Aktualitet

“Arbëreshët”: emigrimet e shqiptarëve të krishterë në Itali

By vizional

May 25, 2017

Një histori e gjatë që fillon rreth gjysmës së shekullit XV

Nga Giovanni Armillota

Po qe se përjashtojmë emigrimet e shqiptarëve gjatë viteve të shkuara nëntëdhjetë, pasojë e krizës së gjatë politike-administrative që solli përmbysja e shteti enverist, fuqizimin e bërthamës arbëreshe në Itali do ta vendosnim midis gjysmës së shekullit XV dhe vitit 1774. Shqiptarët e parë, ushtarë, arritën në vendin tonë, nën urdhërat e Dhimitër Reres, i thirrur nga Alfonsi I, Zemërgjëri, mbret i Dy Sicilive (1442-1458; i V i Aragonës: 1416-1458), për të ndërhyrë në Kalabri kundër armiqve të monarkut iberik, i cili i dorëzoi Reres-it përgjegjësi politike në Kalabrinë e Poshtme: qenë ndërtuar vendbanimet e Amato, Andali, Arietta, Casalnuovo di Noja, Vena di màida e Zangarona. Të bijtë e Dhimitrit, Gjergji e Vasili, shkuan në Sicili duke u dhënë jetë bashkësive shqiptare të vendosura në provincat e sotme të Agrigjendos, Katanias dhe Palermos. Me shpeshtimin e lidhjeve midis Mbretërisë së Dy Sicilive dhe Shqipnisë së Gjergj Kastriotit (Skenderbeut), ky i dha ndihmë Ferdinandit I, Bastardit (1458-94) në luftërat kundër Anzhuinëve, duke përfituar prona të mëdha tokësore në Pulia (midis të cilave Monte Sant’Angelo, San Giovani Rotondo e Trani). Aty qendruan shumë ushtarë, të cilëve iu bashkuan të tjerë, kur pas vdekjes së Skenderbeut (1468) – që përshpejtoi ofensiven turke – parapëlqyen më shumë të krishterë të strehohen në Itali: u krijuan vendbanimet e Campomarino, Casalnuovo, Monterotaro, Casalvechio di Puglia, Chieuti, Faggiano, Martignano, Monteparano, Roccaforzata, San Giorgio Jonico, San Martino, San Marzano di San Giuseppe, San Paolo di Civitate, Santa Croce di Magliano, Sternatia, Ururi e Zollino. Gjergj Kastrioti (1405-1468) luftoi deri në fund të jetës për ta mbajtur të lirë tokën e vet, në një periudhë kur otomanët kërcënonin nën muret e Vjenës krejt Perëndimin. Në këtë qytet ruhen ende përkrenarja dhe shpata e tij. Kyy qe një njeri me dije e kulturë të madhe (njihte pesë gjuhë), ishte i besimit katolik dhe diplomat i aftë, “çpikës” i guerriljes; më 1461 ai u prit nga Papa Piu II (1458-1464), për të kërkuar ndihma në luftën e përbashkët kundër armiqve turq.

 

Më 1470, pas martesës së Irena Kastriotit me princin e Bisignano-s (pronar i madh tokash në Kalabri), një pjesë e mirë e shqiptarëve të Pulias u zhvendosën me fisnikën Irenë në tokat e bashkëshortit, duke populluar: Macchia Albanese, San Cosmo Albanese , San Demetrio Corone, San Giorgio Albanese, Spezzano Albanese e Vaccarizzo Albanese. Pas rënies së Krujës (1478), kryeqendra legjendare e qendresës kundër musulmanëve, të ardhurit e rinj ndërtuan vendbanimet e Acquaformosa, Castroregio, Cavallerizzo, Cervicati, Cerzeto, Cività, Falconara Albanese, Firmo, Frascineto, Lungro, Mongrassano, Plàtaci, Porcile, Rota Greca, San Basile, San Benedetto Ullano, San Giacomo d’Acri, San Lorenzo del Vallo, San Martino di Finita, Santa Caterina Albanese, Santa Sofia d’Epiro, Serra d’Aiello, etj.

 

Emigrimet e mëdha shqiptare të gjysmës së mijëvjeçarit të dytë muarën fund në vitet 1533-1534, me dorëzimin e kështjellës së Koronës, mburoja e fundit e qendresës shqiptare kundër otomanëve. Familje shqiptare u strehuan në Napoli, në ishullin e Liparit; pjesa më e madhe shkoi në Melfi (shqiptarët e mërguar u ndanë dhe ndërtuan Barile), në Brindisi Montagna, Farneta, Maschito e San Giovanni Albanese. Më pas arritën mërgimtarë më 1647 (Barile), 1744 (Villa Badessa) dhe 1774 (Brindisi Montagna). Grupe arbëreshësh u vendosën në krahinën e Parenzo-s dhe në fshatin e Peroi-t (Istria e Pola). Kolonia e Peroi-t u ngrit në bazë të një konçensioni të Venedikut, që pranoi disa familje tregtarësh të lidhura me trafiqet me Serenissima-n. Shqiptarë të tjerë zunë vend midis shekullit XV dhe XVI në Bari, Bosco Tosca dhe Pievetta-Dogana (Piacenza), Cardevole (Korsikë) dhe Rimini.

 

Shqiptarë të ndryshëm preferuan të rekrutohen në ushtritë spanjole dhe të luftojnë heroikisht në luftërat europiane ( të famshme kanë qenë: kalorsia shqiptare e Vendikut, e quajtur ndryshe kalorsia e Stratiotëve dhe këmbësoria shqiptare e Napolit, krijuar nga mbreti Karli VII (1734-1759, i III i Spanjës: 1759-1788).

 

Refugjatët u konsideruan katolikë nga autoritetet vendase. Me kalimin e kohës, shumë kolonive iu impnua latinizimi apo kërcënimi i një mase të tillë, megjithëse në një formë liturgjie të përzier, latine dhe bizantine.

 

Gjatë sundimit të Klementit XI, papës me origjinë shqiptare, me nismën e priftit arbëresh Stefano Rodotà, u miratua propozimi për ngritjen e një kolegji të ritit bizantin në Kalabri dhe u emërua një ipeshkëv që të shuguronte meshtarë në këtë rit. Kundërshtimi i ipeshkvinjve latinë e vonoi për një kohë projektet e komunitetit shqiptar, por më 1732, Klementi XI (1730-1740), vuri në dispozicion për këtë qellim të ardhurat e abacisë së San Benedetto Ullano-s, përveç një shume të konsiderueshme parash nga thesari i tij.. Përmes dispozitave të Atit të Shenjtë, ipeshkvit bizantin i qenë dhënë mundësi dhe fuqi të mëdha veprimi në kolegj, të drejtën për t’u dhënë urdhërat kishtare studentëve dhe autoritetin për të vizituar kishat e ritit bizantin; por megjithatë, kishtarët e ritit bizantin mbetën nën juridiksionin e autoriteteve latine. Persa u përket shqiptarëve të Sicilisë, duhet të shënojmë se Karli VII ngriti kolegj në Palermo dhe Ferdinandi IV (1759-1806; 1815-1825) u caktoi atyre një ipeshkëv, gjithnjë në kryeqendren e Sicilisë (1784).

 

Përpjekjet e bëra nga shqiptarët për të siguruar pastërtinë e ritit të tyre dhe dioçezet e veta bizantine, u konkretizuan gjatë periudhës së mëvonshme. I përket pikërisht gjysmës së shekullit XVIII vepra kryesore e Pompilio Rodotà, “Mbi origjinën, zhvillimin dhe gjendjen e sotme të ritit grek në Itali”. Arbëreshëve iu njohën identiteti dhe vlerat nga Leoni XIII (1878-1903), që vendosi eliminimin e çdo shtese liturgjike që nuk pajtohesh me ritin bizantin. Më pas, më 1919- me pontifikatin e Benediktit XV (1914-1922) – u ngrit në Kalabri heparkia dioçezi) e Lungro (Unga) dhe më 1937, nën Papën Piu XI (1922-1939), në Sicili, ajo e Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve); në të njejtën kohë qe shpallë “hezarkike” abacia e Santa Maria di Grottaferrata (Romë).

 

 

Klementi XI dhe Familja Albani

 

Shpresa e qendrueshme e Klementit XI (Gian Francesco Albani: lindur më 1649, 1700-1721), solli rezultate të dukshme në Shqipëri, ku Kishat Katolike dhe Orthodokse qendruan për një kohë së bashku. Klementi XI, duke e shpallur veten shqiptar, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të memëdheut. U zhvillua aso kohe “Koncili i parë kombëtar” (1703), që përcaktoi mënyrën e sjelljes së klerit në çështjet dogmatike, morale kanonike e baritore. Ndërkohë edhe në mjedisin ortodoks ishte vertetuar një gjendje e re. Kërkesat e ndryshme të prelatëve ortodoksë të Shqipërisë për të siguruar mbrojtjen politike të Papës, kishin çuar, së pari, në një farë bashkimi, pastaj, duke mos u arritur ajo që pritej në këtë drejtim, me krijimin e selive arqipeshkvnore për latinët e Ohrit dhe të Shkupit. Një mision i ritit bizantin kishte vepruar tashmë në Himarë që nga viti 1628. Përveç kësaj, në shekullin XVIII, në shumë krahina verilindore dhe qendrore u shfaq fenomeni i kriptokristianizmit që zgjati deri në ditët tona (veçanërisht në periudhën enveriste); nga ana tjetër, shumë prej atyre që kishin përqafuar islamin, parapëlqyen sekte më eterodokse dhe më pak larg kristianizmit, siç ishte ai i bektashizmit.

 

Familja Albani u krijua nga dy vëllezërit shqiptarë, Gjergji e Filipi të Mikelit nga Laçi, luftëtarë nën urdhërat e Skenderbeut, të cilët u strehuan në Urbin ku Frederiku dhe Guidobaldi të Montefeltro-s i punësuan si njerëz të besuar në çështjet diplomatike dhe ushtarake. U njohën me mbiemrin “Albanesi” që jetëgjati Altobelli (1445-1564), i biri i Gjergjit, e ktheu në Albani. Nga kjo familje, përveç Klementit XI, lindën kardinalë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të njohur si: Giovanni Girolamo (1509-1591): kardinal e kont, zëvendës komandant i forcave të armatosura së Republikës së Venedikut, në dy konklave kandidat për Selinë e Shenjtë, historian, këshilltar personal juridik i Gregorit XIII (1572-1585) dhe Sikstit V (1585-1590); Horaci (1576-1653): diplomat, i emëruar senator i Romës nga Urbani VIII (1623-1644); Hanibali (1682-1751): kanonik i Shën Pjetrit, president i Dhomës Apostolike, sekretar i Memorialeve, kardinal (1711) dhe nunc i jashtëzakonshëm në Vjenë, ku punoi për të përfunduar ratifikimin e zgjedhjes së perandorit Karl VI (1711-1740), kamerleng i Shenjtës Kishë Romake, kryekancelar i Sapiencës, kryeprift i Bazilikës Vatikane, ipeshkëv i Sabinës pastaj i Porto e Santa Rufina, zëvendësdekan i Kolegjit të Shenjtë; Aleksandri (1692-1779): vetëm pesëmbëdhjetëvjeçar kolonel i armatës pontifike, pasi la karrierën ushtarake, sekretar i Memorialeve, i dërguar në Vjenë, kardinal (1721), bibliotekar i së Shenjtës Kishë Romake, ambasador i Austrisë në Romë, protektor i Mbretërisë së Sardenjës, protektor dhe mik i Winckelmann-it, ndërtues i Vilës Albani dhe mecenat i shkëlqyer; Gian Francesco (1720-1803): kardinal (1753), protektor i çështjeve të Polonisë, mori pjesë në bisedimet me Katerinën III (1762-1793) për të rregulluar gjendjen e katolikëve në Rusi, ipeshkëv i Sabinës, pastaj i Porto e Santa Rufina dhe, nga viti 1775, dekan i Kolegjit të Shenjtë e ipeshkëv i Ostias e Vellerit, mbrojtës i Shtetit Papnuer kundër Francës Revolucionare dhe përkrahës i zgjedhjes së Klementit XIII (1758-1769) dhe Piut VII (1800-1823); Zefi (1750-1834): klerik i dhomës së Piut VI (1755-1799), delegat për të sjellë në Vjenë shiritin e bekuar me rastin e pagëzimit të arqidukës Ferdinand që më pas u bë perandor (1835-1848), kardinal (1801), protektor i Perandorisë Austriake, prosekretar i Breveve dhe i dërguar në Bolonjë, sekretar shteti i Piut VIII (1829-1830), komisar i jashtëzakonshëm i Gregorit XVI (1831-1846) për të vendosur rendin në Legacionet në të nesërmen e lëvizjeve revolucionare (1832), bibliotekar i të Shenjtës Kishë Romake, ipeshkëv i Urbinitde, i dërguar në Pesaro dhe Urbin. Familja Albani u shua më 1852 me Filipin. Është për t’u shënuar se si në Orient, një tjetër familje e madhe vezirësh shqiptarë drejtonte në të njejtën kohë me Albanët, fatet e Perandorisë Otomane në shekujt XVII-XVIII: Qyprillinjtë.

 

Para Klementit XI kanë qenë edhe tre papë me origjinë shqiptare: Shën Eleuteri (175-189), Shën Kaji (283-296) dhe Gjoni (640-642).