Ekonomi

ASD: 3.7% e individëve kanë 56% të totalit të depozitave në banka

By vizional

April 05, 2019

Depozitat e sigurueshme të individëve në sistemin bankar më 31 dhjetor 2018 arritën 922.3 mld lekë, sipas të dhënave të publikuara në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD). Numri në total i depozituesve individë që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave në sistemin bankar, në fund të vitit 2018 është 2,388,717, thotë ASD, dhe gjatë periudhës 16 vjeçare të aktivitetit të skemës së sigurimit të depozitave, ky numër është rritur 6 herë (krahasuar me 400 mijë depozitues në fillim të vitit 2003). Këta nuk janë individë, sqaron ASD, pasi një individ mund të ketë disa depozita. Nga totali i depozituesve, 911,153 depozitues janë inaktivë, pasi kanë në banka midis 0 deri në 100 lekë. 1,414,440 depozitues, kanë depozita deri në 2.5 milionë lekë, pra deri në nivelin e mbulimit dhe përfitojnë mbulim të plotë nga skema e sigurimit të depozitave.

 

Ndërsa depozituesit individë me depozita më të mëdha se 2.5 mln lekë në fund të dhjetorit 2018, janë 90,845 apo 3.7% e totalit të depozituesve në vend, (përfshirë dhe ata me depozita deri në 100 lekë) dhe shuma e depozitave të tyre arriti vlerën 516.2 mld lekë, ose rreth 56% e totalit të depozitave të sigurueshme (totali depozitave =922.3 mld lekë).

 

Pra në total, 3.7% e depozituesve zotërojnë 56% të kursimeve në vend, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në statistikat e publikuara nga ASD.

 

Sipas ASD, Depozitat e siguruara të individëve për sistemin bankar në fund të dhjetorit 2018 ishin në vlerën 633.2 mld lekë dhe përbëjnë 68.7% të vlerës së depozitave të sigurueshme të individëve.

 

Për periudhën 2010-2018, përqindja e depozitave të individëve me vlerë deri në 2.5 mln lekë, varion nga 40% deri në 44% të totalit të depozitave të sigurueshme.

 

Totali i depozitave

 

Sipas ASD, përgjatë vitit 2018 depozitat e sistemit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.5%. Në fund të dhjetorit 2018, totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,121 miliard lekë, krahasuar me 1,115 miliard lekë që ishte një vit më parë, prej të cilave Agjencia ka detyrimin për kompensim prej 667.2 miliard lekë, apo 1,603,317 depozitues. Vlera e depozitave të sigurueshme në banka që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1079 miliard lekë, çka përfaqëson 96.3% të totalit të depozitave. Depozitat e sigurueshme të individëve zënë peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme, konkretisht rreth 85.5% të tyre, ndërkohë që 14.5% janë depozita të sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare.

 

Depozitat e sigurueshme në lekë, në fund të dhjetorit 2018, zënë peshën më të madhe të totalit të depozitave të sigurueshme prej 48.6%, ndjekur nga depozitat në euro me 44.4%, dhe depozitat në USD 5.1%, duke ruajtur të njëjtat raporte me një vit më parë.

 

Ndërkaq, totali i depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit është 6.9 mld lekë në fund të vitit 2018, nga 6.1 mld lekë në vitin e kaluar, me një rritje vjetore të ndjeshme prej 14%. Depozitat e sigurueshme në shoqëritë e kursim-kreditit përbëjnë 98.7% të totalit, me një vlerë prej 6.8 mld lekë, në përfitim të 21,564 depozituesve. Në fund të vitit 2018, depozitat e sigurueshme në monedhë të huaj zënë 17.8% të totalit të depozitave të sigurueshme në shoqëritë e kursimkreditit, ndërkohë që pjesa e mbetur janë depozita në lekë. Detyrimi për kompensim i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit është 5.16 mld lekë, apo 14,192 depozitues.

 

Fondet e sigurimit të depozitave në banka dhe në shoqëritë e kursim-kreditit janë rritur në mënyrë të qëndrueshme përgjatë vitit 2018. Konkretisht, vlera kontabël e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit 2018 është 38.9 mld lekë, me një rritje vjetore prej 3.89 mld lekë ose 11.11%. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së të ardhurave nga primet e sigurimit, të cilat në vitin 2018 ishin 3.27 mld lekë me një rritje prej 2.02%, si dhe rritjes së të ardhurave nga administrimi i mjeteve financiare, në vlerën 999.44 mln lekë ose 28% më shumë se në vitin 2017./Monitor