Berisha: Klikat e gangsterëve në Beograd, Tiranë e Prishtinë e çojnë rajonin...

Berisha: Klikat e gangsterëve në Beograd, Tiranë e Prishtinë e çojnë rajonin drejt luftës!

435
0

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar një vepër monumentale, librin “Kosova  kërcënohet nga gjarpri i shtëpisë” të ambasadorit, Dr. Islam Laukës, pasi kjo vepër siç tha,  i përgjigjet flakë për flakë një kërcënimi serioz kombëtar.

Berisha, i cili ishte i ftuar në promovimin e këtij libri, i lidhi faktet e sjella nga Dr. Lauka me debatin e madh që është krijuar së fundmi nga teza e shkëmbimit të kufijve Kosovë – Serbi.

Berisha tha: “Libra të kësaj natyre, të cilët marrin përsipër t’i japin përgjigjen e duhur një krize të krijuar nga Beogradi tërësisht, duke përdorur “argatë” shqiptarë, janë shumë të rëndësishëm në rizgjimin, në kthjellimin, në ndihmën për vendime të drejta të qytetarëve, të studiuesve, të lexuesve dhe në tërësi të botës shqiptare.

Bota shqiptare kalon sot një nga momentet më kritike që nga 1914-a, kur Jorgo Zografi shpalli autonominë e jugut të Shqipërisë me synimin e prerë për ta aneksuar Greqia. Ai protokoll u firmos jo vetëm nga Zografi, u firmos edhe nga Mehdi Frashëri.

Një protokoll tjetër u përgatit në Beograd dhe ky protokoll ishte aneksimi i Kosovës së veriut, gjymtimi përfundimtar i Kosovës, krijimi i disa “shteteve” brenda saj dhe asgjësimi i saj si nocion shtetëror.

Ky protokoll po u servirej shqiptarëve nga “Argati”, Zografi Bis, Miladini shqipfolës e Baton Stanishiqi, si një vepër e tyre, si një projekt i tyre, në mënyrën më djallëzore, në mënyrën më hipokrite.

Por dua të them dy fjalë me këtë rast!

Beogradi ia arriti të kthejë në Ballkan, debatin arkaik të një apo dy shekujve më parë dhe ky është absolutisht një debat vetëm luftënxitës në funksion të Serbisë së Madhe.

Por ne shqiptarët kemi një motiv tjetër po kaq themelor, sa ç’është integriteti evropian i Kosovës: ne kemi motivin evropian.

Ne s’mund të përcaktohemi dhe s’mund të biem kurrë në kurthe primitive serbe të heqjes së linjave etnike. Ne duhet t’u përmbahemi shumë parimeve dhe vlerave evropiane, të cilat bëjnë të mundur që të jetojnë aty ku janë qytetarët pavarësisht nga origjina e tyre.

Nuk janë minoritetet, problemi i Ballkanit! Problem i Ballkanit janë klikat e gangsterëve si në Beograd, në Tiranë, në Prishtinë disa prej tyre, të cilët ndërmarrin aventurën e një projekti të shkuar, për të çuar rajonin drejt konflikteve dhe luftës.Libri që ka shkruar ambasadori Islam Lauka, me një përgjegjësi të madhe dhe me profesionalizëm të lartë, do të ndihmojë çdo shqiptar për të kuptuar se projekti i Beogradit është i ngjashëm me projektin e Zografit. Edhe Zografit ia firmosi Mehdi Frashëri – se i harrojmë gjërat ne. Gjeti një…

Kurse tek projekti i Beogradit, ky i riu, Zografi Bis ka firmën e tij në të, sikur Argati dhe “shefi i Argatit”, që janë involvuar në këtë pikëpamje. Edhe njëhërë e përgëzoj shumë përzemërsisht ambasadorin Lauka, që flakë për flakë iu përgjigj një kërcënimi serioz kombëtar me një vepër monumentale.”/ar.sh/SYRI.NET