Lajme

Coronavirusit/ Falimenton klubi i futbollit

By vizional

April 23, 2020

Përveç dëmeve në njerëz, koronavairusi ka shkaktuar pasoja të rënda në të gjithë botën.

Mësohet se një prej klubeve legjendare të futbollit uellsian, Rhyl FC, shpalli falimentimin si pasojë e mungesës së financave nga kriza e koronavirusit.

Pas 141 vitesh, ish-skuadra kampione e Uellsit pushon së ekzistuari duke u bërë klubi i parë që nuk i mbijeton dot pasojave të pandemisë Covid-19.

Rhyl pati njoftuar edhe më herët vështirësi në arkat e klubit, madje duke vendosur edhe një afat për përmbushjen e detyrimeve financiare, gjë që nuk u arrit dot, duke sjellë kështu edhe vendimin përfundimtar.

Drejtuesit e klubit tregojnë se ata morën një mbështetje financiare nga ana e Federatës Uellsiane të Futbollit, por nuk ishte mjaftueshëm për të mbijetuar, ndërsa do t’i nevojiteshin të paktën 175 000 paundë për të vijuar aktivitetin e tyre.

“Është një vendim i vështirë i marrë nga bordi drejtues, e gjitha prej impaktit financiar dhe krizës së pandemisë. Është një ditë e errët për të gjithë vullnetarët, drejtuesit, lojtarët, mbështetësit, pasi jemi të gjithë tifozë të këtij klubi dhe e ndjejmë thellësisht. Nuk kemi asnjë dyshim se një klub edhe më i fortë do të ngrihet së shpejti nga kjo pikë”, shkruhej në deklaratën zyrtare të Rhyl FC.

Ndërkohë, përkrahësit e kësaj skuadre kanë nisur mbledhjen e fondeve duke shpresuar në ringritjen e një tjetër skuadre futbolli që do të përfaqësojë qytetin e tyre.