Komisioni Europian ka deklaruar se Apple ka përfituar ndihmë të paligjshme nga ulja e taksave, por shefi ekzekutiv Tim Cook thotë se vendimi kërcënon investimet në Europë.
Apple ka paralajmëruar se investimet e ardhshme në kompanitë shumëkombëshe në Europë mund të goditen, pasi u detyruan të paguajnë shumën prej 13 miliardë eurosh të tatimit të shtyrë në Irlandë.
Kompania më e madhe në botë u njoh me këtë faturë të lartë pasi KE vendosi se ka pasur një marrëveshje midis Apple dhe autoriteteve tatimore në Irlandë, ku Apple ka përfituar përmes ndihmave shtetërore të paligjshme.
Komisioni tha se marrëveshja ka lejuar Apple që të paguajë një normë minimale takse prej vetëm 1%. Në 2014-n, gjiganti i teknologjisë pagoi taksat me normë 0.005%. Norma e zakonshme e taksimit të korporatave në Irlandë është 12.5%.
Vendet anëtare nuk mund të bëjnë favorizime fiskale mbi kompani të përzgjedhura, kjo është e paligjshme nën ligjet e BE-së për ndihmat shtetërore, tha komisionerja europiane për çështjet e konkurrencës, Margrethe Vestager, hetimi i së cilës mbi marrëveshjet e ndërlikuara të Apple ka marrë tre vjet.
Vendimi i Vestanger nxiti zemëratën e Apple dhe Irlandës dhe kjo do të ndezë një betejë politike midis ShBA-së dhe BE-së. Thesari Amerikan tha se vendimmarrja kërcënon të dëmtojë shpirtin e bashkëpunimit ekonomik midis SHBA-së dhe BE-së.
Në një letër për klientët, shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, pretendon se vendimmarrja mund të godasë investimet e kompanive të mëdha në Europë. Pavarësisht shenjëstrimit të qëllimshëm të Apple, efekti më i thellë dhe i dëmshëm i këtij vendimi do të jetë mbi investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Duke përdorur teorinë e komisionit, çdo kompani në Irlandë dhe Europë është papritur në rrezik për të qenë subjekt i taksave që nuk kanë ekzistuar më parë.
Komisioni tha se rregullimi i tatimit irlandez me Apple midis viteve 1991 dhe 2015 ka bërë që kompania amerikane t’ia ngarkojë shitjet një “zyre qendrore” që ekziston thjesht në letra dhe që nuk prodhon asnjë përfitim.
Rezultati qe se Apple ka shmangur taksat në pothuajse të gjithë përfitimet që ka marrë një shitje prej miliarda dollarësh të iPhone dhe të tjera produkteve në tregun e përbashkët europian. Ajo i ka regjistruar të ardhurat në Irlandë dhe jo në vendin ku produkti është shitur.
Apple dhe Irlanda kanë thënë se do të apelojnë vendimin.
Shifra prej 13 miliardë eurosh plus interesat është 40 herë më e madhe se shumat e mëparshme të rasteve të ngjashme dhe e barasvlershme me buxhetin vjetor të Irlandës për shërbimet shëndetësore. Aktivistët irlandezë bëjnë thirrje që shuma e papritur të investohet në strehimet publike./monitor