Aktualitet

Covid-19 në Indonezi nxjerr “fantazmat” në rrugë dhe mbyll njerëzit brenda

By admin

April 13, 2020

Qeveria e ishullit Java në Indonezi, ka punësuar disa njerëz të maskohen si fantazma, dhe të enden nëpër rrugë, duke shpresuar se supersticioni do t’i mbajë njerëzit (sidomos moshat e mëdha) brenda në shtëpi, larg koronavirusit.

“Ne donim të ishim të ndryshëm dhe të krijonim një efekt parandalues sepse ‘pocong- fantazmat’ janë drithëruese dhe të frikshme ”, tha Anjar Pancaningtyas, kreu i një grupi rinor që u koordinua me policinë, në nismën ‘e çuditshme’ për të promovuar distancimin shoqëror në një kohë kur virusi, sa vjen e përhapet gjithnjë e më shumë.

Fantazmat e njohura me termin pocong, në folklorin indonezian përfaqësojnë shpirtrat e bllokuar të të vdekurve. Kur filluan të shfaqen për herë të parë këtë muaj, ato patën efekt të kundërt. Njerëzit të çuditur, dolën nëpër rrugë për të parë ‘shfaqjen’ e fantazmave.

Organizatorët më pas ndryshuan taktikë, duke nisur patrullime të befasishme të fantazmave.

‘Banorët ende nuk janë të vetëdijshëm se si të frenojnë përhapjen e sëmundjes Covid-19. Ata duan të jetojnë si në kushte normale, duke injoruar udhëzimet e qeverisë për të qëndruar në shtëpi.” tha kryetari i fshatit Priyadi.

Një banor i fshatit Kepuh, tha se strategjia mbinatyrore po funksionon, teksa fshatarët kanë frikë të dalin nga shtëpitë dhe të ndeshen më fantazmat. Që kur u shfaqën fantazmat, prindërit dhe fëmijët nuk kanë lënë shtëpitë e tyre. Njerëzit nuk po qëndrojnë në rrugë pas lutjeve të mbrëmjes.

Deri tani ka 4,241 raste të konfirmuara të koronavirusit në Indonezi, dhe 373 vdekje. Studiuesit në Universitetin e Indonezisë vlerësojnë se mund të ketë 140,000 vdekje dhe 1.5 milion raste të infektuara deri në maj,nëse nuk do të ketë masa më të ashpra./Opinion.al