Lajme

Debutim historik në Ligën e Kampioneve, Partizani i volejbollit të femrave fiton ndeshjen e parë

By vizional

October 10, 2019

Skuadra e Partizanit në volejboll për femra ka debutuar sot me një fitore bindëse në Ligën e Kampioneve duke hedhur një hap drejt kualifikimit të mëtejshëm në turne. Kampionia në fuqi e Shqipërisë, u bë skuadra e parë e femrave që merr pjesë në CEV Champions League, dhe ia doli që të triumfonte përballë boshnjakeve të ZOK Bimal-Jedinstvo BRÇKO me rezultatin 3-1.

Ekipi i drejtuar nga turku Nejat Sançak, humbi setin e parë me shifrat 25-15, por arriti më pas të kthente plotësisht fatin e ndeshjes duke fituar setet me radhë: 25-22 të dytin, 25-20 të tretin dhe 25-20 edhe të katërtin që i dha fitoren e rëndësishme 3-1 duke hedhur një hap drejt kualifikimit të mëtejshëm të cilin duhet ta sigurojë më 16 tetor në ndeshjen e kthimit në fushën kundërshtare.

Për të përgatitur sa më mirë pjesëmarrjen e parë ndërkombëtare për një klub shqiptar për këtë turne, Partizani është përforcuar me lojtare të huaja, pasi ka firmosur me Romana Hudeçova (Sllovaki), Jeliz Basha (Turqi), Kajli Mans (SHBA) dhe Benita Mukandajisenga (Ruanda). Duke i shtuar atyre emra si Gjermeni, Tuci, Picaku, Blloku apo Fagu, Partizani shpreson që të arrijë të kalojë këtë tur dhe të bëjë një paraqitje dinjitoze në fazën në grupe të turneut prestigjioz europian, përtej konfirmimit si superfuqi në volejbollin e femrave në Shqipëri