Dashurie Bilaj: “Do këndoj sa të jetë jeta”…

Dashurie Bilaj: “Do këndoj sa të jetë jeta”…

777
0

Për të gjithë publikun shqiptar, Dashurie Bilaj, është një këngëtare simpatike me një zë të veçantë, me origjinë nga jugu i Shqipërisë, por që karrierën e saj e ka nisur dhe vazhdon në Kosovë. Ajo ka fituar Top-Fest Kosovën me këngën “ Sa T’jet Jeta”. Në një intervistë për “Vizion.com.al”, ajo flet për emicionet e këtij festivali, për projektet e saj në të ardhmen në fushën e muzikës. Për më tepër lexoni intervistën

 

Ju jeni fituese e Top- Fest Kosovës dhe përfaqësuese e Kosovës në Festivalin Ballkanik. Është një sukses, por dhe një përgjegjësi, si ndiheni?

Ndihem shumë mirë dhe shumë e respektuar, pasi kënga ime është një këngë jugu dhe do ta përfaqësoj Kosovën në Festivalin Ballkanik.  Po, është një përgjegjësi e madhe, pasi Kosova më besoi mua, por edhe unë do të bëj më të mirën time në Festivalin Ballkanik.

 

Ju jeni nga Tepelena, këndoni në Kosovë, Shqipëri e Diasporë. Jeni jo shumë e njohur për publikun në Shqipëri, pse ndodh kjo? Është vështirë të hysh në trgeun muzikor këtu?

Besoj kjo ndodh për arsye se unë fillova karrierën time në Kosovë e pastaj edhe në diasporë dhe fokusi dhe puna ime ishin të përqëndruara më shumë aty ku fillova karrieren time, por tani po punoj edhe më fort që njohja ime të jetë edhe në Shqipëri, në vendlindjen time.

 

Cila është rryma muzikore që  ju këndoni?

Unë mund të këndoj në të gjitha rrymat muzikore më pëlqen të eksploroj me rryma të ndryshme, por shpirti më fle tek folku i jugut, vend nga është edhe origjina ime.

 

Për çfarë keni studiuar?

Kam filluar studimet në fakultetin ekonomik, departamenti i marketingut, por valët e punës në muzikë, e cila është një pasion i imi shumë i madh, më ka bërë që të eci me hapa më të ngadaltë me shkollën. Por, gjithësesi punoj vazhdimisht në atë drejtim që ta shtyj përpara dhe besoj që shumë shpejt do diplomohem me sukses edhe në studime.

Sa vite keni që këndoni, dhe si jeni pritur nga publiku mbarëshqiptar?

Pasioni im për muzikën ka filluar shumë herët prej fëmijëris time kur këndoja në korin e shkollës. Publiku më ka pritur shumë mirë gjithmonë dhe i falënderoj për dashurinë që më kanë falë.

 

Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen në fushën e muzikës?

Projekti më i afërt është sërish një këngë jugu, ku i këndoj qytetit të bukur të Sarandës.  Besoj që do të jetë shumë shpejt gati tani për stinën e verës.

 

Nga repertori juaj, cilën këngë do të veçonit si më të suksesshmen dhe më të pëlqyer?

Padyshim që është kënga e fundit, e cila është një këngë jugu me të cilën fitova edhe Top Fest Kosova 1, dhe titullohet “ Sa T’jet Jeta”.

 

Jeta juaj private, jeni e dashuruar?

Vetë fjala private të lë të kuptosh që është diçka që të takon vetëm ty. Por mund të them që ndihem shumë mirë dhe shumë e lumtur me njerëzit të cilët më rrethojnë dhe më falin dashuri, e do ta veçoja familjen time e cila është e shejtë për mua.