Disa ditë më parë, qyteti i Elbasanit u përball me një ngjarje të përsëritur ku mbeturinat e akumuluara në fushën e mbetjeve ndezën zjarr dhe për disa ditë rresht e po digjeshin, duke bllokuar gjithë qytetin në ajër kancerogjen sipas shoqatave mjedisore.
Ky fenomen e bën qytetin të pabanueshëm dhe rrezikon seriozisht shëndetin dhe sigurinë e banorëve, shprehen qytetarë protestues nga Elbasani.
Për shumë kohë, asnjë masë nuk është marrë për të parandaluar këtë problem — as nga prokuroria, e cila tashmë më shumë se një vit po hetuon një rast të ngjashëm të zjarrit në landfill, dhe as nga autoritetet lokale, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta ndalur këtë problem në vazhdimësi.
Ilir Çopja, banues pranë ish-fushës së mbetjeve, era e tmerrshme e mbetjeve është realitet i përditshëm.
Gjatë protestës, aktivisti Arlis Alikaj foli edhe për shkatërrimin e rrjedhës së lumit Shkumbin si pasojë e ndërtimit të superstradës Elbasan-Qafë Thanë. Kjo rrugë ka ndarë fshatin e Hotolishtit në dy, ka tharë lumin dhe ka shkatërruar shumë toka bujqësore, duke shkëputur komunitetin dhe duke rrezikuar të ardhmen e banorëve.
Zjarret nxjerrin në pah dështimin në menaxhimin e mbetjeve.
Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco Elb”, tha se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta, duke përjashtuar neglizhencën dhe duke theksuar se ngjarja lidhet me “shkaqe natyrore”. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë “po digjet gjithandej” dhe kompania është e hapur për hetim të plotë. Elbasani ka një incenerator për djegien e mbeturinave, por ky projekt prej 26 milion eurosh, që nisi në vitin 2017, u mbyll me më shumë se 10 persona të dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Në vitin 2021, impianti u konfiskua dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan, por nuk u arrit ta vihej plotësisht në punë. Administratori i “Eco-Elb” tha se impianti punoi vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2023 dhe u fik në dhjetor, ndërsa prej atëherë nuk ka marrë përgjigje nga institucionet për riparimin e tij. Kompania i ka dërguar shkresa të shumta institucioneve, por pa rezultat. Rasti i Elbasanit është i ngjashëm me inceneratorët e Fierit dhe Tiranës, të cilët gjithashtu nuk u vunë në punë asnjëherë, pavarësisht pagesave të larta të projekteve.
Nga ana tjetër, aktivisti dhe banues në Elbasan, Ervis Çota, theksoi se kjo situatë ka sjellë probleme shëndetësore për një nga banorët më të moshuar azmatikë, të cilit nuk i janë dhënë udhëzime konkrete nga institucionet se si të mbrohen. Ai kërkoi gjithashtu hetim të plotë për situatën. “Prokuroria e Elbasanit tashmë e ka nisur një hetim që prej vitit të kaluar, por nuk ka dhënë asnjë shpjegim, nuk ka dalë asnjë gjë konkrete se çfarë ka ndodhur, kush janë personat përgjegjës dhe çfarë masash janë ndërmarrë?” deklaroi Çota.
Prej mesditës së së hënës, fusha e mbetjeve në Elbasan u vu nën pushtetin e flakëve. Sot, tymrat dhe erërat e rënda ndjeheshin ende në qytet, ndërsa temperaturat e larta e bëjnë të vështirë qëndrimin në mjediset publike. Kjo ishte protesta e dytë qytetare. Në të njëjtën kohë, një grup aktivistësh protestuan edhe në Tiranë para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Të gjithë bashkë kërkojmë përgjigje nga autoritetet dhe ngrejmë zërin për mbrojtjen e mjedisit, duke kërkuar veprime konkrete për të parandaluar këtë katastrofë ekologjike dhe për të mbrojtur të ardhmen e qytetit dhe komuniteteve të tij.
Protesta u mbështet edhe nga Het Actiefonds, organizatë hollandeze që mbështet lëvizje sociale dhe grupe veprimi në mbarë botën.