Politike

Basha: Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas

By admin

August 29, 2017

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar sot që librat për arsimin e detyrueshëm të jepen falas dhe të krijohen lehtësira për paisjen e nxënësve me libra për të shmangur radhët e gjata të tyre dhe prindërve.

Në një deklaratë për mediat sot pasdite, kryetari i PD-së Basha u shpreh se në vend që të sjellë gëzim, fillimi i shkollës sjell ankth financiar dhe vështirësi për qindra mijëra nxënës dhe familjarët e tyre që paguajnë mbi 15 milionë dollarë çdo vit për librat e shkollave fillore dhe të mesme.

Basha shtoi se “Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm nuk jepen falas, madje që të blejne këto tekste shkollore prindërit dhe nxënësit torturohen me orë të tëra në rradhë për shkak të sistemit klientelist të shpërndarjes në pak pika.Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Kjo do të ishte një ndihmë të madhe për familjet shqiptare dhe shkollimin e fëmijëve të tyre”.

“Një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”, përfundon deklaratën kryetari i PD-së, Basha.