“Cmendet” Tirana, mbas Bathes, Torasës dhe Kales edhe Valdet Rama në Tiranën...

“Cmendet” Tirana, mbas Bathes, Torasës dhe Kales edhe Valdet Rama në Tiranën e frikëshme

368
0

Tirana nuk di të ndalet në këtë merkato. Tashmë kërkon të rrëmbejë nga Kukësi edhe Valdet Ramën. Pasi ka marrë zyrtarisht emra, si Agustin Torasa, Elton Kale dhe Idriz Batha, po tenton edhe sulmuesin anësor.

Ish-lojtari i Kombëtares mbylli pjesën e dytë të sezonit te verilindorët dhe kontrata që nënshkroi në janar ishte 6- mujore, por me opsion rinovimi për një tjetër vit. Pra, që të aktivizohet +1, fillimisht duhet që kosovari të gjejë akordin me drejtuesit veriorë. E në kësi kushtesh, klubi më i titulluar në Shqipëri e ka përfshirë në listën e dëshirave.

31-vjeçari është kontaktuar dhe i është bërë oferta që t’u bashkohet kryeqytetasve për sezonin 2019-2020. Bardheblutë po dëshmojnë se nuk  kanë “frena” në këtë dritare transferimesh, ndërsa dukshëm kanë shfaqur ambicie për të pasuruar organikën me futbollistë që bëjnë diferencën dhe rikthyer në nivele të larta. Dhe pa dyshim, kosovari e plotëson më së miri këtë kriter.

Te Kukësi ai, edhe pse nuk ishte në gjendjen më të mirë fizike dhe ka vuajtur edhe dëmtime, shfaqi cilësi të padiskutueshme në ofensivë. Një tjetër element që ka joshur përgjegjësit e merkatos te Tirana është fakti që ai mund të adaptohet në disa role. Edhe pse është sulmues i krahut të majtë, mund të luajë fare mirë majtas dhe në qendër. Nëse do të realizohet apo jo ky “operacion”, kjo mbetet për t’u parë.

Duhet thënë që në kampin e Kukësit janë të bindur se ai do të rikthehet. Madje, thuhet që ditën e enjte, ai do të zbarkojë në stërvitjen e verilindorëve, duke aktivizuar rrjedhimisht edhe zgjaten e marrëveshjes. Madje, drejtuesit e nënkampionëve të vendit kanë bërë llogaritë me kosovarin edhe për turin e parë të Ligës së Europës.

Kur njihet përvoja e tij dhe CV e pasur që ka pas shpine, është e sigurt se çdo trajner do ta donte ta kishte nën urdhrat e tij. Kujtojmë që Valdet Rama, përveç kontributit që ka dhënë me Kombëtaren tonë, ka luajtur me disa ekipe në Gjermani si Volsburg, Ingloshtad, Hanover 96, 1960 Mynih, Vurzburger Kikers, në Suedi për Orebo, Spanjë me Vajadolid dhe në Kinë me Janbian Funde.