“Dardha bie nën dardhë” njihuni me shqiptarët e famshëm që ndoqën hapat...

“Dardha bie nën dardhë” njihuni me shqiptarët e famshëm që ndoqën hapat e prindërve

514
0

Nga ZHAKLIN LEKATARI

 

I kemi parë në ekrane, festivale, intervista, skeçe humori e seriale shqip. Janë të famshmit shqiptarë të cilët kanë zgjedhur të ndjekin hapat e prindërve, shpeshherë duke bërë të njëjtin profesion, herë të tjera po në botën e spektaklit, por në tjetër gjini. Ju prezantojmë me të njohurit shqiptarë që nuk kishin si mos të ishin të suksesshëm, sepse gjaku nuk është ujë.

 

Inva Mula

 

Inva Mula, këngëtarja soprano me famë botërore. Ajo është vajza e dy artistëve të njohur të operas, Nina dhe Avni Mulës (nga i cili nga marrë dhe emrin, Inva). Ndërkombëtarisht, momentin kulminant e jetoi në vitin 1997 kur i dha zërin, këngëtares në rol Lucia Lammermoord, në skenën “The Diva Dance” te filmi  “Elementi i pestë”. Inva tashmë është e martuar me Ethem Ramadanin, dhe jeta e saj është e ndarë ndërmjet Francës dhe Shqipërisë.

 

 

 

 

Pirro Çako

 

Pirro Çako është djali i vetëm i dy prindërve artistë, Gaqo dhe Luiza Çako, ai tenor, ajo soprano. Megjithatë ai ka vendosur ndryshe sepse ëndrra e tij ka qenë të bëhej kompozitor për të prekur zemrat e mijëra njerëzve. Mbas përfundimit të Akademisë së Arteve në degën e dirigjimit, ai filloi punë si redaktor muzike në ”Radio Tirana”, ku filloi të shkruajë këngët e para në anketat muzikore të festivaleve për pionierë. Puna e tij krijuese jep frytet e saj hap pas hapi derisa në vitin ’88 Pirro Çako merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe është fitues me këngën “E duam lumturinë”. Të tjerat janë histori.

 

 

 

 

Gazmend Paja

 

Gaz Paja siç e njohin të gjithë, është aktori i humorit që ka fituar famë për shkak të shumë personazheve që ka personifikuar në spektaklin e humorit ”Portokalli”. Padyshim që ata që janë më të vjetër e kanë shumë të lehtë ta identifikojnë më babain e tij, aktorin Luftar Paja. Në fakt në familjen Paja, ka tre pasardhës, Sokoli, Nikoleta dhe Gazi, por dy fëmijët e parë të Luftarit, jo vetëm që nuk ndoqën hapat e babait, por qëndrojnë larg artit dhe Shqipërisë. Gazi e ka pranuar shumë herë që babai i tij është kritiku i tij më i madh, por dhe shembulli më i mirë, që fëmija ecën në gjurmët e prindërve dhe arrin të bëhet po aq i famshëm.

 

 

 

 

Julian Deda

 

Julian Deda është djali i aktorit të njohur dhe shumë të dashur të humorit Zef Deda. E kush nuk e mban mend “Kunatin e shokut Xhemal “? Në intervista të ndryshme, Jul Deda, ka thënë që është shumë i lidhur më qytetin e origjinës, Shkodrën dhe që sipas tij, në vitet e demokracisë ai është prurja e vetme nga ky qytet. Jul Deda është gjithashtu pjesë e një spektakli të humorit shumë të dashur nga publiku, ndërkohë deklaratat e tij që bëjnë gjithmonë shumë bujë, janë bindjet që ai ka për komunitetin LGBTQIA+. Janë të njohura dhe shumë të komentuara të gjitha thirrjet e tij  homofobe që në fakt janë hija e vetme që errësojnë talentin e tij artistik.

 

 

 

 

Dua Lipa

 

Listës nuk mund t’i mungonte më e famshmja e të gjithave, e talentuara Dua Lipa. Ajo ka ndjekur gjithashtu hapat e babait të saj Dukagjin Lipa, tashmë menaxheri i saj, por më parë vokalisti i grupit rock kosovar, Oda. Dua e filloi karrierën si modele, më pas suksesi i saj mori hov menjëherë mbas publikimit të albumit të parë që mbante emrin e saj, Dua. Përpos talentit të trashëguar nga i ati, dëshirës dhe pasionit për t’u marrë me muzikë, rrugëtimi i saj drejt suksesit ka qënë i vështirë dhe më shumë mund. Dua ka punuar si modele dhe si hostess për të pasur të ardhura të mjaftueshme për shkollën e muzikës që ndiqte part-time. Sot ajo është një nga këngëtaret më të dëgjuara dhe të pasura në historinë e muzikës.

 

 

 

 

Anthony Cako

 

Djali i Pirro Cakos dhe Inva Mula, u prezantua para publikut shqiptar, në Festivalin e Këngës për të kënduar një tribut për gjyshin e tij të ndjerë, Gaqo Çako. Emri i tij i artit është Tchako dhe sikurse pjesëmarrësit e tjerë të listës dhe ai ka vedosur të ecë në hapat e prindërve dhe karriera e tij duket se është në rritje. Anthony  është Dj, producent dhe këngëtar. Ai ka performuar në ”Sunny Hill festival”, krahas emrave të njohur të muzikës ndërkombetarë, por dhe në organizime të tjera, kryesisht jashtë vendit. Vitin e kaluar Anthony ka publikuar albumin e parë të titulluar Enigma, një projekt që i perket rrymës muzikore elektronike. Anthony ka një stil dhe zë veçantë, ndoshta kjo për shkak të faktit që siç thotë dhe ai vetë, është 100% francez.

 

 

 

 

Gjergj Kaçinari

 

Gjergj Kaçinari është djali i kompozitorit të famshëm Alfred Kacinari, dhe sikurse i ati edhe ai ka ndjekur rrugën e muzikës, me diferencën e vetme gjuha e këndimit. Gjergji është këngëtar, instrumentist, dhe autor këngësh. Ai ka një look ekstravangant, është publikues i shumë këngëve në gjuhën angleze dhe ka qenë pjesëtar i shumë grupeve muzikore ku ka eksperimentuar me rryma të shumta. Sikurse baballarët e tjerë të listës, Alfredi është kritiku kryesor i punëve të të birit, dhe ky i fundit thotë, që duke parë që gjykimi i babait është i ftohtë, punët ia tregon kur janë në fazën përfundimtare. Gjergji ka marrë pjesë në shumë kompeticione muzikore, vazhdon ende studimet dhe nuk është i vetmi talent në familje. Motra e tij Ana Kaçinari është gjithashtu pianiste, aktive dhe në tregun muzikor shqiptar.

 

 

 

 

Amos dhe Elia Zaharia

 

Amos dhe Elia Zaharia janë fëmijët e aktores Yllka Mujo. Ai vazhdon karrierën në skenën e teatrit dhe kinematografisë si regjisor dhe aktor, ajo mbasi provoi këngën dhe aktrimin, u martua me princin Leka dhe vazhdon angazhimet në oborrin mbretëror shqiptar. Amosi e ka thënë në intervista të ndryshme, që nëse Yllka ka bërë diçka për ta, ajo është liria për të qënë ata që duan, zgjedhja në liri të plotë për të qënë vetja. Një tjetër detaj që nuk duhet humbur është fakti që Amos ka vendosur të mbajë të dy mbiemrat, edhe të nënës edhe të babait, duke parë që ai është i vetmi trashëgimtar nga familja e nënës. Duket qartë lidhja e fortë me prindërit, por dhe fakti që Yllka ka qënë këshilltarja më e mirë  e fëmijëve, të cilët në fund  kanë ndjekur gjurmët e saj në rrugën profesionale.

 

 

Inida Gjata-Zhaku

 

Është vajza e Ermira Gjatës, aktores së filmit “Shi në plazh” dhe shumë shfaqjeve të tjera. Inida që njihet nga të gjithë me pseudonimin Zhaku, ka disa vite tashmë që i është larguar skenës dhe jeton në Gjermani. Ndërkohë të gjithë e mbajmë mend në ato skaletat e para muzikore, në emisionet me kuice dhe lojëra që ajo organizonte, autobiografinë ”Trimnika” apo dhe albumin ose këngët që kanë qenë dhe janë hit. Padyshim që marrëdhënia nënë e bijë është shumë e fortë, jo vetëm sepse Inida ka qenë në skenë që në barkun e nënës, por sepse ajo që në vegjëli është angazhuar në gjini të ndryshme të artit duke krijuar dhe duke e jetuar atë nga brenda.

 

 

 

Roza Lati

Tashmë Roza është një moderatore e njohur dhe një nga personazhet me më shumë ndjekës në rrjetin social Instagram. Ajo është vajza e aktores së humorit Rita Lati, nënë e bijë, të cilat shpesh bëjnë intervista dyshe, e deklarojnë hapur që marrëdhenia e tyre është e ngushtë dhe primare në jetën e tyre. Roza  ka thënë shpesh se e ëma, ka qënë më shumë së një model inspirues për të, nënë, baba, shok, mik, muzë, prandaj ndoshta që në moshë të re, Roza ka qënë pjesë e televizionit.