“Ç’ke që sheh?”, si u përplasën “të fortët” në Burgun e Rrogozhinës

“Ç’ke që sheh?”, si u përplasën “të fortët” në Burgun e Rrogozhinës

865
0

Ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e së martës në Burgun e Rrogozhinës, ku mbeti i plagosur rëndë një i dënuar, kishte si protagonistë të burgosur për vrasje, drogë e gjobëvënie. Përplasja mësohet se ka nisur në hyrje të palestrës së burgut, ku njëri prej autorëve të sulmit i është drejtuar të plagosurit me fjalët “Ç’ke që sheh?”. Kaq ka mjaftuar për të ndezur shkëndijën e përplasjes fizike, mes 5 të dënuarve, që konsiderohen si “të fortë”, brenda Burgut të Rrogozhinës.

 

Megjithatë, burimet thanë se fjalët mund të jenë shkëmbyer edhe për “inate” të vjetra mes të burgosurve, që e kanë zanafillën jashtë mureve të burgut. E gjithë situata ka ndodhur në sy të njërit prej gardianëve që ndodhej në hyrje të palestrës, i cili dje është pezulluar nga detyra. Ndërsa mësohet se ka nisur edhe një hetim administrativ nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

Tjetër masë që është marrë pas përplasjes në burg, ka qenë edhe transferimi i të gjithë personave që u përfshinë në këtë konflikt. Përveç të plagosurit, 26- vjeçarit Bajram Myftaraj, që aktualisht ndodhet duke marrë mjekim në Spitalin e Burgut në Tiranë, paraditen e djeshme 4 të dënuarit e tjerë, që pësuan plagë të lehta, janë transferuar në burgje të tjera. Ndërsa deri tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare qoftë nga Ministria e Drejtësisë apo nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në lidhje me ngjarjen që ndodhi të martën.

 

PERPLASJA

 

Të dënuarit që u përfshinë në konfliktin që ndodhi pasditen e së martës në Burgun e Rrogozhinës janë, Vilson Veizi, i dënuar për vrasje, Arben Haxhihyseni, i dënuar për gjobëvënie, Nikolin Dokla, i dënuar për drogë dhe Endrit Goga, i dënuar po për drogë. Burimet thanë se të katërt këta persona kanë goditur me shkelma, grushte, por dyshohet edhe me mjete të tjera të forta, të burgosurin tjetër Bajram Myftaraj 26 vjeç, i dënuar për trafik lëndësh narkotike.

 

Të njëjtat burime thanë se sherri ka nisur në momentin që të dënuarit po hynin në palestrën e burgut dhe debati është zhvilluar në praninë e njërit prej gardianëve të burgut, i cili është pezulluar nga detyra. Bajram Myftaraj, i cili vuan dënimin trafik droge, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Burgut në QSUT, në Tiranë, pas dhunës së ashpër që është ushtruar ndaj tij. Ndërsa mësohet se edhe 4 autorët kanë pësuar lëndime të lehta, por janë mjekuar në ambientet e Burgut të Rrogozhinës, nga ku tashmë janë transferuar.

 

TE DENUARIT

 

Dy nga protagonistët e ngjarjes së rëndë që ndodhi në Burgun e Rrogozhinës, konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë dhe të proceduar disa herë nga organet e drejtësisë. I pari është Vilson Veizi, i dënuar për vrasje. Ai u arrestua në vitin 2010, teksa lëvizte i lirë duke kaluar kufirin me pasaportë biometrike dhe vizë greke. Veizi, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për një vrasje e plagosje të ndodhur në Greqi, u zbulua rastësisht nga Policia Kufitare në Kakavijë. Ai u identifikua nga verifikimi në sistemin TIMS teksa tentonte të kalonte traun e doganës drejt Greqisë.

 

Nga hetimi i kryer rezultoi se viza dhe pasaporta biometrike ishin nxjerrë nga avokati i tij, edhe pse i dënuar nga dy shkallët e gjyqësorit dhe i shpallur në kërkim që prej vitit 1999. Gjykata e Durrësit, më 2 shkurt 2009, e ka dënuar Veizin me 20 vjet burg, vendim që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit më 21 prill të vitit 2010, kur është bërë edhe shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar. Personi tjetër, që dyshohet se ka qenë edhe shkaktari kryesor i sherrit, i cili i është drejtuar të plagosurit me fjalët: “Ç’ke që sheh?”, është Arben Haxhihyseni, i njohur si mik i të dënuarit Genc Ferhati, që në fakt ndodhet në Burgun e Peqinit.

 

Ai u arrestua vitin e kaluar nga Policia e Shijakut. Arben Haxhihyseni, banues në Elbasan, ishte shpallur në kërkim prej vitit 2015. Ai fshihej prej disa kohësh në Shijak, por pak ditë para se të vihej në pranga, u zbulua vendndodhja e tij. Policia organizoi operacionin për arrestimin e të kërkuarit, i cili dyshohej se kishte marrë pjesë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku është dhunuar dhe gjobitur një biznesmen kafeje në Tiranë, për të cilën u dyshua si organizator edhe Genc Ferhati. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ka dënuar atë me rreth 6 vite burg, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie e kryer në bashkëpunim”, ndërsa Gjykata e Elbasanit e kishte dënuar atë me 1 vit e 10 muaj për një vrasje.

 

I PLAGOSURI

 

Më 12 nëntor të vitit 2016, Ministria e Brendshme deklaroi se Policia Kufitare në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Narkotikët, kishin sekuestruar në Portin e Durrësit 26 kg marijuanë, duke arrestuar një person. I arrestuari ishte Bajram Myftaraj, personi që mbeti i plagosur të martën në Burgun e Rrogozhinës.

 

“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u sekuestrua rreth 26 kg marjuanë dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Bajram Myftaraj 23 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi u bë pasi në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip ‘Renault’ u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 94 pako me peshë rreth 26 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuana”, shprehej Policia.

 

PANORAMA