Lajme

Beatrix Ramosaj flet pa doreza: Tani e kuptoj çfarë i kam bërë vetes

By Vizion

September 22, 2016

Betarix Ramosaj, për një kohë të gjatë ka qenë një huhanpirëse e rregullt, por prej 2-javësh ka vendosur dhe e ka mbajtur fjalën për ta lënë.

Dhe ja cili është mesazhi i saj në instagram, i cili nuk ka nevojë për interpretim.

Kam qenë ajo vajza që kam pirë 2 paketa cigare në ditë, kishte raste dhe më shumë. Secili nga ne në periudha të ndryshme dhe sidomos në moshën e adoleshencës e kemi provuar cigaren, disa e kanë lënë me kaq dhe disa të tjerë, fatkeqësisht unë në këtë rast, e vazhdova për një kohë të gjatë. E pija fshehur mamit edhe babit dhe gjithmonë mundohesha të gjeja një arsye për të dalë nga shtëpia që të kisha mundësi ta pija të paktën atë paketën që më kishte mbetur. Shumë herë më ka kapur mami paketa dhe gjithashtu kam ngrënë një shuplakë që do ta mbajë mend tërë jetën dhe, sinqerisht, kam merituar më shumë se një. Nuk arrija të kuptoja se sa shumë po më dëmtonte shëndetin dhe, mbi të gjitha, dhuratën time më të shtrenjtë që më ka dhuruar Zoti, “Zërin”. Çdo ditë po kaloja limitet, zgjohesha me mendje me pi kafe; cigare. Edhe njerëzit që rrinin me mua ndikoheshin keq nga ana ime duke më parë mua që pija shumë, edhe ata pinin njësoj si unë. Para 15 ditëve po diskutonim për cigaren në tavoline me kushëririn tim Metin (nuk është duhanpirës) dhe Ervin, të dashurin tim. Kisha kohë që e mendoja ta lija, por thjesht nuk dija se si. Duke folur u thash të dyve “unë nesër do ta lë cigaren” dhe ata qeshën, sepse duke më parë se sa shumë pija, u dukej e pamundur dhe, mbi te gjitha, as mua vete s’më besohej. Thashë “sonte do pi sa të mundem dhe kur të zgjohem nesër, nuk do ta pi më.” Dhe ashtu ndodhi, dy ditët e para kam pasur shumë vështirësi me gjumin, trupi im nuk ishte mësuar pa nikotinë dhe e kam përjetuar shumë keq, ka pasur ditë që isha shumë nevrike dhe filloja qaja nga sikleti. Pastaj, Zoti më solli disa situata shumë të vështira, një nga rastet ishte që kisha mamin në spital (tani është më mirë, faleminderit Zotit). Në këtë rast, unë në të shkuarën do kisha pirë dy paketa, por jo, nuk e ndeza kurrë më dhe pjesa më e mirë e gjithë kësaj ishte reagimi i mamit, vëllait, komplet familjes duke më thënë “bravo Trixa, çfarë karakteri, bravo sa e fortë” etj. Edhe Ervi gjithashtu sot bën 1 javë që nuk pi më cigare, uroj shumë të mos e ndezë më kurrë! E di, e di që është shumë e vështirë për secilin nga ju, por unë tani po e shikoj se çfarë i kam bere vetes tërë këto vite, kam filluar po pastrohem, kam filluar po merrem më shumë me veten, kam filluar vrapin dhe do filloj dhe palestrën së shpejti. Oh, gati harrova, ndjej çdo aromë të ushqimeve, parfumeve, edhe i shijoj ushqimet më shumë, fytyra ime, lëkura ime duket 100 për qind ndryshe, janë gjithë këto të mira që ndodhin pasi ta lini cigaren. Uroj shumë që fjalët e mia të ndikojnë pozitivisht tek secili prej jush.