Lajme

As Kosova nuk i shpëtoi dëmeve nga tërmeti

By vizional

November 26, 2019

Lëkundjet e tokës mëngjesin e hershëm të së martës u dëgjuan edhe në Kosovë. Ani pse epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.3 ballë ishte afër Durrësit, kosovarët po ashtu ndjenë dridhjet e tokës rreth orës 4 të mëngjesit.

Qytetarët kishin dalë jashtë banesave të tyre nga frika e ndonjë lëkundje tjetër.

Nuk u raportua për lëndime, por nuk munguan dëmet materiale të shkaktuara nga lëkundjet e tokës.

Kjo është gjendja në njërin nga marketet që ndodhet në hyrje të fshatit Vragoli të Fushë Kosovës.

Disa orë pas lëkundjeve, në këtë hapësirë po vazhdon puna për sistemimin e dyqanit.

Shumica e dëmit të shkaktuar është në pijet të cilat si pasojë e tërmetit janë rrëzuar në tokë.

Punëtorët këtu edhe po e bëjnë vlerësimin e dëmit.

E jo vetëm këtu, në Fushë Kosovë po ashtu u dëgjua tërmeti.

Banorët këtu përshkruajnë momentet kur lëkundjet mjaft të fuqishme të tokës ndodhën edhe në banesat e tyre. Ata pohojnë se janë shqetësuar nga dridhjet.

Disa nga banorët këtu madje kanë dalë nga banesat dhe kanë qëndruar në oborr të ndërtesave për shkak të sigurisë.

Për dëme material është raportuar edhe në një rast në Komoran të Drenasit. Aty shihet një pjesë e betonuar e shkallëve e cila është çarë si pasojë e dridhjeve të tokës.Po ashtu çarje të mureve të ndërtesave është raportuar edhe në një rast në Komunën e Klinës.

Ndryshe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë konfirmuar se nuk asnjë person i lënduar që ka kërkuar ndihmë në këtë Qendër si pasojë e tërmetit.