Aktualitet

Arjeta Kokalari, kandidatja e APD që meriton besimin dhe votën e qytetarëve të Gjirokastrës

By vizional

June 15, 2017

Nga Klodiana Hilaj

Arjeta Kokalari, pinjolle e familjes së mirënjohur së Musine Kokalarit, vjen si një përfaqësuese ideale e komunitetit në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.  E karakterizuar nga vullneti i hekurt, vështrimi kritik dhe nga një vizion i qartë, Kokalari,  nën siglën e Aleancës Popullore për Drejtësi përfaqëson interesat legjitime dhe kauzat e papërfaqësuara të së Djathtës, duke u bazuar në parimet e shtetit të së Drejtës dhe lirive njerëzore. Me një formim të shkëlqyer akademik dhe professional, Kokalari meriton të jetë zëri përfaqësues i qytetarëve gjirokastrit në parlamentin shqipëtar. Përmes një plani të detajuar veprimi dhe përmes përkushtimit dhe punës së palodhur në të mirë të qytetarëve Arjeta Kokalari është kandidatja që meriton besimin dhe votën e qytetarëve. Bazuar mbi një plan me 7 prioritete Arjeta Kokalari, gjithashtu Aleanca Popullore për Drejtësi synojnë të përfaqësojnë më së miri jo vetëm të drejtat e ish të përndjekurve, dhe ish pronarëve por edhe të drejtat e mbarë komunitetit që i mbështet.

 

Zonja Kokalari, ju jeni kandidate për deputete e Aleancës Popullore për Drejtësi, në qarkun e Gjirokastrës. Nga ju erdhi ftesa për të kandiduar, dhe si e pritët?

 

Ftesa për të kandiduar m’u bë nga Kryetari i APD, z. Bilal Kola. Në momentin e parë propozimi ishte befasues dhe sigurisht m’u desh të mendohesha  para se t’i përgjigjesha pozitivisht.  Pasiguria ime për t’u përfshirë në përfaqësimin e APD në këtë fushatë zgjedhore, u shoqërua me disa pyetje që i bëra vetes: A do të isha e aftë për të fituar besimin e njerëzve? A do të isha e  denjë për të përfaqësuar dhe përcjellë interesat e tyre? A do të mund të ngjallja një shpresë mbi  zhgënjimin,  lodhjen dhe dëshpërimin e tyre ndaj politikës së ditës? Përgjigjia ishte “po”. “Po”, sepse edhe unë vetë jam pjesë e të zhgënjyerve nga politika që na ka udhëhequr në këto 27 vite. “Po”, sepse mendoj që  të jesh kritizer është më e pakta që mund të bëjmë, ndërsa duhet të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë qytetare ndaj vetes, shoqërisë, të ardhmes së fëmijëve tanë. “Po”, sepse programi i APD, përputhet tërësisht me aktivitetin tim publik në fushën e kujtesës dhe njohjen e krimeve dhe funksionimit të diktaturës komuniste. “Po”, sepse e ndjej veten brenda kësaj partie.

 

APD, është një parti e re. Çfarë e dallon këtë formacion të ri politik nga partitë ekzistuese?

APD është një parti e djathtë, e cila mbështetet dhe synon përfaqësimin e një shtrese të dallueshme të shoqërisë, që nëse demokracia tek ne do të kishte funksionuar vërtet, nuk  duhet të ishte kaq e dallueshme. Kjo shtresë përbëhet nga popullsia e cila padrejtësisht u privua nga të drejtat më themelore të njeriut, që u përndoq dhe u persekutua, që u shpronësua, që iu privua jeta dhe liria gjatë sundimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Eshtë një pjesë e popullsisë që megjithëse kanë kaluar 27 vjet postkomunizëm, ende ndihet e papërfaqësuar, në mos po edhe e gënjyer dhe e mashtruar. Një pjesë e mire e kësaj shtrese të popullsisë, është detyruar të braktisë vendin për shkak të zhgënjimit të pësuar, duke mos pasur asnjë mundësi të marri pjesë në fatet e vendit, që është edhe më e trishtueshme se kalvari i mundimeve që kaluan në diktaturë. APD nëpërmjet programit të saj synon përfshirjen e emigrantëve në jetën politike, ekonomike të vendit.

Sigurisht që pas  politikës zhgënjyese shumëvjeçare, nuk do të mungojnë skeptikët që vënë në dyshim seriozitetin e këtij formacioni politik. Unë do t’u vija atyre përpara disa fakte të pakundërshtueshme që e bëjnë APD fituese që në nisje:

APD parti e re, dhe lindi nga nevoja për përfaqësim e një pjese të popullsisë dhe nuk është një ndarje, apo devijim prej partive të vjetra, që në një mënyrë ose në një tjetër mbartin frymën dhe mentalitetin e vjetër.

APD është krijuar nga përfaqësuesit më të denjë të familjeve me kontribut të dalluar në historinë e Shqipërisë, duke sjellë në këtë grupim dëshirën e trashëguar brez pas brezi për përparimin e shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. APD nuk pranon në trupin e saj qelizat kanceroze të ishsigurimit të shtetit duke kërkuar nga gjithë anëtarët e saj vërtetimin për mospërfshirje në dosjet e këtij institucioni famëkeq, lëshuar nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve. Në udhëheqje të APD janë individë të shkolluar në universitete prestigjioze të botës, të cilët përcjellin në këtë grupim dhe në gjithë shoqërinë tone mentalitetin e shoqërive më të përparuara demokratike. APD është një parti e re dhe si e tillë, ajo meriton besimin maksimal.

 

 

Cilën shtresë të shoqërisë shqiptare do të përfaqësoni në parlamentin e ardhshëm?

 

Unë rrjedh nga një familje e madhe gjirokastrite, që ka qënë në shënjestër të regjimit komunist. Ndonëse si individ nuk kam provuar drejtpërdrejt persekutimin, që në rini më kanë treguar në mënyrë të kujdesshme tragjeditë e shumta në familje dhe rrethin e të njohurve. Pas rënies së diktaturës, ajo që më zemëronte ishte heshtja publike ndaj këtyre ngjarjeve, si të mos kishin ndodhur kurrë. Konstatova se brezi im, megjithëse tashmë lirshëm publikoheshin informacione për sa kishte ndodhur, njihnin vetëm “Historinë e Partisë” që kishin mësuar gjatë viteve të shkollimit. Një thirrje e brendshme më bëri që të kontribuoja sa të mundja në ndriçimin e asaj që kishte ndodhur në familjen Kokalari, nisur me edukimin dhe dëshirën për arsimim, deri tek ndëshkimet e shpronësimin. U ndjeva e sigurt kur zbulova që në këtë rrugëtim nuk isha e vetme. Lidhjet familjare, bashkëpunimi me institucione të ngjashme, interesimi im i vazhdueshëm për të njohur nga afër problemet e kësaj shtrese, dhimbjet, zhgënjimin dhe dëshirat e saj, më bëjnë ta ndjej dhe përjetoj historinë e gjithkujt si timen. Pas kësaj përvoje kam bindjen se do të mund t’i  përfaqësoj besnikërisht interesat e kësaj shtrese.

 

 

Për të gjithë votuesit që nuk ju njohin, kush është Arjeta Kokalari?

Do ta cilësoja veten një gjirokastrite e mirfilltë. Ky cilësim mund të nxisë ndoshta edhe ndjesi negative dhe jam e gatshme ta përballoj, sepse nuk mund të mohoj që qyteti ku kam lindur dhe jetoj, me të mirat dhe të këqijat e tij, si dhe historia e familjes sime që prej të paktën pesë shekujsh ka qënë kontribuese në këtë komunitet, kanë pasur ndikimin më të madh në formimin tim dhe më nxisin ta dua pashmangësisht. E konsideroj veten me fat që kam nxënë në shkollën famëmirë jo vetëm për mësuesit që kanë dhënë mësim, por edhe për nxënësit e shquar, në gjimnazin “Asim Zeneli”. Më pas kam studjuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, ku u diplomova në vitin 1992. Më shumë se për edukimin shkencor, vitet e studimeve kanë qënë të rëndësishëm për të kuptuar mashtrimin e moralizimit socialist, mosfunksionimin në realitet të asaj që propagandohej dhe që natyrshëm na çoi në lëvizjen e dhjetorit 1990. E kam ndjekur me interes lëvizjen politike, pa u bërë asnjëherë pjesë e ndonjë partie politike. Shpesh jam ndjerë e zhgënjyer, e dëshpëruar, e zemëruar nga zhvillimet politike. Pas përfundimit të studimeve kam punuar në profesionin tim në institucione publike, ose sipërmarrje private dhe shtetërore. Jam e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.

 

Cili është mesazhi juaj për qytetarët dhe opinionin publik?

Në vitin ’90 kujtuam se e përmbysëm komunizmin, por ai është mes nesh, është në mendjet tona, është aty kur dekorohen kriminelët dhe harrohen viktimat e diktaturës, është aty ku tallen me pronarët që enden zyrë më zyrë dhe nëpër senanca gjyqësore pa mbarim me dosje nën sqetull, është aty ku qytetarëve u mbyllet çdo dritë shprese dhe detyrohen të ikin nga ky vend, është në librat e shkollorë ku shkruhet pak, ose aspak për ushtrimin e diktaturës komuniste në çdo qelizë të shoqërisë, është në mënyrën si mendojmë, si e drejtojmë këtë vend, është aty kur e shohim kundërshtarin politik si armik, është aty kur popullin e ushqejmë me sllogane, është aty ku refuzojmë të njohim e pranojmë historinë e vërtetë, është aty ku vjedhin shpresën, është aty ku blejnë votën, është aty ku i heqin gurët ndërtesës së demokracisë.

APD është e vetmja parti që nuk ka asnjë lidhje me të shkuarën komuniste dhe as me pasardhës të tyre. APD ofron një sjellje ndryshe. Për të gjithë ata që janë të zhgënjyer nga politika mbytëse, APD është një mundësi për t’i thënë jo politikës së vjetër.  Nëse dëshiron të bësh diçka për të ndryshuar këtë vend voto numrin 17.