Aktualitet

Debati për anëtarët e Kushtetueses, Manja: Presidenti duhet të çlirohet nga mentaliteti i konfliktit politik

By vizionc

November 11, 2019

 

Kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja reagoi në fjalën e tij në parlament, lidhur me votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si edhe për ‘konfliktin’ me Presidentin e Republikës për këtë cështje. Manja tha se pavarësisht se Presidenti e paraqet si debat kushtetues, në thelb për të është një konflikt i pastër politik.

“Sot është momenti të dëshmojmë seriozitetin e vullnetin politik për ta bërë funksionale kushtetuesen. Duhet të bëjmë detyrën tonë, kandidatët që na ofrohen për votim janë dy zonja që i bëjnë nder gjykatës Kushtetuese.

 

Kemi një debat me Presidentin e Republikës, në këtë fazë të plotësimit të vakancave për në Gjykatën Kushtetuese. Po e kemi! Si përherë na paraqetitet si debat kushtetues dhe ligjor, po në thelb është konfliktik i pastër politik, dhe institucional që kur Presidenti e lexon kushtetutën politikisht kur në fakt do të duhet të ishte garant i saj. Kur flitet për gjykatën Kushtetuese, Presidenti duhet të ishte personi i parë i interesuar që ajo të jetë një orë e me parë funksionale, sepse është aleatja e tij kryesore, në garantimin e zbatimit të kushtetutës, si gur i themelit të Republikës tonë parlamentare, në të cilën ai është betuar.

Në rastin e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti duhet të çlirohet nga mentaliteti i konfliktit politik dhe të punojë ngushtësisht me Kuvendin dhe KED, për të plotësuar sa më parë edhe 2 vakancat e tjera në Gjykatën Kushtetuese” – u shpreh Manja.

Çfarë thotë kushtetuta në lidhje me përbërjen në Gjykatën Kushtetuese dhe si plotësohen vendet në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët zgjidhen me një mandat 9 vjecar pa të drejtë riemërimi. 1/3 e anëtarëve, që do të thotë 3 anëtarë të Kushtetueses, iu ripërtërihet mandati cdo tre vjet. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para nga KED. Kush janë organet e përfshira në kompozimin e Gjykatës Kushtetuese. Tre anëtarë i emëron Presidenti, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë. Çfarë ndodh në rast se Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Republikës dhe Gjykata e Lartë nuk e ushtrojnë këtë kompetencë sipas ligjit. Kushtetuta flet shumë qartë, në rast se Kuvendi, brenda 30 ditëve nga momenti që ka marrë listat nga KED nuk e ushtron kompetencën kushtetuese për të zgjedhur njërin nga 3 kandidatët që janë në listë, kandidati i renditur i pari në listën e KED, automatikisht konsiderohet i zgjedhur.

Të njëjtin përcaktim ligji organik për gjykatën kushtetuese e ka bërë edhe për Presidentin e Republikës dhe për Gjykatën e Lartë. Presidenti i ka marrë listat nga KED, në mos gaboj në 8 tetor 2019, ka marr dy lista në njërin ka 3 kandidatë për vakancën e datës 7/02/2018 dhe në listën e dytë, ka marr një listë me 4 kandidatë. Sipas ligjit deri më datën 7 nëntor në orën 12:00 të natës, Presidenti i Republikës do duhet të ushtrojë të drejtën kushtetuese për të dekretuar emërimin e dy anëtarëve Gjykatës Kushtetuese. E ka bërë për vakancën e datës 7/02/2018 ka dekretuar z. Besnik Muci, ndërsa për anëtarin e dytë, cuditërisht më 5 nëntor i dërgon letër Kuvendit dhe KED ku thotë se unë po vetëngri, po ngri dhe Kushtetutën dhe do ta bëj dekretimin pasi Kuvendi të bëjë plotësimin e vakancës së dytë që i takon Kuvendit. Radhën e ka përcaktuar Kushtetuta për të shmangur konfliktin institucional.

Doja t’i bëja një pyetje presidentit: E supozojmë se do të zbatojmë radhën. Të parin e ka dekretuar presidenti, të dytin po e votojmë ne sot, radha nuk i shkon presidentit për të tretin, e ka gjykata e Lartë por që nuk e voton dot. Atëherë ccfarë do bëjmë sipas presidentit do bllokojmë Gjykatën Kushtetuese dhe për një vit? Arsyetimi i presidentit nuk është dashamir por dashakeq. Është momenti që këto dy zonja që do t’i votojmë pak më vonë t’i mbështesim.”- vijoi më tej Manja.