De Biasi “skanon” Shqipërinë e Edy Reja: Ku i dihet, mbase kthehem...

De Biasi “skanon” Shqipërinë e Edy Reja: Ku i dihet, mbase kthehem një ditë në stolin kuqezi…

399
0

Për shkak të situatës së trazuar në tokën azere, UEFA ka vendosur që kombëtarja e këtij vendi ta luajë kualifikuesen e radhës në “Elbasan Arena”. Pikërisht aty do të kthehet si mysafir (kuqezi) dhe mikpritës Gianni de Biasi. Tashmë në stolin e Azerbajxhanit, trajneri italian mbetet nostalgjik për vitet që kaloi me kuqezinjtë. Në fakt, me kombëtaren shqiptare shkroi historinë, u kualifikua në finalet e “Euro 2016”. Në një intervistë speciale për “Supersport”, ai e la hapur rrugën për një rikthim të mundshëm në stolin e Shqipërisë.

 

Mister, e patë ndeshjen e Shqipërisë dhe nëse po, çfarë përshtypje ju la?

 

Shqipëria ka një skuadër të mirë, eksperte në mbrojtje dhe me lojtarë të mirë në mesfushë dhe sulm. Me pak fat, mund të merrte fitoren.

 

Duket sikur dalëngadalë ka nisur një rinovim, shumë lojtarë jashtë, si Balaj, Cikalleshi. Si mendoni?

 

Është një skuadër shumë e re, me të ardhme, ka mundësi të bëjë mirë dhe të rritet. Ka lojtarë që po rriten e po marrin përvojë jashtë. Kumbulla luan më Romën, Gjimshiti me Atalantën në Champions, Është përvojë shumë e rëndësishme. Strakosha dhe Berisha janë portierë me eksperiencë.

 

Diskutohet shume skema me 3 mbrojtës, madje kritikohet trajneri Reja…

 

Besoj se Reja ka moshë dhe përvojë për zgjidhjen më të mirë. Nuk mendoj se ka shumë rëndësi një sistem loje, mjafton të dish të aktivizosh lojtarët dhe të arrish që ata të shkruajnë një pjesë të historisë në Kombëtare.

 

I shfrytëzonit shumë më mirë goditjet standarde kur ishit te Shqipëria…

 

Kemi pasur lojtarë të tjerë. Skuadra të ndryshme kanë mënyra të ndryshme për interpretimin e ndeshjes. E rëndësishme është të marrin rezultatin dhe më pas të shohim si do të jetë e ardhmja.

 

Çfarë potenciali sheh te Shqipëria?

 

Mendoj që është skuadër e bukur e që mund të japë kënaqësi. Duhet të jetë më konkrete dhe të marrë rezultate. Reja do të punojë nga kjo pikëpamje. Janë të rëndësishme edhe ndeshjet e ardhshme për të parë përpara.

 

Pikat më të forta dhe më të dobëta nëse do ta kishe kundërshtare Shqipërinë?

 

Në mbrojtje është shumë e mirë. Gjimshiti dhe Kumbulla janë shumë cilësorë. Nga krahët ka lojtarë që shtyjnë, nuk është lehtë. Para, nëse Manaj është mire, edhe ndonjë lojtar i kohës sime, do të ishte në nivel të lartë.

 

A keni emocione që do të zbresësh në “Elbasan Arena” si trajner i Azerbajxhanit?

 

Nuk e kam zgjedhur unë Elbasanin për të luajtur, por federata, sepse kishte probleme “Air Albania”. Më kërkuan se ku do të luaja në Ballkan, thashë në Shqipëri. Kur FSHF dha “ok”-in, u gëzova.

 

Çfarë të mungon nga Shqipëria?

 

Edhe unë kam afeksion për ju. Më mungon raporti me njerëzit, me tifozët. Këto janë gjëra që kanë pak sens nga ana emotive, sepse po luajmë pa tifozë. Por janë ndeshje që kanë rëndësi për pikët dhe për renditjen. Më mungon kuzhina shqiptare dhe fakti që jam pak larg shtëpisë.

 

Cili është ndryshimi me përfaqësuesen e Azerbajxhanit?

 

Më kanë pyetur edhe në Azerbajxhan. Janë fushat, struktura. Lojtarët atje luajnë shumë pak jashtë për të fituar përvojë. Ka lojtarë të Karabakut, që marrin përvojë në Kupat e Europës. Të Shqipëria ishte ndryshe.

 

Ndeshja më e mirë në krye të Shqipërisë?

 

Sipas meje, kemi luajtur shumë, por, sa i përket cilësisë, është miqësorja në Ren, ndaj Francës, ku kemi barazuar me Mavrajn. Në Europian ata patën frikë ndaj nesh, kishim fituar edhe në Elbasan në miqësore.

 

Objektivi që keni me Azerbajxhanin?

 

Ishte të fitonim vendin e parë në grup, por nuk e patëm mundësinë për të punuar, lojtarët i pashë shumë pak. Kemi humbur me Luksemburgun, sepse luajtëm 10 kundër 11. Do të punojmë për të ardhmen, kemi tri ndeshje dhe do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha.

 

Sa ndikon situata politike?

 

Nuk është situatë e lehtë në realitetin ku jetoj unë. Sa hap televizorin, lajmi i parë është lufta, për krahinën Nagorno-Karabagh.

 

Nëse do të jenë kushtet, a do të ktheheshe te Shqipëria?

 

Kurrë mos thuaj kurrë. Kemi kaluar për 5 vite e gjysmë bashkë, ku i dihet, në të ardhmen… Nuk varet vetëm nga unë, për momentin jeni në duar të sigurta.