Aktualitet

Arta Marku para KLP: Nuk arrita të përmbush pritshmëritë e publikut, mungonin disa hallka të sistemit. Prokuroria i vetmi institucion me këmbë në tokë

By vizionc

November 13, 2019

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku është duke u intervistuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për garimin në postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Marku kërkoi një tjetër mandat, teksa foli për veten dhe ushtrimin e profesionit. Kryeprokurorja tha se puna e saj ka qenë e vështirë pasi mungonin disa hallka të sistemit të drejtësisë.

“Është nder dhe privilegj që jam pjesë e kësaj gare që zhvillohet për herë të parë në këtë formë. Kam lindur në 76 në Lezhë dhe fëmijërinë time e kam kaluar në Lezhë, Shkodër, Pukë për shkak të profesionit të babait tim. Kam dy vajza 9 dhe 3 vjeç, bashkëshorti im është oficer i policisë gjyqësore. Kam mbaruar studimet e larta për drejtësi në 99 në UT. Kam konkurruar në shkollën e magjistraturës, jam diplomuar në vitin 2002. Stazhin e kam kryer në Prokurorinë e Fierit. Më pas jam emëruar në Prokurinë e Shkodrës. Deri në maj 2009 kam ushtruar funksionin e prokurorit. Kam fituar një eksperiencë të mirë për shkak të hetimit të veprave të ndryshme penale. Kam punuar në një rreth aspak të lehtë. Nga maji 2009, unë jam caktuar si drejtuesja e njësisë së përbashkët hetimore në Shkodër dhe më pas zv.drejtuese deri në janar 2016, moment kur kam dhënë dorëheqjen. Funksioni im ka qenë të drejtoj, kontrolloj punën e njësisë së përbashkët hetimore. Kam fituar eksperiencë të mjaftueshme në koordinimin e veprimtarisë së njësisë. Dhjetor 2017 iu përgjigja Kuvendit për postin e PP përkohësisht. Pata kurajën të bëhem pjesë e garës, e dija që numri i kandidatëve do ishte i kufizuar për shkak të kritereve ligjore. Periudhë e mjaftueshme për të fituar një eksperiencë të mirë. Ka qenë një periudhë jo e lehtë, sistemi ishte në reformim të thellë. Vitin e parë të punës nuk ka pasur as KLP, ka qenë një terren aspak i lehtë. S’mund të kesh rezultate nëse mungojnë disa hallka të sistemit, e me kompetenca të kufizuara”, u shpreh Marku, ndërsa rrëfeu se nuk ka plotësuar pritshmëritë e publikut për shkak të mungesës së disa institucioneve.

“Pritshmëritë e publikut kanë qenë shumë të mëdha, sidomos për çështje të veçanta, me emra konkretë. Unë jam e sigurt që nuk kam arritur të realizoj pritshmëritë. Por askush nuk është kujdesur gjatë kësaj kohë qe roli i Prokurorit të Përgjithshëm ka ndryshuar, nuk është më  ai prokuror që ka të gjitha kompetencat. Unë këu nuk i kam realizuar pritshmëritë, kjo nuk ka qenë për shkak të mungesës së vullnetit nga ana ime, apo profesionalizimit, por për shkak të mungesës së kompetencës dhe reformave në drejtësi. Nëse do rikthehesha pas në kohë e them me bindje se nuk do mund të bëja asgjë më shumë për shkak të kompetencave të kufizuara. Por mund të them që Prokuroria është i vetmi institucion me këmbë në tokë dhe këtu ia kam arritur”, tha kryeprokurorja.