kosovën e paraluftës, kur bënte pjesë në Federatën Jugosllave, ajo ishte e njohur, kishte vajtur shumë herë atje, në vendlindje në Shkup, ishin botuar mjaft libra për të, Don Lush Gjergji, meshtari i përulur, bashkatdhetar, nxënës dhe mik i saj, nxirrte gati nga një në vit, duke u bërë dhe biografi më i mirë i Shenjtes. Me rastin e datëlindjes së Shenjtes dhe të 40-vjetorit të marrjes së çmimit Nobel, doli së fundmi dhe një libër tjetër me intervista. Të tjera pyetje bëheshin atje. Njëra nga më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që përmbledh brenda hapësira ndjesish, që meshtari i Kosovës i bëri Asaj është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo… Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime…

Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan, – u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…

Unë shtoj këtu se Tirana politike vazhdon të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta sidomos atij të klerit katolik, burgosje, internime, deri edhe pushkatime, shembja e tempujve të fesë, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipëria kështu si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë.

Babain e Nënë Terezës e kishin helmuar si veprimtar shqiptar, teksa kthehej nga një mbledhje në Beograd, ai ishte nga Prizreni, tregtar që merrej dhe me kulturë, ishte pjesëtar në bandën muzikore të qytetit, themelues i teatrit në Shkup, etj., kurse nëna ishte nga Gjakova. Nënë Tereza 18 vjeçe iku nga shtëpia dhe u bë murgeshë, shkoi t’u shërbejë më të varfërve të të varfërve nëpër botë dhe u bë kështu “gruaja më e njohur e planetit”. Veç me dashurinë e saj…

Bota po mrekullohej me Nënë Terezën. E ftonin, e mbështesnin, i jepnin dekorata, shpërblime, që i pranonte nëse ato do t’u shërbenin “fukarave të saj”, siç e thoshte ajo vetë.

 

Dhe Çmimin më lartë Nobelin për Paqe prandaj e pranoi.

 

NGA CEREMONIA E NOBELIT…

Një ngjarje domethënëse një ditë para ceremonisë së madhe në Oslo, në Norvegji. Teksa nëpër rrugë endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, mbreti të Norvegjisë, Ollavi V do t’i thoshte Asaj:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.

– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te vlera dhe barazia, që Zoti i ka dhënë gjithsecilit, vetvetja është e mjaftë dhe duke patur Zotin brenda vetes, secili nga ne është qendra dhe “uni” më i mirë, – dhe sipas Nënë Terezës, – është tjetri.

Si përherë në raste të tilla siperane, ishin gazetarët që do e rrethonin Nënë Terezën, që do ta pyesnin dhe fjala e Saj do të përhapej në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Dhe aty, si i dërguar nga Zoti, ishte dhe ai, i panjohuri, meshtari i përulur shqiptar, që e dinte më mirë se kushdo se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj dhe të popullit të saj, që siç duket iu përshkëndijua që në atë ditë se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen më të thjeshtë që mund të bëhet, po aq dhe të çuditshme për atëhere dhe sa e vlefshme për më pas:

 

Kush jeni ju?

 

Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereza: “Origjina ime është shqiptare… Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.

Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të saj. Meshtari i përunjur shqiptar i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkruajti me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpak, por rreptësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve.

 

“M. Teresa Bojaxhiu”

E mrekullueshme! E noterizuar për përherë. Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të mëvonshme për përkatësinë, paradigmave të rrëmbimeve ballkanike, etj. Natyrisht fakte të tilla më shumë se sa Shenjtes, do të na duheshin ne, se atdheu i Nënë Terezës janë plagët e njeriut dhe ajo vetë është universale, është quajtur Ungjill i gjallë, Pena e Zotit, Investitore e mëshirës, e dashurisë dhe e buzëqeshjes dhe s’i kishte parësore shqetësime të tilla tonat bjerrakohëse, por ne, mes këtij universi të shqetësuar, ku shpesh të vegjlit, duke nënkuptuar dhe popuj, harrohen, nëpërkëmben apo humbin, mund t’i themi kujtdo, duke përftuar edhe më njohje ekzistenciale, dinjitet, se jemi një popull që dhuron shenjtër.

 

ARDHJA NË ATDHE

Dhe Shenjtja mundi të vijë në atdheun e saj 10 vjet pas marrjes së çmimit Nobel, në 1989, pra 30 vjet më parë, në gusht, kur në tetor do të shembej Muri i Berlinit, që kishte ndarë vendet dhe njerëzit, pak më parë se të binte perandoria komuniste. Sundimtarët e Tiranës, ata që nuk e kishin lejuar të shkelte tokën e saj, të takonte nënën dhe motrën, që ia vdiqën me pengun më të madh, tani i dhanë leje të shkonte dhe të vinte lule në varret e tyre.

Por dhe te varri i diktatorit. E kishin ftuar vejusha e diktatori dhe pasuesi i tij. Ç’ishte kjo, frika e Tiranës politike nga mëkatet dhe krimet e veta, që ndërkaq po përgatitej e detyruar të ndërronte sistem?

Nënë Tereza me sundimtarët e Tiranës, dëshmohet që nuk ka folur shqip. Mendoj nga që, jo pse nuk po e përdorte më shqipen e saj të familjes nëpër punët në botë, por duhet të ketë qenë dhe si një lloj qortim i heshtur për ata që vranë shqipen e hershme liturgjike, ndërkaq Nënë Tereza mund të fliste me ta dhe me ndonjë nga gjuhët sllave, që dinte dhe që mund t’u shkonte më për shtat sundimtarëve në Tiranë, por përdori gjuhën e saj të misionit, anglishten, të kulturës Perëndimore.

Së fundmi kam lexuar në gazetën e madhe katolike italiane “Avvenire” një dëshmi të shkrimtarit shkodran, mik dhe imi, Marçel Hila, që thotë atë që pak veta e dinë, se varri i Enver Hoxhës dridhej në atë kohë sikur të kishte djallin brenda dhe ushtarët e shërbimit tmerroheshin e ndërronin menjëherë.

Që Shqipëria e tërë dridhej nga djalli Enver Hoxha e dinë të gjithë. Nënë Tereza u thirr kështu dhe si ekzorciste. Dora e Saj mbi mermerin mortor është e sigurt që i qetësoi drithmat e Shqipërisë që po i kthente fytyrën e vet të rreshkur Zotit.

Një mrekulli kjo, dhuratë qiellore dhe prej lutjeve të Nënë Terezës dhe kthimit të saj.