Aktualitet

Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta mjeshtri shkodran

By admin

April 05, 2020

Një ditë e zezë kjo për artin shqiptar, teksa konfirmohet se mjeshtri i madh i humorit shkodran Gëzim Kruja është ndarë nga jeta. Kruja vuante prej disa kohësh nga probleme shëndetësore.

Kruja ka qindra role në skenë, dhe ka shërbyer si një arsye për të buzëqeshur për shkodranët e për shqiptarët në ditët e tyre më të vështira. Hera e fundit në publik ishte ditëlindja e tij e 80, ku Kruja mori një suprizë nga miku i tij në jetë dhe në skenë Zef Deda.

Disa informacione për jetën e humoristit të madh shkodran.

Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër. Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.