AMF zhvillon konferencën e dytë kombëtare për edukimin financiar

AMF zhvillon konferencën e dytë kombëtare për edukimin financiar

500
0

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi Konferencën e dytë Kombëtare “Edukimi Financiar” me fokus kryesor studentët, të cilët shpalosën punime të ndryshme në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje dhe rëndësinë e edukimit financiar për zhvillimin e tyre.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, u ndal te rëndësia e edukimit financiar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve. Ai theksoi se Autoriteti përveç angazhimit të nisur me fushata informuese në universitete, ka shkuar edhe më tej me një nismë për praktikat mësimore të studentëve.  “Autoriteti ka koordinuar për herë të parë përgjatë këtij viti praktikat profesionale të rreth 300 studentëve, me shpërndarjen e tyre pranë shoqërive të tregjeve që ne mbikëqyrim. Kjo është një nismë me përfitim reciprok, ku në njërën anë studentët aftësohen dhe njihen nga afër me proceset e punës, ndërsa në anën tjetër, shoqëritë e kanë më të lehtë për të identifikuar dhe rekrutuar profesionistët e së ardhmes. Aktualisht, në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare po zhvillojnë praktikën mësimore 9 studentë, të cilët përgjatë një muaji marrin informacion të plotë dhe të gjithëanshëm në lidhje me të gjitha proceset e punës në Autoritet,” u shpreh Z. Koçi.  Konferenca u përshëndet edhe nga zv/ministri i Arsimit, Z. Redi Shtino, i cili theksoi se Ministria e Arsimit i ka kushtuar vëmendje të posaçme edukimit financiar dhe përfshirjes sa më të madhe të të rinjve nëpërmjet nismave konktete. Ai përmendi përfshirjen e lëndës së ekonomisë si lëndë bazë në kurrikulën e klasë së 12-të në shkollat e mesme. Të pranishëm në konferencë ishin dhe zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Elton Haxhi dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë. Të gjithë të pranishmit e vlërësuan këtë nismë të Autoritetit dhe theksuan gadishmërinë për zgjerimin e edukimit financiar në nivel kombëtar, si një domosdoshmëri në funksion të zhvillimit ekomomik të vendit.

Tematikat e trajtuara në punimet e studentëve, të udhëhequr edhe nga pedagogët e tyre,  përfshinin mes të tjerave:

 

Tregu i sigurimeve, dixhitalizimi, çfarë e pengon zhvillimin e mëtejshëm të tij;

Kushtet e kontratave të sigurimit;

Bursat, niveli i zhvillimit të tyre në Shqipëri;

Faktorët që ndikojnë mbi perceptimin e produkteve vullnetare;

Aftësimi financiar te të rinjtë shqiptarë;

Fondet e investimeve si një mundësi alternative investimi;

Roli i fondeve të pensionit në tregun financiar, etj.

 

Risi e kësaj konference ishte edhe formati i prezantimit të punimeve dhe mënyra interaktive e realizuar nga studentët. Në përfundim të konferencës, Autoriteti dhe shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit, si dhe Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri vlerësuan punimet më të mira.

 

Me çmimin e parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u vlerësua punimi “Aftësimi financiar dhe rëndësia e tij”, i realizuar nga katër studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.

 

Vlerësimet lidheshin me kontrata punësimi në shoqëritë që veprojnë në tregjet nën mbikëqyrje, mundësinë e praktikave profesionale apo dhurimin e pajisjeve dixhitale për studentët.  AMF e ka kthyer tashmë këtë konferencë me studentët në një aktivitet të përvitshëm, duke i shërbyer edukimit financiar dhe përfshirjes së të rinjve në tregjet nën mbikëqyrje.