Champions /Pas 85 minutash, bie Atalanta, feston Reali

Champions /Pas 85 minutash, bie Atalanta, feston Reali

441
0

Fitore në frymën e fundit! Real Madrid gjen golin që ndoshta është tepër i rëndësishëm për fatin e kësaj përballje me eliminim direkt, duke qenë se kthimi tani do të jetë në Spanjë.

Por sa vuajtje dhe sa djersë deri në fund. Goli që ka zhbllokuar ndeshjen dhe i ka dhënë fitoren 1-0 ekipit të Zidane ka ardhur nga distanca me Mendy, në minutën e 85-të të ndeshjes.

Francezi ka shfrytëzuar pasimin e Modric dhe me të djathtën e tij ka kalibruar topin aty ku Gollini nuk ka arritur dot.

Skuadra e Gasperinit del megjithatë me kokën lart pasi i bëri ballë një ndeshje e cila u vu në binarët e vështirë duke qenë se luajtu me një futbollist më pak prej minutës së 17-të kur Freuler doli me karton të kuq për një ndërhyrje pikërisht ndaj mbrojtësit francez.

Një vendim i ekzagjeruar i arbitrit duke qenë se nuk ishte në një rast të bujshëm për gol dhe sepse ndodhej në diagonale duke hyrë për në zonë.

E sikur të mos mjaftonte i kuqi, në mesin e pjesës së parë, Atalanta humbi edhe bomberin e saj, Duvan Zapata për një dëmtim.