Banesë e re për familjen e prekur nga tërmeti, Veliaj: Për politikë...

Banesë e re për familjen e prekur nga tërmeti, Veliaj: Për politikë nuk do bëhej kurrë

217
0

Tërmeti i 21 shtatorit shkaktoi dëme të mëdha materiale në Tiranë dhe Durrës, ku shumë banesa u dëmtuan. Mes atyre që humbën pasurinë e tyre, shtëpinë, ishte dhe familja e Mynyr Stafës në Picallë të Petrelës. Pasi lëkundjet e forta prej 5.8 ballësh i shkatërruan banesën, familja me 7 anëtarë u detyrua të flejë në çadër. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ka nisur nga puna për të ndërtuar nga e para shtëpinë e tyre të re.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia, e siguroi familjen Stafa se Viti i Ri do t’i gjejë në një banesë të re. Ai theksoi se nën përkujdesjen e veçantë edhe të kryeministrit, do të rindërtohen të gjitha banesat e dëmtuara. “Do ta rregullojmë shtëpinë për ty, për nusen, për 4 kalamajtë, për gjyshen. Më vjen mirë që, brenda javës, u bë vlerësimi i dëmit, erdhi firma. Kryeministri ka shprehur një merak shumë të veçantë për ta azhornuar përditë se ku jemi me shtëpitë. Shteti ka qenë në këmbë, sidomos në fillim, për shpëtimin e njerëzve dhe më pas në kohë rekord, për të vlerësuar të gjitha shtëpitë”, tha Veliaj.

“Shtëpitë e ndërtuara në mënyrë modeste ishin të parat që u goditën. Po ashtu, do të ndërtohen të parat. Sigurisht, do të merremi edhe me ato shtëpi që kanë nevojë për suva e meremetime. Kryesisht janë shtëpitë e fukarenjve, e atyre që i kanë bërë me shumë mund, me mjete rrethanore, me kushte primitive, kështu që do t’u japim atyre rëndësi”, deklaroi ai.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Veliaj theksoi se fakti që puna filloi menjëherë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara dhe që të gjithë janë ende në terren, është treguesi më i qartë se kjo nuk është për zgjedhje apo për politikë. “Po të ishte kjo për punë zgjedhje, për politikë, nuk bëhej kurrë. Fakti që sot nuk kemi asnjë nevojë të tillë, por vetëm njerëzillëku që ta mbarojmë këtë punë dhe të dalim faqebardhë nga kjo sfidë që na solli Zoti, natyra, e ta përballojmë me dinjitet. Kjo na ka bërë që të jemi këtu përditë. Kështu që, edhe administratori, edhe Xhemali, gjithë forcat tona në terren kanë bërë një punë fantastike”, tha ai.