Coronavirusi/ Tirana një milion euro nga Europa….

Coronavirusi/ Tirana një milion euro nga Europa….

401
0

Koronavirusi ka më shumë se dy muaj që ka trazuar botën, përfshirë edhe Shqipërinë. Zyrtarisht 26 jetë të humbura në vendin tonë dhe të tjerë po luftojnë, ndërsa kriza ka kapluar edhe futbollin, që pas lajmeve të këqija të paktën po përballet me disa njoftime të mira. Kështu klubet shqiptare këtë sezon duket se nuk do të kalojnë nga licencimi i tmerrshëm i UEFA-s. Ose më saktë do të kalojnë, por kushtet do të jenë të lehtësuara dhe në favor të skuadrave.

Kështu, klubet nuk do të dorëzojnë bilancet vjetore dhe masat shtrënguese të viteve të shkuara do të hiqen për një kohë të caktuar. Ka qenë UEFA që me një vendim të Komitetit Ekzekutiv ka vendosur më një prill, që “Fair-Play Financiar” të lehtësohet dhe skuadrat kanë kohë deri në fillim të kompeticioneve europiane të mos kenë probleme me lojtarët apo borxhet. Në fakt, edhe për këto të fundit do të mbyllet një sy nga ana e UEFA-s që si fillim shtyu kohën e licencimeve dhe më pas më 1 prill lehtësoi kushtet.

Gjithsesi, klubet duhet të jenë të kujdesshme nga gjyqet për rrogat, pasi mund të ketë ndonjë penalizim nga ana e bordeve gjyqësore. Një lajm i mirë ky për klubet shqiptare dhe në veçanti për Tiranën. Bardheblutë janë të parët në kampionat dhe shumë pranë titullit kampion. Gjatë gjithë sezonit ata janë munduar që të minimizojnë problemet me borxhet e vjetra të klubit, duke paguar shuma të mëdha për të qenë në rregull me licencimet, por ekzistonte mundësia që ndonëse skuadra dilte kampione, mund të humbiste Europën, sepse nuk do të licencohej për shkak të borxheve nga e kaluara.Gjithsesi, presidenti Refik Halili gjithmonë kishte deklaruar se do të bënte të pamundurën që ekipi të luante në Champions League. Dhe me masat e reja të UEFA-s, kualifikimi në Champions është më se realitet. Tirana kështu shpëton nga makthi i disa sezoneve më parë, me bardheblutë që u kualifikuan, luajtën në Europë, por nuk mundën të merrnin paratë e Europës.

Një skenar që Tirana rrezikonte t’i përsëritej. Tirana me titullin mund të fitojë më shumë se 920 mijë euro nga e drejta televizive dhe paratë e UEFA-s plus 10 milionëshi i FSHF-së. Ama me lirimin e kushteve, veç titullit, situata është në favor të bardhebluve./ panorama sport