Albin Kurti për teatrin: Ngjarjen e shënon në histori rezistenca

Albin Kurti për teatrin: Ngjarjen e shënon në histori rezistenca

378
0

Kyeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, përmes një publikimi në rrjetet sociale ka treguar mbështetjen e tij me artistët dhe qytetarët që kundërshtuan prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Duke e cilësuar shembjen e një monumenti kulture, interes të përkohshëm të disa personave, Kurti shkruan se ngjarje të tilla i shënon në histori, rezistenca.

Publikimi i plotë i Kurtit

Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.

Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar.

Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë.