Basha mesazh urimi mësuesve dhe nxënësve: Askush nuk do donte që dita...

Basha mesazh urimi mësuesve dhe nxënësve: Askush nuk do donte që dita e parë të ishte kështu, por normaliteti do rikthehet sërish

319
0

Kreu i PD Lulzim Basha uron gjithë mësuesit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe në këtë periudhë pandemi kërkon durim dhe respektim të rregullave sepse normaliteti do të rikthehet sërish.

 

“Të dashur nxënës dhe mësues që sot nisni vitin e ri shkollor, ju uroj nga zemra suksese!Urime më të mira për mësuesit tanë që këtë vit do të përballen me orare të zgjatura dhe vështirësi më të mëdha se vitet e tjera. Jam i bindur se me përkushtimin për profesionin dhe kujdesin për nxënësit, do t’ia dilni me sukses për të përballuar këtë realitet të ri dhe sfidues. Një urim i veçantë nga zemra për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle”, shkruan Basha ndër të tjera.

 

Më tej, kryedemokrati uron dhe gjimnazistët për të cilët thotë se do ta kenë vështirë të ruajnë distancën për shkak të energjive të moshës, por nga sjellja e tyre varen jetë njerëzish.

 

“Urime të gjithë gjimnazistëve në këtë vit sfidues! E di se do ta keni të vështirë të ruani distancën, pasi e tillë është edhe energjia e moshës, por ju lus të silleni me vetëdije, se nga sjellja juaj varen jetë njerëzish. Normaliteti do rikthehet sërish, e ju mund të kapni kohën e humbur me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që nuk kthehet është jeta. Pranda lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin. Ditë më të mira na presin”, përmbyll ai.