Chiesa rrëfehet në 360 gradë: Te Juve për të fituar gjithçka, dua...

Chiesa rrëfehet në 360 gradë: Te Juve për të fituar gjithçka, dua të bëhem më i miri

447
0

Federico Chiesa flet për veten pa “dorashka” në një intervistë me gazetën angleze “The Telegraph”, ndalet te Juve, fitorja e Kampionatit Evropian me Italinë dhe më gjerë. Për natën e jashtëzakonshme të 11 korrikut në “Wembley”, ai pranon: “Ndoshta më e mira e jetës sime. Ne pësuam gol në fillim dhe kjo na trembi pak, ishte e çuditshme, sepse zakonisht nuk ndëshkoheshim në finale kaq shpejt. Ishte e vështirë, por e barazuam rezultatin me përulësinë dhe mentalitetin tonë. Anglia ishte fantastike, një finale e luftuar shumë dhe përfundoi me penallti. Atje, Donnarumma ishte më i miri, priti dy penallti dhe meritoi çmimin e UEFA-s. Në në fund, gjysma e lojtarëve po qanin, pjesa tjetër vraponte rreth fushës duke u përpjekur të përqafonte Donnarumma. Emocionet, lotët, një ëndërr e bërë realitet”.

 

Sonte, Chiesa do të përballet me bashkatdhetarin e tij, Jorginho, strumbullar i mesfushës së Chelsea, kundërshtar i Juves në xhiron e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve: “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Shpesh, kur nuk e ka topin, bën shumë ‘punë të pista’ për ekipin e tij. Jorginho ka njohuri të mëdha për futbollin, brenda dhe jashtë fushës, sepse i ndihmon lojtarët e tjerë të kuptojnë atë që thotë trajneri”. Djali i Enricos, më parë lojtar i Sampdoria, Parma, Fiorentina dhe Lazio, ndër të tjera, Federico, iu bashkua Juves verën e kaluar dhe ishte menjëherë një nga më të mirët në skuadrën e Pirlos. Duke folur për këtë pjesë të parë të sezonit, ai komentoi: “Nuk jemi në standardet e së kaluarës së Juves. Do të ketë më shumë presion mbi mua dhe shokët e skuadrës pas fitores së Kampionatit Evropian. Unë jam këtu për ta përballuar presionin, prandaj zgjodha Juven.

 

Duam të fitojmë gjithçka dhe presioni është çmimi për t’u paguar, sepse kërkesat janë më të larta këtu”. Futbollisti i datëlindjes 1997 shpjegon pse zgjodhi Juven: “Vitin e kaluar, kur mbërrita këtu për herë të parë, isha shumë i lumtur. Njihja Giorgio Chiellini, Bonucci, të gjithë të tjerët, stafin, presidentin. Mentaliteti i Juves ka të bëjë me fitoren, gjithmonë. Asgjë tjetër nuk është e mirë. Triumfi me Italinë më bën edhe më entuziast, dua të fitoj gjithnjë e më shumë. Pastaj, jam 23 vjeç, sapo fitova Evropianin dhe luaj me Juven, jam i lumtur. Jam ende shumë i uritur, megjithatë dua të fitoj dhe të dëshmoj gjithnjë e më shumë për të gjithë dhe për veten se sa vlej, duke u përmirësuar çdo vit”. Duke folur për deklaratat e Prandellit, sipas të cilave Chiesa mund të bëhet futbollisti më i mirë në Evropë, Federico falënderoi, por nënvizoi: “Kam ende shumë punë për të bërë, shumë për t’u përmirësuar, por shpresoj që një ditë kjo fjali të bëhet realitet. Unë sapo kam fituar një kompeticion madhor ndërkombëtar dhe luaj për Juven, kjo është ajo që dua. Sidoqoftë, gjithmonë dua të jap më të mirën time”.

 

Chiesa e “rikthen kasetën” dhe kujton adoleshencën mes futbollit e shkollës: “Kisha nisur të mësoja anglisht. Prindërit e mi besonin se mund të bëhesha futbollist, por ata menduan se mund të bëja edhe diçka tjetër. Nëna ime gjithmonë më thoshte: Nëse ke nota të mira në shkollë, gjithashtu do të performosh mirë në futboll dhe anasjelltas. Të dyja janë plotësuese. Sot, arsimimi është themelor. Në rastin tim, për shembull, më ndihmon për të kapërcyer presionin e mediave. Unë mund t’i racionalizoj gjërat, të jem i fokusuar. Do t’ju jap një shembull: jam në Instagram, por nuk e përdor kurrë, nuk e kam në telefon, sepse e di që nuk përfaqëson realitetin”. Anësori i Juves zbulon se kur mendoi ta linte futbollin: “Isha në akademinë e të rinjve të Fiorentinës dhe nuk luaja, kështu që mendova ta lë futbollin e të provoja diçka tjetër. Pastaj me ndihmën e familjes sime vendosa të vazhdoj, të stërvitem më shumë dhe të rritem fizikisht. I vogël isha shumë i hollë, në moshën 14 vjeç nuk kisha fizikun e shokëve të skuadrës, prandaj nuk luaja. Në jetë kam dy pasione: futbollin dhe universin, ka qenë gjithmonë kështu. Mendoj se ka pikëpyetje lidhur me misterin. Ne dimë shumë për atë që na rrethon, por jo të gjithë historinë. Është ky mister që më magjeps, mendoj shumë për të”.