ANALIZA/ Lorenc Vangjeli: Për kë bie kambana e ngjarjes së Kavajës. Një...

ANALIZA/ Lorenc Vangjeli: Për kë bie kambana e ngjarjes së Kavajës. Një apo disa histori paralele pasioni, gruaja nuk është Maria Madalena, por…

493
0

Çfarë ndodhi në Kavajë këtë javë, nuk është ngjarja e një qyteti të vogël province të lënë si xhep nga autostrada e re që shkon drejt jugut. Ajo është vetëm pjesa e dukshme e historive gjithmonë e më tipike shqiptare, të cilat luhen si drama për protagonistët dhe si ububu llahtare për moralistët.

 

 

Një apo disa histori paralele pasioni, një grua e vetme dhe nënë e tre fëmijëve, me bashkëshortin e dytë brenda në burg dhe burgu jashtë vendit, policë që vendosin të bëjnë ligjin me uniformë jashtë shërbimit, të shtëna automatiku e pistolete, foshnje dy vjeçare në vendin e krimit, shumë gjak, të vdekur e të plagosur: çfarë ndodhi në Kavajë është shumë më shumë se një dosje kriminale. Ajo është shumë më shumë se një hetim policor apo raportim gazetaresk.

 

Është më shumë edhe se grishja e zakontë për të nginjur kureshtjen e të ngeshmëve, për të bërë kinse puritanët të bërtasin për moral dhe skeptikët që të përsërisin dhe njëherë krizën e gjithë shoqërisë shqiptare.

 

Nga cila do anë të shihet kjo ngjarje, ajo është një zinxhir tipik shqiptar shkak e pasojë e sjelljes, e mendjelehtësisë ekstreme për të zgjidhur situata të rënda, e mosbesimit tek ligji, e shpërdorimit të detyrës, e epshit të pakontrolluar dhe arrogancës ditëzezë mashkullore, e cektësisë në arsyetimin për jetën dhe lehtësisë së padurueshme që i jepet vetë peshës së jetës.

 

Tragjedia e Kavajës është identikiti i një shoqërie që ka probleme serioze me busullën e orientimit, që ligjin e pranon vetëm kur i intereson për vete dhe moralin e përmend vetëm kur e përdor për të ndëshkuar tjetrin. Përtej raportimeve të kronikës, Kavaja është një histori tragjike ku kanë gabuar të gjithë dhe duhet të paguajnë sot të gjithë. Dikush e bëri madje edhe duke i mbyllur hesapet vetjake me jetën e tij.

 

Gruaja që ishte në qendër të tragjedisë nuk është Maria Madalena. Dhe askush nga gjykuesit e saj që ndodhen në turmën me gurë në dorë, nuk është Jezu Krishti. Para se të goditet me gurë morali ajo grua, duhet që secili ta shohë një çast botën me sytë e saj. Secili duhet të përpiqet të dalloje edhe si e shihnin botën gjithë personazhet e kësaj tragjedie. Dhe vetëm atëherë, akuzatorët mund të jenë edhe të akuzuar.

 

Shpejt a vonë drejtësia do të ketë një tablo formale të asaj çfarë ndodhi, por gjykimi tjetër, ai që varet nga kushtetuta e moralit dhe kodi njerëzor i sjelljes, me të gjitha gjasat, do të duhet të shpallë fajtore krizën e gjithë shoqërisë. Kriza e shoqërisë së sotme shqiptare është një këmbanë që bie fort e fort, por nuk e lenë të dëgjohet brohorimat, sherret, dashuritë, urrejtjet, bashkimet e ndarjet e politikës për pushtet dhe në emër të pushtetit.

 

Kavaja dha një dëshmi më shumë se ajo është këmbanë funerali. Herët a vonë, edhe skeptikët do ta dëgjojnë dhe do ta ndjejnë në lëkurë drithërimën e këtij lloj morti. Si tattoo tmerri. Këmbana të tilla, siç thonë të mençurit e kësaj bote, bien për të gjithë dhe jo për viktimat direkte të tragjedisë. /JavaNews.al