Dasmat shqiptare dhe situatat që ju vënë në siklet: Nga krushqit tek...

Dasmat shqiptare dhe situatat që ju vënë në siklet: Nga krushqit tek fëmijët që kapin lekët

486
0

Dasmat janë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Traditat janë ato të cilat bëjnë dallimin e dasmave, ndërsa shqiptarët njihen si një prej popujve të cilët organizojnë dasma vërtetë të bukura. Por në këtë artikull nuk do të flasim për traditat, por për të gjitha ndodhitë që hasen nëpër këto dasma. Të gjithë ju që keni pasur rastin të merreni me organizimin e saj i dini më së miri, por edhe ju të tjerët i keni parasysh. Që nga ndarja e tavolinave dhe deri te hatërmbetjet, njihuni me situatat që ofron çdo dasëm shqiptare.

 

1 – Tu gjesh vendin me sukses pjestarëve të fisit që nuk flasin me njëri tjetrin – Të gjithë shqiptarët kanë në fis të paktën dy persona që nuk flasin me njëri – tjetrin. Nuk ka rëndësi arsyeja e zënkës, por ata janë të pranishëm në çdo listë dasme. Nusja dhe dhëndri veç streseve që u shkakton organizimi dhe detajet e dasmës, duhet të mendojnë me zgjuarsi se si të ulin xhajat dhe dajat që kanë hatërmbetje shekullore në një vend ku asnjërit prej tyre nuk do i ngelë hatri. Sado inteligjent të jenë çifti, vendi ideal nuk ekziston, dhe në fund të dasmës njëri prej tyre do largohet turivarur.

 

2 – Ushqimi nuk është kurrë mjaftueshëm i mirë – Më parë menuja e ushqimit të dasmave ishte njësoj, por në ditët e sotme ka ndryshuar shumë. Kjo sjell shpesh edhe komentet negative të njerëzve, të cilët do e komentojnë nëpër dhëmb. Sado të jesh munduar, edhe nëse ke paguar për pjatën më të shtrenjtë, edhe sikur të vijë vetë Zoti dhe ta përgatisë në kuzhinë, do dalë dikush që do e shajë.

 

3 – Të paktën 5 persona do bëhen tap deri sa të vendosin në rrezik ecurinë e dasmës – Është gjithmonë, një daj, një xhaj, një burrë, halle apo tezeje i cili e ka qejf alkoolin. Të gjithë e dinë kush është, dhe herë pas here i hedhin një sy që më pas të mos bëhet burim incidenti. Disa ja dalin ta kontrollojnë e në disa raste, personi në fjalë ja del të prish dasmën. Është përherë thikë me dy presa!

 

4 – Në pistë ka gjithmonë fëmijë që të ngatërrohen nëpër fustane –Nuk dihet nga ka lindur si traditë që fëmijët të mbledhin lekët që hidhen gjatë valleve por ata janë gjithmonë aty. Shpesh edhe duke rrezikuar femrat me fustane dhe taka nga ndonjë rrëzim i mundshëm. Sido të jetë dasma, kudo të realizohet, pista e kërcimit do të ketë gjithmonë fëmijë të lumtur që garojnë se cili kap lekët i pari.

 

5 – Të gjithë i duan të gjithë – Edhe pse ke 10 vite pa e parë gocën e tezes së mamit, madje as nuk e njeh po ta shohësh në rrugë, aty ajo do sillet sikur ti je personi i vetëm në dasmë. Të paktën damsa është vendi ku shqiptarët bëhen të dashur me të gjithë dhe harrojnë qe në fund të ditës janë ziliqar dhe dashakeq. (shaka kjo)

 

6 – Kë do çojmë krushq? – Është ajo lista e famshme prej 21 personash të cilët ti duhet ti mirëmendosh për 1 javë që mos ti ngelë hatri askujt. Mundohesh me gjithë fuqinë e shpirtit të zgjedhësh pjestarë nga çdo familje, ti bësh respektin gjithësecilit por kurrë, kurrë nuk ja del me sukses!

 

Ema Shazivari/Opinion.al