
Kështilltari i Presidentit, Tedin Blushi ka reaguar ndaj deklaratave të Elisa Spiropalit sot në foltoren e Kuvendit ku tha se Meta pas shkarkimit do bëhet kryetar i opozitës. Gjithashtu, Spiropali iu drejtua kreut të shtetit që të tregojë se kush do ta digjte Parlamentin më 8 qershor kur ai zhdekretoi datën e zgjedhjeve vendore.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Metës shkruan se ministrja duhet të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit dhe sjelljet sipas tij, antikushtetuese të Kuvendit, Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së.
Ai shton më tej se deklarata të tilla janë “klithma për të larguar vëmendjen ndaj miratimit në Kuvend të PPP-ve më të shtrenjta në botë“.
“E ftojmë të Çmendurën E. të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste.
Klithmat anti-presidenciale të porositura sot me urgjencë duan të spostojnë vëmendjen nga miratimi kokëfortë i PPP-ve më të shtrenjta në botë, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik, dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Blushi.