Basha: 3 kushte për reformën zgjedhore. Rama, thelbi i problemit

Basha: 3 kushte për reformën zgjedhore. Rama, thelbi i problemit

342
0

 

Lulzim Basha ka njoftuar të hënë se Partia Demokratike ka nisur sot përpjekjen për reformimin e sistemit politik në vend. Në një prononcim për mediat, Basha ka deklaruar se politika është burimi i gjithë të këqijave në vend, ndaj dhe opozita ka nisur këtë betejë, e cila sipas tij nuk do të jetë vetëm politike, por edhe qytetare.  “Shqipëria meriton dhe duhet të ketë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit. Ndaj, e para në këtë drejtim është reforma zgjedhore, që do t’i japë fund shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri”, ka thënë Basha.  Ai ka theksuar se, përsa kohë qeveria vjen nga vota e krimit dhe drogës, ajo nuk do t’u shërbejë kurrë qytetarëve. Në këto kushte, ka vijuar basha, reforma zgjedhore është një domosdoshmëri dhe për realizimin e saj PD ka 3 kushte.  “Ne jemi të hapur për modelin e saj, por duhet të plotësohen 3 kushte: votimi dhe numërimi elektronik; ulja e rolit të kryetarëve dhe partive në proces; dhe dhënia e më shumë pushtet qytetarëve. Pasi ky është një proces që nuk u takon vetëm partive politike, por gjithë qytetarëve, ndaj duhet t’i angazhojmë të gjithë për të dhënë kontributin e tyre”, ka pohuar Basha.  I pyetur nga mediat për votën e emigrantëve, Basha ka deklaruar se ajo është një çështje që e kanë ngritur demokratët të parët dhe rrjedhimisht PD nuk do të lejojë që ajo të kthehet në çështje fasadë nga qeveria.  “Ndaj reforma zgjedhore do garantojë votën e gjithë shqiptarëve ku jetojnë”, ka thënë Basha, duke shtuar se thelbi i problemit në këtë reformë është kryeministri Rama, i cili sipas tij vrau marrëveshjen e nënshkruar mes tyre.  “Edi Rama vrau marrëveshjen. Se cili do të jetë qëndrimi i tij do ta shohim, por deri tani kemi parë se ai është rreshtuar përkrah atyre që iu mohojnë vullnetin qytetarëve përmes angazhimit të parave të pista dhe interesave të tjera. Ndaj në këtë përpjekje ne nuk e llogarisim Edi Ramën si aleat, por si vetë problemin. Pa ndryshuar politikën nuk do ketë ndryshim të Shqipërisë”, ka shtuar Basha.