Bora mbulon vendin, automjetet bllokohen në aksin Tepelenë-Gjirokastër

Bora mbulon vendin, automjetet bllokohen në aksin Tepelenë-Gjirokastër

401
0

Reshjet e dëborës kanë zbritur deri në Shkodër, Lezhë dhe Elbasan. Gjatë natës ka rënë pak dëborë edhe në Tiranë, por e kanë shkrirë më pas reshjet e shiut. Probleme ka në akset rrugore në qarqet ku dëbora ka qenë e dendur. Kështu raportohen probleme në akset e jugut. Prej orës 4:30 të mëngjesit dhjetera automjete u bllokuan në aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër. Borëpastruesja nisi punë vetëm në orën 7:30. Të bllokuara janë zonat e Zagorisë e Pogonit disa fshatra në Cepo dhe komuna Kurvelesh në Tepelenë. Rreth 20 cm reshje dëbore kanë mbuluar ndërkohë Gjirokastrën dhe rrethinat. Reshjet kanë qenë intensive gjatë gjithë natës duke vështirësuar qarkullimin në qytet dhe në akset nacionale. Rreth orës 3 të mëngjesit aksi drejt Kakavijes përshkohej me vështirësi dhe pati shumë bllokime dhe rrëshqitje të mjeteve në rrugë. Ende akset kombëtare nuk janë të kalueshme për mjete të vogla dhe për qafën e Muzinës drejt Sarandës duhen përdorur zinxhirë. Edhe në qytet qarkullimi i mjeteve është pothuajse i pamundur.

 

Situata e vështirë në disa akse kombëtare

 

Sipas ARRSH, Qafë- Thana kalohet me zinxhirë. Në Gramsh janë bllokuar disa fshatra. Në Prrenjas të bllokuar Rrajca, Sopoti, Skënderbeu.

 

Në Elbasan kalohet me zinxhirë rruga për Labinot Mal, dhe Gjinar.

 

Në Librazhd është bllokuar Qarrishta, si dhe kalohen me zinxhirë disa fshatra. Në disa fshatra nuk zhvillohet procesi mësimor për shkak të mos udhëtimit të mësuesve drejt vendeve të punës.

 

Po kështu prej ditësh janë të izoluara nga bora fshatra në rajonin verilindor, Kukës e Tropojë si dhe në juglindje, fshatra të Korçës, Librazhdit, Ersekës, etj.