Bashkia e Tiranës kërkon amendim të ligjit për të ndihmuar bizneset që...

Bashkia e Tiranës kërkon amendim të ligjit për të ndihmuar bizneset që preken nga situata si pandemia e Covid-19

232
0

Bashkia e Tiranës ka kërkuar amendim të ligjit për të ndihmuar bizneset që preken nga situata të ngjashme si pandemia e Covid-19. Kërkesa në fjalë është bërë në seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku po diskutohet Pr/Buxheti i vitit 2021. Bashkia ka kërkuar të shikohet mundësia ligjore për të mos aplikuar një taksë të caktuar në situata të caktuara, siç ndodhi këtë vit me pandeminë Covid-19. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, tha sot se do ishte me vlerë që bashkive t’u jepet e drejta, që përmes një vendimi të këshillit bashkiak, të mos e aplikojnë një taksë për një sektor të caktuar, që mund të jetë prekur rëndë nga pandemia. Ai solli rastin e sektorit të hotelerisë në Tiranë, e cila është dëmtuar rëndë për shkak të ndalimit të lëvizjeve këtë vit. Mazniku shtoi se përmes këtij ndryshimi do të krijohej mundësia e mbështetjes së bizneseve në periudha të tilla të vështira.

“Kërkesa jonë ka të bëjë me shikimin e mundësisë që t’u jepet hapësirë bashkive, që për situata si ky vit me pandeminë, të kenë mundësi që me një vendim të këshillave bashkiakë të mos aplikojnë taksa të caktuara. Për shembull, në Bashkinë e Tiranës sektori i hotelerisë është dëmtuar shumë nga situata e Covid-19, deri në nivelin 50-60%, sepse duke qenë se njerëzit nuk kanë lëvizur, hotelet nuk kanë pasur mundësi të punojnë. Një ndër politikat që Bashkia e Tiranës do të donte të aplikonte është mosmbledhja e taksës së pronës për këtë sektor, por ama ligjërisht nuk mund ta bëjmë këtë të gjë.

 

Ne mund të bëjmë vetëm uljen me 30% të tarifës, por kjo është e pamjaftueshëm për këtë sektor, i cili është prekur masivisht nga Covid. Ne kërkojmë që të shikohet mundësia ligjore që t’i jepet e drejta bashkive, përmes një vendimi të këshillit bashkiak, që të mos e aplikojmë një taksë të caktuar për një sektor të caktuar, kur ka situata specifike si kjo”, shpjegoi nënkryetari Mazniku. Gjatë periudhës së pandemisë, Bashkia e Tiranës vendosi një sërë lehtësirash për taksat lokale për bizneset të cilat operojnë në kryeqytet.