Ballëm Sulltan, ky vend mistik që të jep forcë

Ballëm Sulltan, ky vend mistik që të jep forcë

694
0

Nga Brunilda Gorovelli

Çdo teqe dhe tyrbe bektashiane ka një datë ku të gjithë mblidhen për të festuar, Ballëm Sulltan e ka në çdo vit në datën 29 qershor. Është e mrekullueshme ndërsa nisesh të udhëtosh në mëngjes herët me besimtarë të moshave të ndryshme, fëmijë, të rinj edhe të mëdhenj.  Një aktivitet i përvitshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane që të jep çdo herë përjetime të veçanta e asnjëherë të njëjta. Përveç besimtarëve të zonës së Martaneshit, dhjetra besimtarë u nisëm nga Tirana për të qenë në shpellën e shenjtë, duke përshkuar rrugën mes për mes maleve. Gjatë gjithë rrugës të shoqërojnë pemët e larta të pyjeve, luleshtrydhet e egra që duken kaq të shijshme, dielli i nxehtë dhe era e lehtë që të ledhatonte si për të të mbrojtur nga rrezet e forta e për të na e bërë rrugën më të lehtë. Ende pa shkuar aty, duket që shenjtëria e tij të shoqëron përgjatë udhëtimit. Besimtarët më në moshë tregonin histori të veçanta për fshatrat ku ne kalonim, por me interesante ishte fshati i qujtur Piza.

Një fshat ku lendina ishte plot me gjelbërim e pak me tutje gjendeshin ndërtesa të vjetra të kohës së komunizmit që nga besimtarët cilësoheshin si “pallate”. Sa interesante!!! Mes maleve dhe pyjeve, ku tek-tuk gjendej ndonjë shtëpi, ti mund të shikosh edhe pallate 2-3 katëshe. Të lëna ashtu të shkreta, por që mbajnë në vete histori të madhe. Pak më tutje të pret liqeni artificial, i madh, i bukur, e i qetë… e ndërsa hedh vështrimin më tej qëndron stoike shpella e lashtë e Ballëm Sulltanit, Pirit të Dytë të bektashizmës.

Pas kësaj panorame që shfaqet para syve të tu, një bukuri mahnitëse mbërrin në Teqenë e Ballenjës, e cila pret e përcjell njerëz në këtë ditë të shenjtë. Me veçanta e tyre ishte ndërtesa e parë e rindërtuar me mure guri, tashmë një teqe muze ( kështu shpreheshin besimtarët që ishin atë ditë aty). Për këtë ndërtesë 3-kateshe ata treguan dhe një histori mjaft mbresëlënëse, e cila vinte në pah fuqinë e vendit të shenjtë dhe të Pirit të Dytë të Bektashizmes. “ Gjatë kohës së luftës Babai që ka shërbyer është gjendur përpara faktit të prishjes së Teqesë, por fuqia e tij mistike bëri që forcat ushtarake të mpihehsin sa të mos lëviznin, ndaj u dorëzuan duke rregulluar edhe dëmet që kishin shkaktuar”, tregon një nga besimtarët. Kështu duke treguar histori, mbërritëm në selinë ku na priste Baba Hysniu për t’a përshëndetur dhe uruar në këtë ditë të shenjtë, e të merrnin uratën nga vendi i shenjtë.

Në zemër të gjithë vendit shikoje makina të shumta, çadra të ngritura gjith-andej, dhe sofra të shtruara në tokën e shenjtë. Qindra pelegrinë gëzueshëm hidhnin valle teksa prisnin që të mbërrinte edhe Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Pak më tutje ndodhej një çesme, e cila kishte ujë të ftohtë akull, ku besimtarët freskoheshin herë pas herë. Ngjitja e shkallëve të lashta, të çon drejt dhe tek shpella, e ndriçuar në këtë ditë nga drita e shumtë e qirinjve. Në brendësi të saj mban mistikën dhe të ftohtin që çdo besimtar ndjen teksa lutet dhe ndez qirinj. Besimtarët luten të gjejnë shërim për hallet dhe problemet e tyre. Të shumtë ishin ata që kishin vendosur që të kalojnë natën aty, në shpellën mistike pranë mezareve, ku temperaturat qëndrojnë njësoj si dimër e verë.

Sigurisht në këtë ditë të rëndishme të Ballëm Sulltanit ishte i pranishëm edhe Baba Mondi, i cili i ka uruar mirëseardhjen besimtarëve, përfaqësuesve të institucioneve kulturore dhe lokale.  “Ballem Sulltani ka qenë dhe do mbetet një shenjtor i madh dhe reformator i madh i Bektashinjve, i cili ka dhuruar paqe, dashuri dhe mirësi njerëzimit ndaj do mbetet i paharruar”, është shprehur Baba Mondi.

Pas fjalës përshëndetëse dhe lutjes së bërë nga Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, fjalën e morën edhe përfaqësues të tjerë të qendrave kulturore që ishin të pranishëm aty, ndërkohë nuk munguan edhe poemat mistike drejtuar vendit të shenjtë, interpretuara nga të rinjtë të cilët ishin veshur me kostume popullore.  Dita vazhdon më drekën dhe nefeset bektashiane, të cilat këndohen bashkarisht me baballarët, dervishët dhe besimtarët e shumtë.