Arrestimi i gjyqtares Hoxha, ja sa mijë dollarë u gjetën në një...

Arrestimi i gjyqtares Hoxha, ja sa mijë dollarë u gjetën në një prej banesave të saj

400
0

 

Detaje të reja dalin në dritë nga arrestimi i gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, nën akuzën e korupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në një banesat e gjyqtares është gjetur një shumë prej 10 mijë dollarësh, pas kontrolleve të ushtruara me urdhër të SPAK-ut.

 

Pritet që të kryhen kontrolle dhe në banesat e personave të tjerë të vënë nën hetim nga SPAK, ndëkohë që janë sekuestruar dhe kompjuterat në ambientet e Gjykatës së Krujës.

 

Prokuroria e Posatshme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dhënë njoftimin zyrtar lidhur me megaoperacionin që çoi në pranga 10 persona, përfshirë gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha, dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni.

 

Burime bëjnë me dije se gjyqtarja Hoxha në bashkëpunim me disa persona të tjerë, po përgatiteshin që të nxirrnin nga burgu shtetasin Sajmir Petani.

 

Ky i fundit është i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe ishte ekstraduar nga Italia vetëm në Maj të 2020-tës, por duket se i rrinte ”ngushtë” burgu i Fushë Krujës, dhe për këtë ka nisur tratativat për korruptimin e gjyqtares Hoxha, e cila është e famshme për lirimin nga burgu të personazheve të njohura të botës së krimit.

 

Si prova materiale SPAK ka sekuestruar kompjuterat personalë të personave të ndaluar.

 

Gazetari i Fax News Elvis Myrta raporton se ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e korrupsioni, shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të funksionarëve publikë.

 

Gjyqtarja Hoxha është bërë e njohur për lirimin nga burgu me procedura të dyshimta të disa personazheve të njohur të botës së krimit si Endrit Dokle, Genc Tafili dhe Ilir Paja, dhe po ashtu lirimin e Hekuran Billës, i cili do të vritej më vonë në një atentat në Tiranë.

 

Njoftimi i plotë i SPAK:

 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj., parashikuar nga nenet 245/1, 319/ç, të Kodit Penal.

 

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

 

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

 

Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;

 

Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.

 

Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;

 

Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;

 

Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

 

Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

 

Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

 

Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

 

Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

 

Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.