Blog nga Arlis/ Në Spille, destinacioni kësaj vere. Kampionia e 2019...

Blog nga Arlis/ Në Spille, destinacioni kësaj vere. Kampionia e 2019 në çmime, cilësi dhe pastërti

917
0

Nga Arlis Alikaj

Kisha dëgjuar të flitej shumë për Spillenë. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë nga binte apo ku ndodhej.  Shihja autobuzë nga të katërta anët me emrin e linjës, Librazhd – Spille, Prrenjas Spille, Rrogozinë- Spille , Durrës – Spille etj etj. Mendojeni pak sa e përhapur ishte saqë deri në Prrenjas, kishte linja autobuzi. Thoja me vete çfarë ka të veçantë që shkojnë kaq shumë njerëz madje dhe vendet e minifurgonave dhe autobuzëve ishin me rezervim. Kështu vendosa të shkoja këtë të diel datë 4 gusht 2019.

Normlisht rezervova vendin 2 ditë përpara për fundjavë. Bileta autobuzit nga Librazhdi në Spille të Kavajës, ishte 250 Lekë për rrugë. Më bën përshtypje se linjat ishin të pajisura me bileta të rregullta transporti interurban. Ulem Brenda shoh shumë familjarë, me trasta e qese plotë nëpër duar duke filluar që nga kremi plazhit, ushqimi dhe termusi ujit. Afër meje ulet një zonjë rreth të 50 –tave dhe e pyes se përse ka zgjedhur Spillenë?

: ‘- Kam zgjedhur Spillenë pasi nuk kam fare shpenzime. Shezllonet i gjen me 200 , 300 maksimumi 400 lekë. Po një shezllon normal kushton 300 lekë. Unë  ndaj çadrën me një miken time. 150 Lekë shezlloni për njeri kur e ndaj çadrën dhe një kafe të mirë 50 lekë, plus rrugën Librazhd – Spille = 500 lekë, e gjitha më shkon 700 lekë në total. Dhe aty kam rërën e pastër, uji e Adriatikut në pjesën më të pastër të tij (Spille, Kavajë) dhe kripën. Kaq për mua është parajsë…’’

Nga Librazhdi në Spille, Kavajë rruga ishte diku 1 orë. Linja e transportit ishte me ajër të kondicionuar dhe rruga që të çonte aty ishte Ok.

Sa shkoj në plazh më bën përshtypje krejt vendi. Hyje nëpërmjet një pylli të madh me pemë që bënin hije dhe shuanin vapën me freskinë e pemëve. Sa kaloje pyllin, në mënyrë të organizuar shihje djem të rinj me biznese të rregulluara ku të ofronin shezllon dhe oferta për të zgjedhur. Shezllonet kishin goxha largësi nga njëra tjetra ku i jepnin mundësi pushuesve për privatësi nga njëri tjetri. Rëra ishte me të vërtetë e bollshme dhe e pastër. Le të mos flasim pastaj për ujin.  I pastër goxha dhe me kulla vrojtimi me vrojtues në gadishmëri. Blej shezllonin tim dhe për herë të parë në kaq vite, menjëherë pas dhënies së lekëve më vjen dhe kuponi tatimor. Pak metra më tutje , për një grumbull të caktuar shezllonesh kishte dhe kosha mbeturinash si dhe kur po hyja në fshatin Spille, pashë makina pastrami ku ngarkonin në mënyrë të ndarë mbetjet.

– ‘’Ouuuu thashë me vete, të vij Europa nga Spilleja Kavajës?’’.

Shihje shumë turistë italiantë, gjithashtu dhe Durrësakë që e kishin tradhëtuar Durrësin dhe që ankoheshin për të. Në fakt shihje nga e gjithë Shqipëria, turista ditorë, nga Elbasani, Pogradeci, Fieri, Tirana. Nuk e di kujt i ka vajtur mendja por turizmi ditor, ishte bum në Spille.

Gjithashtu diçka tjetër që më pëlqeu ishte dhe muzika, që vende vende ishte pak e lartë por në përgjithësi qetësia mbizotëronte. Po ashtu dhe çmimet e ushqimet ishin të lira dhe ekonomike. Shumë familjarë shikoje ulur nëpër restorante.

Nuk e di, por si për herë të parë, Spilleja më la mbresa shumë të mira dhe jam kënaqur shumë. Mezi po pres të shkoj përsëri fundjavën tjetër dhe të takoj njerëz të rinj, të marr shërbim të kulturuar nga ata vendas që përpiqeshin shumë dhe nuk i bënin naze punës, madje dhe kur ndonjë person me zinxhirë floriri dhe me lekë, i bënte të vështirin , ata hallexhinjtë gjithmonë pronto për hir të punës dhe kamarierët njerëz të urtë.

Padyshim që e rekomandoj Spillenë. Të kesh dhe plazh super dhe çmime ekonomike është si puna e një luksi që mund ta kenë të gjithë.