Lajme

Bëhuni gati për një muaj shpërthyes, ja ç’kanë parashikuar yjet për gushtin sipas Paolo Fox

By vizional

August 03, 2020

DASHI: Është çasti i duhur që të bëni projekte për të ardhmen. Është e vërtetë që viti 2020 po i lë pak hapësirë krijimtarisë suaj, por sa më shumë po i afrohemi vitit të ri, aq më shumë gjërat do të ndryshojnë në favorin tuaj. Nëse keni punuar si i pavarur, dyvjeçarin e fundit e keni kaluar duke eksperimentuar gjëra të reja, duke kërkuar zgjidhje te punët me kohë të pjesshme dhe rastet e veçanta. Mund të filloni të programoni fitore për fundin e vitit. Një interes i cili më parë ishte dytësor për ju, mund të bëhet më i rëndësishëm. Shpesh Dashi arrin të jetë i suksesshëm në aktivitetet që zhvillohen në kontakt me njerëzit. Sektori i miqësive dhe kontakteve do të zhbllokohet, sepse nga data 5, Mërkuri fillon tranzicionin. Deri në datën 20 do të jetë e mundur të arsyetoni për gjithçka që duhet të bëni gjatë vjeshtës. Përgjegjësitë e reja duhen përballuar me guxim e vullnet. Pyesni veten se çfarë mund të bëni. Ndoshta, gjatë muajit gusht, jo të gjithë i kanë idetë e qarta se çfarë do të bëjnë në shtator. Para një viti ishit të bindur për disa projekte të cilat nuk shkuan siç dëshironit. Por nëse ka diçka që Dashi di ta bëjë, është të luftojë dhe të ringrihet edhe në momentet më të errëta! Guxim!

 

Dashuria: Marrëdhëniet e pavlefshme do të zhduken në gusht, por kujdes nga tradhtitë! Ka dy histori në mendjen tuaj dhe nuk do të jetë e lehtë t’i vazhdoni të dyja. Mund të flitet edhe për zhgënjime të vogla, prandaj, nëse dikush nuk është më siç e donit apo siç e imagjinonit, të shtunën, më datë 15 dhe të dielën, më 16 gusht, mund të diskutoni për shumë gjëra. 15 gushti i acaruar do të sjellë sqarime për shumë nga të lindurit në shenjën e Dashit. Lidhjet që nuk kanë baza të shëndosha nuk mund të përmirësohen vetëm falë yjeve. Duhet përkushtim nga të dyja palët. Por pikërisht ky mungon, sepse diçka u thye kohët e fundit. Ju kërkoni të keni përkrah dikë që ju ofron stimuj, por ndonjëherë, vetëm që të jeni vetë drejtuesi i lojës, afroheni me njerëz që mbështeten shumë te ju. Pra, gushti ju fton t’i përjetoni lidhjet e dashurisë me kujdes. Këtu flas edhe për çiftet afatgjata, që rreth 15 gushtit mund të hasin probleme. Beqarët mund të përjetojnë një histori të çastit, verore, të shkurtër, zbavitëse, por ende të pasigurt. Para se të thoni “do të të dashuroj përgjithmonë”, duhet të mendoheni mirë.

 

Shëndeti: Gushti duhet të jetohet me qetësi, larg ndërlikimeve dhe tensioneve të kota. A është e mundur kjo? Momenti më i mirë do të jetë nga 5 gushti deri më date 20. Këto janë datat ideale edhe për të programuar pushimet. Kush nuk ka qenë mirë me shëndet, tani mund të dalë nga një tunel i gjatë i errët, por duhet të kontrollojë vazhdimisht kokën, shpatullat dhe fytin.

 

DEMI: Zakonisht ky është muaji i pushimeve, por me Jupiterin dhe Saturnin në një pozicion të mirë, ka gjasa që për shumë të mos jetë i tillë. Gjatë verës duhet të mendoni se çfarë do të bëni në vjeshtë. Është një moment produktiv. Duhet të ndiqni aspiratat tuaja dhe të bëni projekte të rëndësishme, të cilat mund t’ju ndryshojnë rrënjësisht jetën. Po flas për ditët me fat, sidomos pas 22 gushtit. Për shembull, të premten dhe të shtunën, më 28-29 gusht, mund të ndodhë diçka shumë interesante. Nëse keni pak kohë që keni nisur një aktivitet të ri, së shpejti do të vijnë rezultatet e para. Do të keni rezultate më të mira nëse mendoni ta përsosni apo ta hapni në vjeshtën e vitit 2020. Nëse keni mundësi të punoni edhe në gusht, suksesi nuk do të mungojë. Flasim për një muaj plot frymëzim. Nëse disa marrëdhënie në punë nuk funksionojnë më, është mirë të flisni apo të kërkoni një transferim në punë. Ata që kanë një rol të rëndësishëm, mund ta përmirësojnë. Priten telefonata, detyra, zgjidhje edhe për të rinjtë që mund të fillojnë një praktikë të mirë, nëse janë të përgatitur, e cila mund t’i çojë larg. Do të keni ca shpenzime të tepërta nga data 11 gusht. Situata të pëlqyeshme, eksplorime nëpër qytete të tjera… Një udhëtim me anije? Përse jo? Një udhëtim do t’ju dhurojë emocione të veçanta.

 

Dashuria: Verifikimet në dashuri janë në rendin e ditës, sepse nuk kënaqeni kollaj dhe doni diçka më shumë. Venusi do të jetë në favor që nga e premtja, 7 gusht, dhe Mërkuri do t’ju stimulojë nga data 20. Ata bëjnë tifozllëk për ju. Gushti do të jetë një muaj i rëndësishëm për ndjenjat. Mund të themi se dashuria do të rizgjohet dhe se gushti mund të plotësojë dhe shijet e veçanta të dikujt që kërkon një lidhje transgresive. Çiftet e lidhura prej një kohe të gjatë duhet të zyrtarizojnë historinë e tyre. Kjo është periudha e duhur për ata që duan të martohen apo të bashkëjetojnë. Është periudhë e mirë edhe për ata që nuk duan të lidhen përjetë, por thjesht kërkojnë të zbaviten me një lidhje të rastit. Pas datës 20, ndjenjat bëhen më të forta, shtohen edhe emocionet. Je ti që i vendos rregullat e lojës. Përfito maksimumin! Nëse do më të mirën për veten, gjej guximin dhe dëshirën për të dashuruar. Provo t’i shtosh miqësitë dhe programoji pushimet në vendet ku është më e lehtë të shijosh takime të reja.

 

Shëndeti: Ka vetëm një moment stresi të madh në këtë muaj, nga data 8 deri më 18 gusht. Rrezikoni të ndiheni pak të lodhur, pak nervozë, por janë ndjenja kalimtare. Vendimet që kanë lidhje me shëndetin, përfshirë terapitë, do të jenë më të favorizuara pas datës 20. Mund të keni iniciativë për trajtime estetike të suksesshme, ose të ndryshoni pamje. Këshillohen pushime për ju, gushti është një muaj i qëndrueshëm.

 

BINJAKËT: Ky është një çast premtimesh dhe vendimesh të rëndësishme për disa nga personat e lindur në shenjën e Binjakëve. Në të vërtetë, tani mund të bëni çka dëshironi. Duket se i keni kapërcyer edhe konfliktet e vitit 2019, ose të paktën tani jeni më largpamës. Keni arritur të ndreqni disa punë dhe tani, më në fund, erdhi momenti të korrni frytet, edhe nëse bëhet fjalë për vlerësim dhe rritje profesionale, personale. Kjo nuk do të thotë që duhet të shpenzoni pa masë. Madje, nën këtë këndvështrim, duhet t’i bëni mirë llogaritë, sidomos nëse doni të blini diçka. Sa më tepër i afrohemi fundit të vitit, aq më shumë qetësi ju dhurojnë yjet. Në tërësi, ky është një muaj i rëndësishëm dhe intrigues. Filloni të planifikoni diçka të bukur për vjeshtën. Në krahasim me vitin e shkuar, shanset dyfishohen. Madje mund të largoni edhe një kundërshtar që më parë ju ka bllokuar, por tashmë s’mund të bëjë asgjë kundër jush, madje është rrënuar. Kjo jua shton kënaqësinë.

 

Dashuria: Nëse doni të përjetoni një histori të rrufeshme, yjet janë me ju. Por edhe nëse vendosni të filloni një lidhje më interesante, mund të mbështeteni në këta tregues të mirë. Thjesht duhet të keni parasysh realitetin, sepse dihet që prej vitesh,  për shumë njerëz, shprehja “përgjithmonë” në dashuri nuk ka më rëndësi. Gjithsesi, s’është e thënë që s’do të mundeni ta gjeni njeriun që mund t’ju dhurojë ato që kërkoni. Parashikimi i horoskopit është i shkëlqyer për çiftet e qëndrueshme që munden dhe duan të bëjnë fëmijë. Nëse jeni ende beqarë dhe po kërkoni shpirtin binjak, pranojini ftesat që ju vijnë. Brenda pak muajsh, horoskopi do të jetë më i mirë dhe në dhjetor gjithçka do të jetë më e qartë. Është e rëndësishme të gjeni partnerin e duhur pa humbur kohë. Çiftet në marrëdhënie të tensionuara arsyetojnë më mirë në lidhje me atë që duhet të bëjnë në të ardhmen. Vetëm ata që po përjetojnë një krizë dashurie, që e kanë përjetuar apo kanë tradhtuar, do të kenë çaste të forta acarimi rreth 26 gushtit.

 

Shëndeti: Shëndeti kërkon vëmendje vetëm në pjesën e parë të gushtit. Në pjesën tjetër, ky është një muaj i rëndësishëm dhe solar. Mund të themi që është muaji fitimtar për ju, gjatë të cilit do të kapërceni shumë probleme psikofizike. Por mos luani lojëra fati nga 23 gushti deri më ditë 31.

 

GAFORRJA: Ka ende shumë punë, veçanërisht në planin e financave, dhe gushti është ende një muaj kalimtar. Nëse keni një biznes që nuk po jep maksimumin, duhet të bëni ndryshime serioze, të rëndësishme. Nga shtatori, dhe akoma më tepër nga dhjetori, më në fund situata ekonomike do t’ju falë kënaqësi të mëdha. Gushti është ende i zhytur në një gjendje pasigurie, gjë që do t’ju rëndojë më tepër. Por gjithçka varet nga ajo që keni bërë në të kaluarën. Ata që kanë ngritur një karrierë të qëndrueshme, thjesht duhet të tërhiqen pak për të shmangur problemet. Ka të tjerë që mund të mos e rinovojnë menjëherë një kontratë. Në raste të tjera, një punë e re apo ndonjë projekt i pa provuar më parë, mund të krijojë gjendje ankthi. Gjithsesi, me kohë do të largohet. Të gjithë ata që vjet, në këtë kohë, filluan një aktivitet të ri, nuk kanë bërë shumë përparime. Por brenda tre muajve duhet të gjejnë zgjidhje dhe ujdi të mira. Është më mirë të merreni me projekte afatgjata. Edhe nëse keni në mendje ndonjë ndryshim drastik, është mirë të mos veproni para dhjetorit. Kujdes! Kush punon si profesionist i lirë, do të jetë në luftë me një redaktor, shef apo me dikë që nuk ju sheh me sy të mirë.

 

Dashuria: Tensioni i madh në fushën e punës mund të lehtësohet falë dashurisë, sepse Venusi futet në shenjën tuaj zodiakale. Çiftet që dashurohen mund të bëjnë hapin e madh. Edhe çiftet që kanë një marrëdhënie të re janë më të sinqerta dhe të gatshme për të nisur një lidhje të rëndësishme. Është momenti t’i thoni “mjaft!” gjithçkaje që nuk ju pëlqen. Guximi nuk do të mungojë. Për shumë nga të lindurit në shenjën e Gaforres, 15 gushti do të jetë intensiv dhe plot pasion. Kur yjet na favorizojnë, nuk duhet të mendojmë se dashuria është diçka që dërgohet me postë. Gjithsesi, do ta keni më të lehtë të përparoni. Pra, asgjë nuk i pengon lidhjet e reja. Parashikohet një vjeshtë e rëndësishme, pozitive dhe gjithëpërfshirëse, që nuk duhet t’i lërë hapësirë drojës apo frikës që ka lidhje me të shkuarën. Ky është një moment force edhe për çiftet që tashmë mund të bëjnë zgjedhje që në pranverë dukeshin të vështira për t’u menaxhuar. Nëse e dëshironi një lidhje, vazhdojeni. Nëse nuk e dëshironi më, në gusht nuk do t’ju mungojnë rastet për të thënë mendimin tuaj.

 

Shëndeti: Është e udhës që këtë gusht ta kaloni sa më qetë. Fakti që Marsi është akoma transit mund të sjellë probleme. Kushtojuni vëmendje problemeve të vogla shëndetësore nga e shtuna dhe e diela, 8-9 gusht. Duhet të pini më shumë ujë për të eliminuar toksinat, meqë jemi në gusht. Bëni ushtrime fizike të moderuara, por të vazhdueshme. Pasiguritë tuaja në lidhje me punën, mos i transferoni te trupi juaj, përndryshe mund të jetoni një periudhë me tensione të tepërta.

 

LUANI: Gushti është një moment i rëndësishëm. Dielli, si çdo vit, kalon në shenjën tuaj të zodiakut deri më 22 gusht. Mërkuri bën të njëjtën gjë në datat 5-20 gusht. Marsi është në një pozicion të shkëlqyer. Sigurisht, varet nga gjërat që dëshironi, por nëse qëllimet tuaja janë të realizueshme, nëse duhet të bëni kërkesë për punë apo të vazhdoni një projekt, mos u dekurajoni. Pavarësisht se gushti është një muaj që zakonisht u kushtohet pushimeve, tani yjet tregojnë fillimin e një stine të re në jetën tuaj profesionale. Thjesht ka raste të veçanta ku duhet braktisur një aktivitet i caktuar, një grup apo një detyrë, në favor të diçkaje tjetër. Nëse duhet të përballoni një sfidë në gusht, shtatori dhe tetori janë muaj të rëndësishëm. Gjërat e parëndësishme nuk duhen lënë pas dore për në nëntor e tutje. Nëpunësit kanë shanse të kenë rritje rroge ose ndoshta, nga fundi i muajit të arrijnë njëfarë përmirësimi. Kërkesat që vitin e kaluar u refuzuan, tani mund të pranohen. Ata që kanë lëvizur, me kohë do të kenë takime të rëndësishme. Nëse punoni për një kompani në krizë dhe mendoni se është e udhës të filloni një projekt tuajin, mos ngurroni ta bëni, por mos harroni të vini mënjanë diçka.

 

Dashuria: Muaji i lidhjeve. Edhe në fushën sentimentale do të keni më tepër sukses në krahasim me më parë. Gushti dhe shtatori janë muaj të rëndësishëm për të gjitha situatat sentimentale, por janë akoma më të rëndësishëm për ata që kanë takime plot pasion, që zgjedhin një person për ta dashuruar ose që konsolidojnë lidhjen e tyre. Ata që do t’i bëjnë pushimet në pjesën e dytë të muajit mund të sigurojnë avantazhe të mëdha në takimet e tyre. Nuk mund të ndodhë ndryshe, meqë ky është një horoskop plot pasion dhe i nxehtë në datën 17 gusht, kur edhe Hëna do të futet në shenjën tuaj. Më pas, Venusi do të afrohet me hapa të mëdhenj në hapësirën tuaj zodiakale. Nëse do të mbeteni vetëm, kjo do të ndodhë për shkak të qëndrimit tuaj tepër të sigurt në vetvete. Nëse keni ndonjë problem në familje, tani është momenti të flisni të qetë. Kjo tregon nevojën për të përballuar me qartësi gjithçka që ka lidhje me blerjet, shtëpitë, ndarjen e pasurive të patundshme. Shenjat zodiakale të referimit janë shenjat e zjarrit, Luani, Dashi dhe Shigjetari. Por edhe një Binjak mund të jetë interesant. Sfidat mendore nuk janë të këshillueshme, prandaj me Akrepin dhe Ujorin mund të lindin konflikte. Nëse nuk jeni aq të sigurt për ndjenjën tuaj, tani është momenti të kërkoni vetëm qetësi.

 

Shëndeti: Ai i gushtit duket një qiell mik. Është e mundur të përjetoni emocione të veçanta, sidomos gjatë pushimeve. Shfrytëzojeni periudhën nga data 5 deri më 20 gusht.

 

VIRGJËRESHA: Strategjitë janë fitimtare. Nga gushti deri në nëntor mund të zgjidhni shumë probleme, mund të rifilloni me shumë vrull aktivitetin tuaj. Dikush do të zgjidhë problemet edhe me një ish-punëdhënës ose do të ketë shansin të marrë një propozim joshës. Me një horoskop kaq intrigues, ata që kanë pjekuri profesionale, ose një rezyme të mirë, mund të marrin një ofertë që është ndryshe nga gjithçka keni bërë këto kohët e fundit. Kështu, mund të viheni në provë edhe në situata, fusha dhe role të tjera. Ja përse gushtin duhet ta mendoni si një muaj tepër pozitiv për të ardhmen tuaj. Nuk duhet t’i shtyni për më vonë takimet me personat që ju kontaktojnë. Edhe pse zakonisht kjo periudhë u kushtohet pushimeve, ka gjasa që ju t’i riktheheni punës, ose të mendoni për profesionin tuaj nga data 20 gusht. Më datë 24 gusht do të lëvizë diçka edhe për ju. Provimet, intervistat e punës, punësimet e reja për të rinjtë, udhëtimet… Që të gjitha janë të mbrojtura deri në stinën e vjeshtës, prandaj është mirë të mos shtyni asgjë.

 

Dashuria: Një muaj i rëndësishëm edhe për dashurinë. Shpresoj që pengesat e vogla që janë paraqitur kohët e fundit, veçanërisht në pranverë, të jenë kapërcyer. Tani thjesht duhet të dashuroni pa u frenuar. Është një moment i rëndësishëm edhe për ata që kanë vendosur ta mbyllin një histori, sepse në vitet e mira, paradoksalisht, mund të heqësh një barrë nga supet dhe të jetosh i qetë, të hapësh dyert për projekte të reja sentimentale. Ata që ende s’e kanë gjetur dashurinë, duhet të pyesin veten nëse duhet të kapërcejnë ndonjë bllokim të brendshëm. Viti 2020 mund t’ju ndihmojë edhe për këtë. Të flisni me një mik, t’i drejtoheni një eksperti, kjo gjë mund t’ju ndihmojë. Në një vit të rëndësishëm si ky, mund të kapërcehen paragjykimet dhe problemet e brendshme. Bëni një analizë të plotë psikologjike për të kuptuar nëse ka ndonjë problem dhe reagoni. Horoskopi është i favorshëm për ata që dëshirojnë të kenë takime dashurie. Kjo është një periudhë pozitive. Situata vlen edhe për takimet e reja, për t’u rikthyer në lojë me guxim.

 

Shëndeti: Në klimën e rikuperimit, edhe mirëqenia personale shtohet. Fatkeqësisht, që nga prilli stresi ka qenë i fortë, por me sa duket, tani ka më shumë energji. Qielli ju lejon të eliminoni gjithçka negative, ose pothuajse gjithçka. Kjo energji dyfishohet pas datës 20 gusht. Shumë planetë të mirë i japin forcë shenjës suaj dhe lejojnë që ky muaj të mbyllet me stil.

 

PESHORJA: Më në fund përfundon kundërshtimi i Venusit, që mund të ketë krijuar disa tensione edhe në fushën e punës. Gjithashtu, Mërkuri do të jetë në pozicion të favorshëm, i cili do të kombinohet me Diellin nga data 5 deri më 20 gusht. Edhe pse gushti zakonisht nuk i dedikohet fushës profesionale, këtë vit do të ketë më shumë gjëra për të bërë. Mund t’i kapni nja dy raste të mira në këto katër javë. Kjo tregon edhe faktin që nga shtatori do t’ju thërrasin për të bërë diçka më tepër. Në këto ditë mund t’i përkushtoheni të ardhmes, por mos harroni: duhet të bëni ca pushime. Keni të drejtë t’i bëni! Problemet familjare dhe martesore mund të zgjidhen në këtë muaj kaq bindës. Ditët janë efikase, të mbushura me punë dhe detyra. Ky është një muaj interesant, sepse ju ofron shansin e duhur për të fituar kundër armiqve tuaj. Ditët e vetme më pak të bukura janë nga fundi i muajit. Nga datat 26-27 gusht do të ketë pak stres më tepër për t’u kapërcyer. Disa konflikte të parëndësishme do të shmangen.

 

Dashuria: Më në fund, Venusi është në anën tuaj këtë gusht. Kjo përfaqëson një element force, për ta përjetuar dashurinë me më shumë qetësi. Nëse, siç mendoj unë, ka pasur momente të paqeta në këta tre muajt e fundit të shkaktuara nga largësia, tani situata është më e mirë. Çiftet që duhen, tani janë më të forta për të përballuar problemet. Çiftet e ndara janë më të qetë dhe mundësia për të pranuar një kompromis tani duket më pranë. Historitë e lindura në mënyra të ndërlikuara, fuqizohen. Edhe ata që i kanë dhënë fund një lidhjeje të pamundur, tani janë të lumtur që e bënë, sepse më fund kanë në mendje një projekt të ri për jetën. E kanë rrugën të lirë! Gushti ju krijon mundësinë për njohje të reja edhe gjatë udhëtimeve. Është një horoskop tepër intensiv për ata që dëshirojnë të kenë një fëmijë. Ditët e vetme të tensionuara janë datat 24 dhe 31 gushti. Në çift, gjatë këtyre ditëve do të ketë diçka për të diskutuar, apo thjesht një problem financiar që duhet zgjidhur.

 

Shëndeti: Ngadalë-ngadalë po rikuperoni energjinë dhe ky është një hap i rëndësishëm, pa dyshim. Gushti është në favorin tuaj. Ka gjasa të ndiheni më mirë, të çliruar nga shumë vështirësi. Por mos harroni se jeni në një vit që mund të sjellë shndërrime rrënjësore dhe si pasojë, edhe ndonjë moment stresi. E rëndësishme është t’ia arrini qëllimit dhe kjo gjë do të ndodhë patjetër. Kjo gjë do ta kufizojë stresin tuaj dhe do t’ju sjellë vetëm mendime pozitive.

 

AKREPI: Kohët e fundit duhet të keni pasur rikonfirmime të mira, prandaj ky tranzit i gjatë i Mërkurit të favorshëm ju ka ndihmuar të shpëtoni një ujdi ose të bëni zgjedhje për të ardhmen tuaj. Nëse vjet filluat një kapitull të ri në fushën e punës, urtësia dhe përgatitja juaj më në fund do të shpërblehen. Përpiquni të mos ushqeni dallimet e opinioneve, meqë prej disa kohësh jeni kundër gjithçkaje. Ndoshta jeni përplasur edhe me shefin. Kush ka filluar një punë të re, është akoma më i favorizuar. Yjet e gushtit do të ndihmojnë ata që kërkojnë punë të re, por nuk do të shpërblejnë ata që duan të bëjnë investime me risk. Mos harroni që Saturni fillon një transit të veçantë në fund të vitit dhe ju fton të kurseni. Ka gjasa që të gjitha veprimet që keni bërë këta muajt e fundit të jenë përcaktuar nga një lloj dëshire për të ndryshuar jetën. Kush është më i lirë dhe mund t’ia lejojë vetes, me siguri tani është në ndonjë vend tjetër ose me ndonjë ide tjetër në kokë. Ndryshimi i grupit ose zyrës është dëshira juaj më e madhe. Shpresoj t’ju realizohet. Qielli vazhdon të jetë i rëndësishëm për ata që punojnë me kohë të pjesshme, por tani duhet të bëjnë zgjedhje të mëdha.

 

Dashuria: Çiftet që janë prej vitesh në krizë duhet ta kenë kapërcyer periudhën më kritike. Prandaj, nga ky këndvështrim, gushti nuk përfaqëson një pengesë. Që nga e premtja, 7 gusht, do të jetë e mundur të dashuroni më fort dhe më në fund mund të jetoni një pasion të fortë. Madje, për shumë të lindur të kësaj shenje, 15 gushti do të jetë një ditë për t’u mbajtur mend. Zemrat e vetmuara që nuk po gjejnë dashurinë duhet të pyesin veten nëse nuk kanë shumë pasiguri për t’i kapërcyer. Kujdes në marrëdhëniet me njerëzit që jetojnë larg apo kanë diferencë të madhe në moshë. Sidoqoftë, ndonjëherë Akrepi është më i pasionuar kur përjeton histori të ndërlikuara; ato që s’dihet si e kanë fundin. Pak mazokizëm është i pranishëm në të gjitha historitë e dashurisë së atyre që kanë lindur në këtë shenjë. Prandaj marrëdhëniet janë të improvizuara dhe të ndryshme. Nga njëra anë e fusin në mendime dhe nga ana tjetër e zbavitin Akrepin tonë. Në gusht nuk duhet të jeni të papërgatitur. Për ata që duan të kenë takime të pëlqyeshme, dy javët e para të muajit janë intriguese. Vazhdon periudha e mirë edhe nga e diela, 23 gusht, deri të hënën, 31.

 

Shëndeti: Gushti duhet të jetë muaji që u rezervohet pushimeve dhe pikërisht për këtë të fton të jesh i qetë, t’i marrësh gjërat shtruar, sepse këto kohët e fundit keni përjetuar probleme për faj të një shpërqendrimi. Qetësohuni! Është më mirë të qetësoheni dhe t’i shmangni problemet, sidomos gjatë të dielave të muajit. Gjithçka do ta keni me tepri.

 

SHIGJETARI: Marrëdhëniet profesionale ende nuk janë më të mirat. Në raste të jashtëzakonshme, disa shtigje mund të kenë ndryshuar në muajt e fundit. Edhe ju keni dëshirë të bëni gjëra të reja. Ndoshta prandaj do të ndryshonit gjithçka; që nga shefi deri te kolegët; që nga vendi ku punoni, deri te lloji i aktivitetit. Dhe s’është e thënë që kjo gjë nuk ka ndodhur. Kjo mbetet një periudhë kërkimesh dhe sistemimesh. Megjithatë mund të bëni projekte për vjeshtën. Gjithçka që nuk ishte e mundur të realizohej vjet, tashmë është e mundur. Do të favorizohen fillimet e reja, qofshin ide apo projekte. Momenti është pak kritik për nëpunësit, sepse keni rreth një vit që kërkoni të shpëtoni çfarë mund të shpëtohet. Përveç kësaj, ka një problem me shefat, kolegët. Nuk ndiheni më pjesë e një grupi. Ose mund të mendoni që tashmë nuk janë më në anën tuaj. Kush ka një aktivitet privat, një dyqan, ose merret me tregti, duhet të kufizojë në maksimum shpenzimet, veçanërisht nëse ka fëmijë. Nevojat janë dyfishuar gjatë dy viteve të fundit. Edhe pse gushti është një muaj që u kushtohet pushimeve, nga data 5 deri më 20 mund t’ju vijë në mendje ndonjë ide e bukur. Nga data 13 pritet një telefonatë e veçantë. Shfrytëzojeni intuitën speciale që keni.

 

Dashuria: Keni stimuj të mjaftueshëm në çift? Pyes, sepse nuk është e thënë që të jetë një krizë e thellë. Ndonjëherë është thjesht mërzia që ju kaplon. Ja pse gushti duhet kaluar sa më mirë, edhe për të bërë zgjedhje të tjera me partnerin. Nëse keni pasur bllokime ose probleme të rëndësishme, duhet të zgjatni dorën. Kjo gjë do të jetë më e mundur pas datës 17 gusht. Gushti favorizon takimet plot pasion që mund të përfshijnë beqarët e kësaj shenje. Por kujdes! Ky është një muaj që dhuron lidhje të shkurtra, prandaj bëni kujdes. Sidomos nëse është një i njohur, një person i martuar apo një person që ndodhet larg dhe arrihet me vështirësi. Historitë që lindin tani mund të jenë të ndërlikuara për arsye të ndryshme. Megjithatë është e rëndësishme të çliroheni nga një fazë pasigurie dhe ankthi, që prej kohësh mbizotëron në jetën tuaj. Duhet të jeni më bashkëpunues në lidhjet afatgjata. Nëse jeni beqarë, duhet të çliroheni nga paragjykimet.

 

Shëndeti: Gjithçka duket pak më e rëndë. Njëfarë acarimi mund të shtohet ditë pas dite. Përpiquni të jeni më të gjallëruar. Shpresoj të mos jeni të detyruar të punoni në gusht, sepse do të ishte mëkat të shkojnë dëm rastet e mira që ju paraqiten nga data 19. Qoftë edhe sa për të marrë veten. Në pjesën e dytë të muajit, nervat tuaja do të jenë më të qeta. Kjo do t’ju ndihmojë që ta merrni veten. Përveç kësaj, po i afrohemi fundit të vitit, i cili pa dyshim që do të jetë më i mirë për të gjithë.

 

BRICJAPI: Vazhdojnë mosmarrëveshjet e Marsit. Këtë e interpretoj si një lloj trazimi të brendshëm, i cili ndodh ngaqë tani dëshironi t’i shikoni të mirëpërcaktuara marrëdhëniet e punës dhe projekte të filluara gjatë muajve të fundit. Mund të keni edhe mosmarrëveshje me shefin, ose te zemëroheni, sepse shumë përfitojnë nga vullneti juaj i mirë. Bëjnë më pak nga ç’duhet meqë ju veproni në vend të tyre; fundja s’ju vjen keq për këtë, sepse mendoni që më mirë se ju s’i bën askush tjetër. Shprehja “bëje mirë, bëje vetë!”, përshtatet më së miri me stilin tuaj të jetesës. Për ata që punojnë në turizëm ose që duhet të përveshin mëngët edhe në gusht, dy javët e para janë interesante. Pastaj, nga e shtuna, 22 gusht, Dielli hyn në një shenjë mike dhe gjithçka do të jetë akoma më e lehtë. Pikërisht këtë ditë shumë do të rikthehen në punë pas një periudhe pushimi. Një investim i vogël mund të ketë lidhje me shtëpinë. Marrëdhënie të mira me Virgjëreshën, Akrepin dhe Peshqit. Nëse keni ngritur ndonjë padi apo keni bërë ndonjë diskutim, ka gjasa që nga fundi i gushtit dhe shtatori të merrni lajme të mira.  Për profesionet e lira, yjet janë në pozicione të shkëlqyera. Është një qiell i hapur që ju lejon të bëni gjithçka që dëshironi. Telefonata të reja.

 

Dashuria: Dashuria në gusht do të vihet në provë, por vetëm ngaqë do ta mbani mendjen te puna dhe te paratë, ose do të filloni një aktivitet me një person të dashur dhe fillimet janë përherë pak të vështira. Kush ka fëmijë dhe është i shqetësuar për shpenzimet, apo duhet të ndreqë problemet me disa të afërm, në mënyrë të pashmangshme do të fillojë diskutimet. Ditët më të acaruara do të fillojnë nga 15 gushti. Historitë më pak interesante, apo ato që fillojnë për lojë, do të rrezikojnë pak më shumë. Mund të sqaroni çështje që nuk funksionojnë. Bëni kujdes nëse ju rikthehet një ish-partner me kërkesa të papërshtatshme. Mirë shkojnë edhe takimet me kohë të pjesshme, pavarësisht se ju të Bricjapit jeni njerëz shumë seriozë, që nuk jepeni kollaj. Nuk është e thënë që nëse jeni vetëm sa herë dilni në një takim, ai duhet të jetë medoemos takimi i jetës suaj. Madje, në gusht, është më mirë të mendoheni para se të bëni zgjedhje të nxituara! Do t’i përjetoni ndjenjat me një lehtësi më të madhe. Edhe sensualiteti është më energjik, por gjithçka në kohën e duhur, prandaj është më mirë të mos vazhdoni në situata që mund të rezultojnë false për ju.

 

Shëndeti: Nga këndvështrimi fizik, gushti nuk lë asgjë për të dëshiruar, edhe pse rikuperimi i plotë do të ndodhë pas datës 23. Nga data 20, Mërkuri do të kthehet në një pozicion të favorshëm, duke formuar një trekëndësh fati me Jupiterin dhe Uranin. Ky trekëndësh përfaqëson forcën për të kapërcyer problemet dhe për të filluar me trajtimet estetike. Lajme të reja.

 

UJORI: Përfundon transiti intrigues i Venusit, i cili nuk bëhet kundërshtues, por thjesht neutrale. Marsi është në një transit të rëndësishëm, në një vend që ju lejon të përballoni me sukses problemet. Është e dobishme t’i kuptoni kufijtë tuaj. Është e vërtetë që Ujori nuk dëshiron të varet nga paratë dhe nuk i shikon llogaritë, por ka një kufi për gjithçka. Të gjithë ata që prej vitesh nuk paguhen mirë, apo që janë shpërblyer me një “të lumtë!”, me të drejtë nuk janë të kënaqur. Saturni do t’ju ndihmojë të hiqni shpenzimet e kota në mënyrë që të mos ngatërroheni. Ndjeshmëria shtohet dhe shndërrohet në një lloj shqise të gjashtë. Kjo ju ndihmon të bëni zgjedhjet më të rëndësishme. Një Ujor e ka të vështirë të bëhet i ngjashëm me të tjerët dhe ky nuk është defekt, por të notosh kundër rrymës është gjithmonë e lodhshme. Do të ndryshohet një rrugë e nisur prej vitesh. Ka ardhur agimi për një jetë të re profesionale. Kjo do të jetë një fazë pjekurie dhe plotësimesh. Do të jetë akoma më e fortë kur në dhjetor, Saturni, planeti i urtësisë, kohës dhe gjërave konkrete, do të hyjë në këtë shenjë zodiakale.

 

Dashuria: Ata që janë të dashuruar thellësisht me dikë, tani kërkojnë më shumë. Po i afrohemi dhjetorit dhe po i afrohemi transitit të Saturnit në shenjën tuaj. Do të shtohet nevoja e Ujorit për të ligjëruar një bashkim apo për të përcaktuar më mirë marrëdhënien sentimentale. Ata që kanë përkrah partnerin e duhur, do të duan të martohen apo të bashkëjetojnë në muajt e parë të vitit tjetër. Gushti është i dobishëm për të folur për dashurinë dhe për ta përkufizuar sa më mirë një marrëdhënie. Një parantezë e zbavitjes dhe kënaqësisë do t’ju paraqitet më 15 gusht. Në tërësi, i gjithë muaji provokon një situatë intriguese për ndjenjat. Këtë herë s’është nevoja t’i tregoni partnerit që ju jeni miku dhe dashnori më i mirë që ka takuar ndonjëherë! Përkundrazi. Është e rëndësishme t’i ktheni sytë nga vetja për të kuptuar nëse personi pranë jush është i duhuri për ju. Fundi i gushtit do të sjellë një reflektim të saktë për fatin tuaj në fushën e ndjenjave. Pra, kanë rrugë të lirë lidhjet me vlerë, lidhjet konstruktive dhe me plane. Duhet të bëni kujdes për çështjet financiare nga data 5 deri më 20 gusht, sepse ndihet kundërshtimi i Mërkurit. Do të ketë tensione të mundshme që kanë lidhje me paratë.

 

Shëndeti: Ka ca kohë që nuk ndiheni të qetë. Po kaloni momente me një tension të brendshëm të fortë, por ky është një vit i rritjes dhe sjell në mënyrë të pashmangshme disa pavendosmëri ose momente lodhjeje. Pas pak, Jupiteri dhe Saturni do të futen në shenjën tuaj. Ja pse do të jetë e rëndësishme ta ktheni vështrimin nga vetja për t’u përmirësuar. Një revolucion i vërtetë.

 

PESHQIT: Jupiteri dhe Saturni mbeten aleatët tuaj edhe në gusht. Do të bëhen projekte në vjeshtë dhe sa më tepër ecim përpara në kohë, aq më shumë shanse do të keni për t’ia dalë mbanë. Situata ndryshon për mirë për ata që nisën një rrugë të re, që firmosën një kontratë të re, apo për ata që zgjodhën rrugën e tyre. Të gjithë do të kenë sukses. Edhe transferimet apo ndryshimet e punës do t’i merrni me pozitivitet. Vazhdon vala pozitive për ata që duan të fillojnë një biznes më vete, për ata që diskutojnë për çështjet që kanë të bëjnë me financat. Edhe blerjet favorizohen. Në këtë pikë duhet kuptuar çfarë synoni të bëni dhe sidomos, cilat janë mundësitë tuaja fillestare. Duhet të veproni në momentet më të mira. Kjo është e rëndësishme. 20 ditët e para të gushtit janë të dobishme edhe për të studiuar strategji të reja. Natyrisht, ata që kanë një biznes që ka lidhje me turizmin apo krijimtarinë, do të jenë më të favorizuar. Flitet për një vjeshtë të suksesshme.

 

Dashuria: Është një qiell i bukur për ata që duan t’i kapërcejnë krizat ose largësitë në tre muajt e fundit. Varet nga vullneti i secilit, por të premten, më 7 gusht, yjet ju ndihmojnë me ndjenjat. Ata që janë ndarë do të gjejnë një dashuri të re. Ata që e kanë vënë në diskutim një histori, mund të mendohen thellë. Keni Mërkurin dhe Venusin si aleatë dhe kjo është e rëndësishme. Në fundjavën e 15 gushtit, qielli do t’ju dhurojë diçka më tepër. Kthehet një dëshirë e madhe për të dashuruar. Derisa një dashuri të jetë pa probleme, do të jetë shumë e rëndësishme për ju që t’i thoni hapur ndjenjat tuaja, duke i shmangur përballjet që mund të jenë të pakëndshme për momentin. Ju nuk jeni nga ata njerëz që harrojnë lehtë. Prandaj, nëse sapo keni dalë nga një lidhje, mos bëni krahasime me të shkuarën tuaj. Çdo person është unik, ashtu si dashuria. Venusi është në favorin tuaj dhe ju sjell takime të këndshme, përforcimin e dëshirës. Takimet gjatë këtij muaji janë shumë intriguese. Për ata që dashurojnë dhe nuk duan të heqin dorë nga një pasion, është koha për të bërë një marrëveshje të re sentimentale. Ndiqeni intuitën tuaj në dashuri, sepse këtë herë nuk do t’ju mashtrojë. Nëse keni ndër mend të bëni njohje të reja, do t’ju rikthehet dëshira për të jetuar një lidhje plot pasion dhe surpriza edhe nga fundi i muajit.

 

Shëndeti: Horoskopi i gushtit është mjaft pozitiv për ju. Ata që janë ndjerë keq mund të rikthehen shumë shpejt në formë dhe të jenë energjikë. Edhe pse nga pamja e jashtme mund të duket e kundërta, në fund gjithçka do të zgjidhet pozitivisht. Ata që duan një sjellje të favorshme, këshillohen të mos mbyllen në vetvete. Duhet t’i marrin gjërat më lehtë. Por pas datës 30 gusht duhet të mbani në kontroll tensionin nervoz. Ditët 26 dhe 27 gusht do të jenë të tensionuara.